Shteti i Kosovës e rikthen Dardaninë në histori

10 Shkurt, 2021 - 11:44 am

“Kosova – histori e shkurtër” paraqet sintezën e “Kosovës” I-VIII të botuar midis viteve 2012-2017. Botimi i veçantë, në formën e “rrudhur” të atyre që u shtruan në tetë vëllimet me mbi pesë mijë faqe, ka për qëllim që hapësira e gjerë vëllimore të përmblidhet në një libër të vetëm, në mënyrë që edhe në këtë formë të jetë në gjendje të përçojë mesazhet e veprës. Është bërë përpjekje që me shtrirjen e lëndës në dhjetë kapituj, të ruhet tërësia konceptit të veprës në aspektin kohor dhe hapësinor, ku Dardania shfaqet si pjesë e rëndësishme e botës pellazge-ilire nga antikiteti, mesjeta e hershme, ajo e mesme dhe e vonshme e deri te koha jonë.

Kështu, në këtë kundrim “të rrudhur”, Dardania ruan unitetin e brendshëm etnik të botës ilire,në tërësinë e së cilës merrnin pjesë edhe Maqedonasit, Epirotët, Brygët dhe fiset e tjera nga familja e përbashkët pellazge, siç ruan edhe kohezionin e brendshëm shoqëror dhe politik, së cilës ngjarjet e caktuara dhe rrethanat e ndryshme nga antikiteti i hershëm e deri te koha jonë, nuk ia kanë ndryshuar kornizën e përbashkët.

Paraqitja e identitetit etnik, atij kulturor, shoqëror dhe politik në një kontekst historik të thellë dhe të gjerë, pra në kohë (nga lashtësia antike), dhe në hapësirë (në përmasat etnike), me qasjen nga rrënjët dhe jo nga degët, nuk është as çështje e thjeshtë e as punë pa vështirësi. Sepse, në njërën anë kemi të bëjmë me thyerjen apo kundërshtimin e stereotipave të njohur historikë nëpër të cilat ka kaluar dhe vazhdon të kalojë ajo në dioptrinë e historiografisë europiane nga shekulli XVIII e XIX e këndej të fokusuara rreth klisheve të teorisë së indoeuropianizmit kur etnogjenezës shqiptare, të shkëputur nga çfarëdo lidhjeje me Pellazgët dhe helenizmin si prodhim të tij të përvetësuar nga Grekët, do t’i vihen limitet e paqarta dhe me shumë dilema të origjinës ilire. Ndërsa, në tjetrën anë, kemi të bëjmë edhe me koniunktura politike që e kanë ndikuar atë nga Kriza Lindore e këndej, kur do të shfaqen programet hegjemoniste serbomëdha dhe grekomëdha (Naçertanja dhe Megaloideja),sipas të cilave, Shqiptarët do të duhej të përjashtoheshin dhunshëm nga hapësira e tyre etnike, duke u përdorur “argumentet” e prodhuara prej tyre, sipas të cilave ata shfaqen diku në mesjetën e mesme, të mjegulluar, pa identitet shoqëror e kulturor dhe jashtë çdo strukture shoqërore madje, që si të tillë dalin të shkrirë në amallgamin osman, i rrezikshëm për qytetërimin perëndimor!

Kështu, rivlerësimi i faktorit dardan në atë të bashkësisë ilire në kuadër të atij pellazg, nuk ka të bëjë vetëm me kuptimin e lashtësisë, ku i ka rrënjët një entitet i dëshmuar historik, por për të nxjerrë në pah edhe një të vërtetë historike se Dardania antike, në përmasat e saj të ngushtuara (pa pjesën veri-perëndimore të Maqedonisë së Veriuut), është Kosova e tanishme – shtet i pavarur, e banuar kryesisht nga pasardhësit e tyre Shqiptarët. Kjo pamje etnike, njihet të ketë qenë përafërsisht e njëjtë nga antikiteti, koha e perandorisë së Romës, Bizanti, Perandoria Osmane për të ardhur edhe deri te koha jonë.

Pra, pamja etnike, pak a shumë e njëjtë me një ndërlidhje mijëravjeçare, megjithatë, do të ishte e njëanshme dhe e paqartë fare, poqese do të mbetej jashtë dinamikës shoqërore, politike dhe shpirtërore nëpër të cilën ka kaluar ajo dhe është dëshmuar historikisht si një faktor tepër i rëndësishëm nga antikiteti e deri te koha jonë, siç do të ishte e pakuptueshme po qe se përmasat e saj të shikohen të shkëputura nga gjithë ai zhvillim nëpër të cilin kaloi bota e gjerë pellazge si një pjesë e pandashme e qytetërimit botëror e degëzuar në kuadër të qytetërimeve më të rëndësishme si dhe të rrethanave shoqërore-politike ku mori pjesë në krijimin e mbretërive dhe të perandorive më të mëdha të kohës.

Në “Kosova – histori e shkurtër”, vend i veçantë u kushtohet rapor-teve historike nga mesjeta e mesme dhe ajo e vonshme, veçmas gjatë Bizantit dhe Perandorisë Osmane, ku shfaqet identiteti etnik, shoqëror dhe politik ilir-dardan-arbëror, që do të përfundojë me pavarësinë e shtetit shqiptar në fillim të shekullit XX dhe me atë të shtetit të Kosovës, të liruar nga pushtimet serbo-jugosllave në fillim të shekullit XXI. Në këtë zhvillim të pandalshëm historik, Dardania që nga Kriza Lindore, në realitetet e atëherëshme evropiane të Perandorisë Osmane ku ajo bënte pjesë, me insistimin e Rusisë dhe në përputhje me logjikën hegjemoniste pansllaaviste, shfaqet si Kosovë (Vilajet i Kosovës, njëri nga katër vilajetet me shtrirje nga Nishi në veri, deri te Bullgaria në perëndim dhe deri te Manastiri në jug). Kjo do t’ia ndryshojë gjithë konfigurimin historisë së saj, duke e konvertuar dhunshëm në kuadër të historisë serbe, madje si “djep historik”!

Por, edhe përkundër këtyre realiteteve të dhunshme të vendosura nëpërmes pushtimeve me armë dhe gjak, ajo që në aspektin politik, shfaqet si Kosovë, që në periodën nga luftërat ballkanike (1912-1999) nën pushtimet serbo-jugosllave shkëputet politikisht nga tërësia e saj etnike me anatemën e shuarjes historike, përkundër politikës gjenocidiale dhe të kulturocideve me mjete dhe metoda shtetërore, vazhdoi të ruajë identitetin e botës shqiptare. Gjendje kjo që do të pasqyrohet edhe në ndryshimet politike gjatë Luftës së Parë Botërore (1915-1918) dhe të Dytës (1941-1944), kur në forma të ndryshme, në përputhje me interesat e fuqive të mëdha, do t’i kthehet bashkimi i pjesërishëm. Ndërsa diskursi i historiografisë hegjemoniste për “djepin e shtetit mesjetar serb” në Kosovë, ku Rasha e Nemanjajve dhe krishterimi ortodoks shfaqen si “atu” historike, jo vetëm që demistifikohen, por, duke u parë Rasha dhe Nemanjajt si etni tribale-dardane, ndërsa Dardania Mesjetare qendër e hegje-monizmit rasian si një “Ilirikum Magnum”në kuadër të Bizantit të shkërmoqur, ata i kthen në kuadër të historisë ilire-dardane. Ndërsa krishterimin e përvetësuar ortodoks nga kisha serbe në shekullin XX, e kthen te iliro-dardanët, ku edhe e ka vendin nga shfaqja e tij në Ilirik në shekullin IV e deri te koha jonë.

Natyrisht se ky kundrim, pas shfaqjes së shtetit të Kosovës dhe shpalljes së tij, më 17 shkurt 2008, kësaj çështjeje i jep një dimension të ri, meqë shteti i Kosovës, kthehet në histori jo vetëm nëpërmes paradigmës politike, siç ishte ajo e lëvizje kombëtare për liri, demokraci dhe pavarësi,së cilës iu desh edhe ndërhyrja ndërkombëtare (e NATO-s nga 23 marsi deri 12 qershor 1999), por kthehet edhe nëpërmes të drejtës historike, që lidhet pashmangshëm me mbretërinë e Dardanisë në antikitet si dhe rolin e botës ilire-dardane në mesjetë e deri te koha më e re, me ç’rast, këto realitete nxirren nga kundrimet e njohura ideologjike si dhe ato që ia kanë krijuar kornizat e historiografisë serbomadhe, për t’u vendosur në kornizën e njëmendë historike, etnike, kulturore dhe shoqërore-politike në përputhje me zhvillimin e saj të natyrshëm.

(Shkëputje nga Hyrja e librit “Kosova – histori e shkurtër”, që doli këto ditë nga shtypi. Botues: “Faik K0nica”&”Jalifat Pulkishing”, faqe 912.) / KultPlus.com

Të ngjajshme