17 Shkurt, 2021 - 12:40 pm
Kështu vlerëson historiani Jusuf Buxhovi, i cili, në 13 vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës doli me librin voluminoz sintezë “Kosova – histori e shkurtër”. Në këtë bisedë me shkas, autori krijimin e shtetit të Kosovës e quan të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull.
Bisedën e zhvilloi Esad Dujaka
Pyetje: Kosova më 17 shkurt shënon13 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë! “Kosova – histori e shkurtër”, libri i juaj më i ri, që paraqet sintezën e “Kosovës” I-VIII të botuar midis viteve 2012-2018, sikur i dedikohet kësaj date historike!
J. Buxhovi: Libri “Kosova – histori e shkurtër” që sapo doli nga shtypi i kushtohet shtetit të Kosovës. I gjithë projekti prej tetë vëllimesh nga viti 2012-2018 është ndërtuar në njërën anë mbi konceptin se shteti duhet të ketë edhe historinë e shkruar dhe, në tjetrën anë, që libri të nxjerr në pah Kosovën si epiqendër historike të Shqipërisë së natyrshme, krijimi i së cilës, brenda një mozaiku thuajse ia plotëson dhe kompleton pamjen historike kornizës së përbashkët. Me këtë, nuk do të thotë se Kosova nuk ka pasur histori. Përkundrazi, Kosova, është pjesë e historisë së natyrshme, pra me Dardaninë, si epiqendër të botës pellazge-ilire, që njëherësh është edhe bërthamë e antikitetit ku i ka rrënjët një qytetërim i përmasave botërore. Pra, Kosova si pjesë e kësaj historie, në trajtimet e historiografisë shqiptare, nuk e ka pasur as vendin e as tretmanin e duhur nga shkaku i vetëm se vazhdimësia historik është zëvendësuar me diskontinuitetin të përcaktuar nga ajo që prodhoi harta e re politike e shteteve në shekujt XIX dhe XX. Duke u mbështetur mbi këto realitete, fillimisht është minimizuar ose anashkaluar roli i Dardanëve dhe i Dardanisë në kuadër të botës ilire, si qendër e saj dhe njëherësh, me Trojën shtrat i antikitetit që ndikoi mbretëritë tjera dhe të rolit të saj si njëra ndër mbretëritë kryesore në antikë, në mesjetë e deri te koha jonë. Prandaj, përqendrimi im te Kosova dhe trajtimi i saj si bosht i saj, e rikthen jo vetëm Dardaninë në histori me fuqinë dhe rolin që kishte për antikitetin në përgjithësi dhe botën pellazge-ilire në veçanti, por rikthen edhe parametrat e zhvendosur historik që prodhoi Konferenca e Londrës e vitit 1913, kur Kosova dhe pjesët tjera të botës shqiptare, u shkëputën prej trungut të saj historik dhe etnik dhe iu dhanë Serbisë, Malit të Zi dhe më vonë Jugosllavisë, për t’u kthyer në periferi, ndërsa shteti shqiptar, nga periferia, u kthye në qendër. Me këtë veprim politik të Fuqive të Mëdha të kohës, Kosova, u gjykua që të margjinalizohet historikisht, siç edhe ndodhi me rolin e pakicës deri në vitin 2008, ndërsa shteti shqiptar, të kthehet në një “qendër” gjysmake! Këto absurditete i korrigjoi historia me krijimin e shtetit të Kosovës, me çka dëshmohet edhe një herë ajo që dihet se kombet në histori kthehen vetëm nëpërmes shteteve. Pa to ato kthehen në periferi, në pakica, dhe, edhe zhdukën duke u asimiluar apo bërë pjesë e “tërësive” të tjera,siç po ndodh sot me etninë shqiptare në Sanxhak, Çamëri, në një pjesë të Maqedonisë Perëndimore dhe në Mal të Zi!
Pyetje: Mbi 5.000 faqe tekst, për 8 vëllime, me qindra ditë e natë, shfletime e lexime të dokumenteve historike nga pjesë e gjuhë të ndryshme të botës! Duhet pasur vullnet dhe përkushtim të vazhdueshëm për një punë kaq voluminoze?
J. Buxhovi: Historiani ka për detyrë që të sillet në orbitrin e fakteve të njohura dhe të panjohura, të shkëputura dhe të sajuara, nëpër muze, biblioteka dhe kudo që të mundet, në mënyrë që, nëpërmes interpretimit të tyre të nxjerr përfundime. Meqë historia jonë është pjesë e njërit ndër qytetërimeve më të vjetra nga antikiteti dhe ruajti vazhdimësinë e vet deri te koha jonë duke pasë rol aktiv në të në të gjitha fazat, doemos se kërkonte sjellje dhe përsjellje nëpër këto dokumente. Megjithatë, krahas vjeljes së tyre, pastaj seleksionimit, interpretimi me metoda shkencore shfaqej si çështje në vete, meqë nga kjo qasje varet edhe përfundimi. Edhe pse profili im prej historiani është ndërtuar mbi Krizën Lindore dhe rolin e botës shqiptare në të, me theks të veçantë te Kongresi i Berlinit 1978, ku edhe në vitin 1979 kam magjistruar me temën “Lidhja Shqiptare në dokumentet gjermane”, prej nga e ka bazën studimi monografik “Kongresi i Berlinit 1878 dhe Lidhja Shqiptare”, i botuar në vitin 2012, me ç’rast për herë të parë sjell dokumentet autentike të Kongresit të Berlinit në tri gjuhë (frëngjisht, gjermanisht dhe të përkthyera në shqip), megjithatë, proceset e krijimit të shtetit të Kosovës, si dhe shpallja e pavarësisë më 2008 më kanë motivuar së tepërmi për shkrimin e historisë së shtetit të Kosovës, që për pikënisje ka pasur Dardaninë atike si epiqendër e asaj që sot nga pikëpamja historike, etnike, kulturore dhe veçmas shoqërore dhe politike, merret si Shqipërisë e natyrshme. Kësaj pune i kam hyrë me konceptin e historisë kritike. Kjo ka kërkuar një studim të thellë në kohë dhe hapësirë, duke u përqendruar në të gjitha dokumentet e arkivave të ndryshme të botuara qoftë nga autorët antikë, atyre nga mesjeta, enciklopeditë si dhe burimet e arkivave relevante. Kjo punë është deshtë të përballojë klishetë ideologjike (të vendosura nga historiografia institucionale shqiptare gjatë komunizmit) si dhe të hapë gamen e një konfrontimi shkencor me kornizat antishkencore të vëna nga historiografia serbomadhe, ku shqiptarët janë parë jashtë antikitetit, të mjegulluar në mesjetë dhe jashtë historisë politike të shekullit XIX dhe XX, pra të përjashtuar nga harta evropiane në mënyrë që hapësira e tyre të ndahet nga fqinjët (serbët, grekët, bullgarët).
Pyetje: Nga shkaku i rrethanave të njohura historike, studimet albanologjike dhe ato të historike u bënë nga të huajt në shekullin e kaluar, sidomos nga gjermanët. Krijimi i shtetit shqiptar dhe proceset që kaloi nga viti 1912 e tutje, veçmas ato ideologjike, që për gjysmë shekulli përcaktuan edhe binarët e shkencës, krijuan një pamje ahistorike, ose të shtrembëruar,me të cilën po përballemi edhe sot e gjithëditën. Si mund të tejkalohet kjo kur institucionet tona përgjegjëse në Tiranë dhe Prishtinë, nuk ia kanë dalë të lirohen nga kthetrat e kornizave ideologjike dhe ato të diktatit të historiografisë serbomadhe?
J. Buxhovi: Është e vërtetë se njoftimet e para për shqiptarët, pastaj dhe studimet albanologjike, nga shekulli XVIII e këndej, i kemi nga hulumtuesit dhe historianët e huaj, kryesisht gjermanë, të cilët, në shekullin e kaluar edhe ia vunë bazat albanologjisë. Lajbnici, Ksylanderi, Hahni e deri te G. Majeri i
vunë binarët gjuhësisë dhe historiografisë shqiptare duke e vendosur atë në kuadër të familjes indoeuropiane. Mbi këta binarë, midis di luftërave botërore, kaluan edhe disa nga albanologët tanë (Qabej dhe të tjerë), ishte ideologjia që për gjysmë shekulli, bëri që binarët i zhvendosi nga shkenca tek politika dhe nevojat e saj me pasoja të njohura. Për fat të keq, tranzicioni në Shqipëri dhe Kosovë nuk ia doli që këtë mendësi ta zhvendos në binarët e duhur shkencor, ku ishte në shekullin XX. Përkundrazi, na tash kemi një situatë tepër absurde, kur historiografia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, jo vetëm që nuk është liruar prej këtyre kornizave, veçmas asaj serbomadhe, por vazhdon të mbetet kurth i tyre. Kjo vlen veçmas për mesjetën dhe trajtimin e saj, ku, sa i përket Kosovës (Dardanisë) ajo shihet kryekëput si pjesë e “shtetit mesjetar serb”. Kështu, Rasha Nemanjane, si dinasti tribale e me këtë pjesë legjitime e trashëgimisë dardane-ilire, si dhe krishterimi ortodoks, shihen si pjesë e historiografisë serbe! Në këtë aspekt, ndonëse dokumentet e shumta nga mesjeta (nga Bizanti dhe Vatikani) flasin për Rashën Tribalët-dardane, për Nemanjajt – tribalë, pra dardanë, ata shihen si “serbë” dhe “themel” i shtetësisë serbe! Në librin tim “Dardania”, që doli vitin e kaluar, kam sjellë referencat e shumta nga autorët bizantinë (Pofyrogenti, Kantakuzini e të tjerë) që Rashën dhe Nemanjajt i shohin si tribal-dardanë, por kjo sikur nuk po mjafton që historianët institutcionalistë nga Tirana dhe Prishtina të lëvizin nga kornizat mashtruese të historiografisë serbe rreth kësaj çështje, që është kurciale jo vetëm për nxjerrjen në dritë të së vërtetës për shtetin e Kosovës por edhe për atë të mesjetës, me Dardanët dhe Dardaninë qendër e asaj. Ndër këto anomali, krahas mohimit të lidhjeve me Pellazgët, me çka dobësohet edhe koncepti artificial i ilirizmit, po ashtu është edhe përjashtimi i dhunshëm i mbretërisë së Maqedonisë nga familja ilire, ku ajo e ka vendin. Madje historiografia institucionale e Tiranës, në ribotimin e “Historisë së Popullit Shqiptar” të viteve 2020-2007, shkon aq larg saqë gjithë helenizmin ia atribuon Greqisë, ndonëse ajo është e lidhur me kompleksitetin e botës pellazge-ilire.
Pyetje. Ju vazhdimisht si referencë historike për Kosovën e keni Dardaninë. Megjithatë janë hapur edhe diskutime që emërtimi Kosovë, e me të edhe ai i shtetit të Kosovës, të kthehet në Dardani! Sa është kjo e mundur?
J. Buxhovi: Referenca DARDANI është kategori historike dhe e pashmangshme. Mbretëria e Dardanisë është mbretëria qendrore e botës pellazge-ilire, që ka përcaktuar thuajse të gjitha zhvillimet, nga ato kulturore dhe shoqërore-politike, në hapësirën euro-aziatike. Bashkë me Maqedoninë dhe Epirin, ato paraqesin trinomin e mbretërive ilire në antikitet të ndërtuara mbi konceptin mbretëri-fise. Tri këto mbretëri kanë qenë ndër më të rëndësishmet e kohës. Sidomos Dardania, e cila, krahas asaj maqedone (nga koha e Aleksandrit të Madh që me helenizmin ngrihet në perandori botërore), do të vazhdojë të mbetet edhe në strukturat e Romës dhe të Bizantit, si provinca më e rëndësishme e asaj që quhet “Iliri propria”, ku ka themelet e Bizanti. Kjo dëshmohet më së miri edhe me perandorët bizantinë nga kjo pjesë e Ilirikut, siç ishin Diokleciani, Konstandini i Madh, që zyrtarizoi krishterimin si dhe Justiniani, i cili në Justiniana Prima vendosi vikariatin të lidhur me Romën. Emërtimi Kosovë, është i vonshëm, nga shekulli XIX. U fut në binarët politik me ndihmën e
Rusisë, e cila kërkoi që njëri ndër vilajetet kryesore të pjesës evropiane të Perandorisë Osmane, në përputhje me reformat e Tanzimatit, të emërtohet Kosovë, duke e ndërlidhur atë me projektet hegjemoniste serbe si mit për t’ia krijuar shtetit autonom serb platformën etnike që nuk e kishte. Por, edhe nga ky aspekt, vilajeti i Kosovës, si më i madhi territorialisht, si më i rëndësishmi politikisht (meqë aty u themelua Lëvizja Shqiptare e Prizrenit), në aspektin shoqëror dhe politik të kohës, është thuajse kompatabil me atë të Dardanisë antike. Dhe jo rastësisht, Shkupi shfaqet si kryeqendër e këtij vilajeti, siç ishte edhe Scupi kryeqendër e Dardanisë antike. Por, ndryshimi i emërtimit nga Kosova në Dardani me arsyetime se ky është emërtim sllav, e të ngjashme, nuk ka bazë historiografike, meqë emërtimi Kosovë, ende është i paqartë dhe etimologjikisht, më së paku me origjinë sllave. Sidoqoftë, shteti i Kosovës, nuk mund të vendos njëanshëm për ndryshimin e emërtimit, meqë kjo kërkon mbështetje kushtetuese (referendum), që për rrethanat është i pamundur por edhe politikisht i papranueshëm për faktorin ndërkombëtar. Kjo, megjithatë, nuk e përjashton mundësinë që historianët ta trajtojnë ashtu si është në kuptimin historik, sidomos që Kosovës t’i hiqen klishetë që ia ka vendosur historiografia hegjemoniste serbe si “qendër të shtetit mesjetar serb” e të ngjashme. Po qe se historiografia jonë e interpreton mesjetën si duhet dhe rolin e principatave dhe feudeve në fazën e shpërbërjes së Bizantit (shekujt XI-XIV), duke përfshirë edhe atë të Rashës dhe të Nemanjajve në të si pjesë e saj, siç ka qenë në të vërtetë, atëherë rikthimi i emërtimit Dardani është vetëm çështje formale dhe i pashmangshëm. Por, po përsëris, para se këtë ta bëjë politika, i takon historiografisë që këtë ta argumentojë me fakte në mënyrë që ta nxjerr nga përvetësimi serb…
Pyetje: Ju keni thënë, që nga fillimi, se po e shkruani Historinë e Kosovës dhe se ketë e bëni nga përgjegjësia shkencore jashtë çdo ndihme nga shteti, dhe se Historia e Kosovës mund të shkruhet edhe nga historianët e pavarur, që nuk janë pjesë e historisë institucionale. Me gjithë atë, ka vite e vite që Instituti i Historisë së Kosovës flet për një histori të Kosovës. Është premtuar madje se do të dalë në vitin e kaluar, por nuk doli. Si e shihni ju gjithë kët, kur ata që paguhen mirë e mirë dhe kanë për detyrë të shkruajnë historinë e Kosovës, por vetëm flasin, ndërsa Serbia shkruan libra e libra me të njëjtin avaz dhe i shpërndanë nëpër botë, ndërkohë që si kundërpërgjigje kësaj propagande i qëndron e vetmuar “Kosovën” në tetë vëllime, që tashmë, e përkthyer në anglisht, pranohet në SHBA dhe shumë vende të botës, por edhe në rajon (në Turqi, Kroaci, Slloven dhe disa vende të tjera)?
J. Buxhovi: Siç e thashë, shteti i Kosovës duhet ta ketë historinë e vet, meqë pa të mbetet shtëpi pa themel. Në Deklaratën e Pavarësisë, për arsye të njohura, është përjashtuar historia. Por, kjo nuk do të thotë se historianët duhet të ndjekin diktatin dhe interesat politike. Përkundrazi. Kjo edhe më ka motivuar që të punoj në projektin tim për historinë e Kosovës në tetë vëllime, që mori formën përfundimtare me botin “Kosova histori e shkurtër”, pasi që, tri nga vëllimet e saj, në vitin 2014 u përkthyen në anglisht dhe, falë angazhimit të botuesit amerikan “Jalifat Publishing”, u futën në institucionet hulumtuese-shkencore dhe universitetet amerikane si literaturë për Europën Juglindore. Instituti i Historisë së Kosovës, me dhjetëra bashkëpunëtorë shkencorë, prej vitesh flet për shkrimin e një Historie të Kosovës, ku marrin pjesë shumë autorë (rreth 70) nga “bota shkencore shqiptare”!
Pra, fjala është për një histori kolektive, ideologjike, të kohëve të kaluara, me shumë autorë, që bazuar nga librat e disa autorëve që përmenden, e që nuk tejkalojnë kornizat ideologjike dhe ato të limiteve nga historiografia serbe, në mund të jetë një gulash pikëpamjesh dhe hiq më shumë! Madje, ne mund të presim vetëm verifikimin e qëndrimeve të historiografisë hegjemoniste serbe, po qe se Mesjeta do të trajtohet, si deri tash, sipas kutit serb, pra që Rasha dhe Nemanjajt të shihen si themel i tyre dhe jo si pjesë e historisë dardane-ilire, siç thonë burimet meritore bizantine dhe ato nga Vatikani. Sidoqoftë, jam kureshtar se çfarë do të sjell kjo histori prej shumë autorësh dhe sa do t’ia dalë që të futet në konkurrencë ndërkombëtare me literaturën serbe dhe të ngjashme, që tashme kanë mbushur raftet e bibliotekave dhe instituteve botërore?
Pyetje:”Kosova- histori e shkurtër”, që doli këto ditë nga shtypi, sipas jush, është edhe meritë e madhe e poetit, eseistit, gazetarit dhe mikut tuaj të çmueshëm, Ramadan Musliut-Danit, i cili ishte redaktor i “Kosovës” në tetë vëllime. Dani ngulmoi që vepra e juaj voluminoze “të rrudhej” në një vëllim të vetëm.
J. Buxhovi: E kam thënë dhe po e përsëris se Ramadan Musliu, miku dhe intelektuali i madh, që vdiq para pak kohësh, ishte jo vetëm redaktor i “Kosovës” në tetë vëllime, por edhe “kumbar” i “Kosovës – histori e shkurtër”, për të cilën ai u angazhuar aq shumë që të fitojë formën që ka si botim. Madje, Dani, ngutej. Kërkonte që libri-sintezë të dilte sa më parë, ngaqë ajo nga aspekti pragmatik, plotësonte një kërkesë të kohës, që do t’u shërbente studiuesve, studentëve dhe profesorëve.
Pyetje: Çka pas ”Kosova – histori e shkurtër”?
J. Buxhovi: do të vazhdoj me librin për mbretërinë e Epirit, meqë ajo, me Maqedoninë dhe Dardaninë, tashmë të botuara, plotëson konceptin e trinomit të mbretërive ilire në antikitet, të cilat edhe nga pikëpamja etnike paraqesin vazhdimësinë e shqiptarëve nga antikiteti, mesjeta e deri te koha e jonë në përmasat thuajse të njëjta, ndërkohë që mbretëritë tjera në Ilirik në Dalmaci janë asimiluar. Krahas kësaj, do të vazhdoj edhe me shkrimin e prozës. Sepse, për mua, letërsia dhe historiografia janë të pandashme. Ato plotësojnë njëra-tjetrën. / KultPlus.com