14 Tetor, 2021 - 10:29 am
“Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë. Asht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhânti… âsht giuha shqype”.
I rreshtuar përkrah Fishtës e Harapit, françeskani Shtjefën Gjeçovi është figura më e lartë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, i cili u dallua në veçanti në sferën e zbulimit dhe promovimit të traditave tona etnokulturore, shkruan gazeta Flatra, transmeton KultPlus.
U lind në Janjevë ndërsa u shkollua në kolegjin Françeskan të Troshanit, e më pas studio Teologji në Bosnjë. Krijimtaria e tij karakterizohet nga mbledhja e këngëve, përrallave, miteve, dokeve e zakone popullore e mbi të gjitha, atë që do ta bënte të pavdekshëm, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, monument i gjuhës e i kulturës sonë, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i Shkencave in Honoris Causa”.
Disa nga veprat tjera të njohura të Gjeçovit janë: “Dashnia e atdheut”, “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, “Trashëgime trako-ilire” dhe shumë artikuj e studime etnologjike e arkeologjike, të cilat u botuan në organe të ndryshme të shtypit të kohës, sidomos në revistën “Albania” të F. Konicës. Ai la shumë vepra në dorëshkrim, si “Shqiptari ngadhnjyes”, “Princi i Dibrave”, “Mojsi Golemi”, “Mnera e Prezës”, “Përkrenarja e Skënderbeut” etj.
91 vjet më parë At Shtjefën Gjeçovi u ekzekutua me urdhër të komandantit të xhandarmërisë serbe, duke lënë pas vepra dhe krijime të rralla, që ngritën në një nivel tjetër kulturën dhe historinë shqiptare.
Ishte dhe mbetet intelektuali dhe pishtari i ndriçimit të historisë dhe kombit shqiptar./ KultPlus.com