14 Qershor, 2018 - 1:01 pm
Apostol Nasi një personazh i njohur i letrave dhe mendimit shqip është shuar në moshën 77 vjeçare. Autor i disa librave, Nasi ka një kontribut dhe në fushën e botimeve si themeluesi i shtëpisë Botuese “Elite”, e cila për një hark kohor solli në gjuhën shqipe autor të rëndësishëm nga letërsia botërore.
I lindur më vitin 1941, ai mbaroi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Tiranës ku u diplomua si jurist. Gjatë karrierës së tij ka kryer detyra të ndryshme shtetërore dhe është marrë me studime shkencore në profilin e punës së tij.
Ka drejtuar organe të ndryshme shtypi dhe është marrë me botime politiko-shoqërorë. Ka qenë Pedagog dhe Shef Katedre në profilin e tij të punës. Në vitin 1994 është pranuar anëtar i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Por pasioni i Nasi ishte letërsia. Ai është autor i një sërë vëllimesh me tregime, e novela apo romane si “Ema me sy të kaltër”, “Edlira”, “Kërkohet një aktore”, “Kreshnikasit” , “Doriana”. Nasi ka një kontribut edhe në kinematografi si autor i disa skenarëve. Në kohë e periudha të ndryshme është marrë edhe me publicistikë.
Gjatë periudhës së tranzicionit të shoqërisë shqiptare, ka botuar neper gazeta të ndryshme mjaft artikuj problematike, ku mund të përmenden: Përballë plagës së emigrimit, Persë s’do të na falin brezat, Çështja shqiptare – çështje e të gjithë shqiptarëve, Ngjyrimet e shoqërisë shqiptare, Shqiptarët ashtu siç janë në të vërtetë, etj. Romani i tij i fundit me titull Refuzoj të Kërcej ka qenë ndër librat Bestsellers në vitin 2003. Nasi do të kujtohet për kontributin e dhënë në historinë e prozës shqipe./ Gazetashqip