Shumë organizime në ditën e parafundit të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

29 Gusht, 2019 - 1:00 pm

Bujar Meholli

Edicioni i 38-të i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka qenë mjaft i pasur, me shumë studiues nga mbarë bota që kanë zbarkuar në Prishtinë, me shumë kumtesa të rëndësishme që janë paraqitur para studiuesve dhe studentëve, dhe dashamirësve të kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Dita e parafundit e Seminarit u hap me mbajtjen e sesioneve nga letërsia, gjuhësia dhe kulturologjia. Në seancën e parë të sesionit shkencor të letërsisë u paraqitën Kujtim Shala me “Vetja tjetër”, Lili Sula me “E vërtetdukshmja e ëndrrës kadareane”, Vjollca Osja me “Ëndrra, ëndërrimi, dhe ligjërimi onirik si prosede krijuese”, Anton Berishaj me “Poetika e ëndërrimit dhe e ëndrrës — Martin Camaj dhe Anton Pashku” si dhe Edlira Tonuzi me “Lojë” andrrimesh në katër modele (Mjedja, Koliqi, Camaj, Zorba).

Kurse në seancën e dytë, që do të nis nga ora 16:00 do të paraqiten Eljon Doçe, Afrim Rexhepi, Jolanda Lila, Drita Isufaj, e Viola Isufaj. Në anën tjetër, Rrahman Paçarizi, Julie Kolgjini, Kledi Shegani, e Hysnie Haxhillari, u paraqitën në seancën e parë të sesionit shkencor të gjuhësisë, derisa në seancën e dytë Imri Badallaj shpjegoi strukturën dialektore të shqipes së sotme.

Lindita Sejdiu-Rugova, paraqiti para audiencës “Klauzat e nënrenditura të shqipes”. Edhe nga sesioni shkencor i kulturologjisë pati trajtesa të rëndësishme. U fol për gazetarinë në përgjithësi, me Mark Markun që trajtoi “Gazetarinë shqiptare në epokën e vetëkomunikimit”, pastaj u paraqit Ledia Kazazi, Arben Muka, Haqif Mulliqi e Dren Gërguri në seancën e parë. Seanca e dytë në këtë sesion mbahet me fillim nga ora 16:00 ku do të paraqiten Alfred Halilaj me “Fjala, rrjetet sociale dhe politika”, Eva Londo, Festim Rizanaj, Klodiana Toptani, Andrea Hrstić, e pjesëmarrës të tjerë. Paraqitjet nga ky sesion do të vazhdojnë edhe nesër.

Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është ngjarja më e madhe kulturore në vend. Gjatë këtij edicioni ishin të pranishëm mbi 100 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, të cilët mbajtën kurse të gjuhës shqipe. Seminarit i 38-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do t’i përmbyll punimet nesër. /KultPlus.com

Të ngjajshme