Si një pikturë e Magritit

30 Maj, 2020 - 11:32 pm

Tregim nga Nerimane Kamberi

Po më ndjek, i tmerrshëm, gjigant, përbindëshi që ishte fshehur në një qosh, e tash po më vjen pas, nuk po guxoj ta kthej krytë, as të ndalem, po vrapoj, po vrapoj, nuk po mundem më me marrë frymë.

“Mirëmëngjes, mirë se erdhët në këtë seancë meditimi, merrni frymë thellë”, më thotë me atë zërin sensual profesori im virtual i jogës, modë apo nevojë do të më thoshte shoqja ime e fëmijërisë, “merrni frymë me hundë e nxjerreni me gojë”, vazhdon ai të cilin po dua ta imagjinoj të pashëm që të më bindë vërtet që të vazhdoj ta kërkoj paqen time të brendshme.

Përbindëshi me njëqind koka apo ndoshta një kokë me njëqind gunga, antena, vazhdon të më përcjellë, unë vrapoj në rrugët e qytetit të zbrazët, si një pikturë e Magritit, pa asnjë njeri,. …” e aty si fantazmë, me del përpara poeti belg i fundshekulli XIX Verhaeren, me maskë, e më reciton vargje nga ‘Qytetet tentakulare”, përbindëshi zgjatë tentakulat e tij, që të më kapë, unë po iki, më shpejt, më shpejt, zemra do me më dalë prej vendit, marathon woman, e ja në ballkonet e shtëpive të tyre, qytetarët po duartokasin, për vrapimin tim në Perandorinë e Dritave, nuk po mundem me marrë frymë,  

“Çu, çu, je tu pa ëndërr ! », e unë nuk po mundem ta kthej frymën në ritmin e saj normal, po çka mbeti normal se, « ishte ëndërr, vetëm një ënderr e keqe, » them vetë me vete. 

« Çka mendon ti, nga cili kufi të vij, dua ta blej biletën? » më pyet motra në telefon. Ende nuk po mundem të kthjellem, po marr frymë si ato balenat e lumtura që ju kthye qetësia oqeanave, kur u ndalen anijet e mëdha së lundruari,  « nga cili kufi ? pse, a u hapën kufijtë ? unë as kufirin nga katundi në qytet ende s’e kam kalu «  i përgjigjem.  « Nuk po të dëgjoj mirë se këtu po murmuron, po bie shi si sigjim, vazhdoj unë, e ajo më thotë « këtu dielli e ka tha barin, sa u ktheva prej parkut, pleq, fëmijë, plot, çka po thua, si të vijë, po shtrejtohen biletat… »

« Po pse nuk po vjen me tren, i them me gjysëm shaka,  e më del përpara pamja surrealiste e një stacion të trenit të zbrazët, motra me fustan të bardhë, të lehtë, veror,  « Nuk po të  kuptoj, vazhdon ajo, mos po flet jerem,  mos ke pa ëndërr, mos ke ethe ? ….  Ika, t’i përgatis fëmijët për shkollë… » e përfundon ajo bisedën.

U hapen shkollat ? Dolën pleqtë në park? U hapen kufinjtë? përsëris si e dehur nëpër shpi, “kthjellu, ishte veç një ëndërr e keqe.” E ethet? /KultPlus.com

Të ngjajshme