1 Shkurt, 2024 - 12:50 pm
Me pjesëmarrjen e studentëve të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, të nxënësve të gjimnazit “Mehmet Akif”, të nxënësve të Shkollës Ekonomike dhe të lexuesve të Bibliotekës Komunale “Ibrahim Rugova”, dje PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, mbajti takimin e radhës me ç’rast u debatua për dy tema.
Tema e parë ishte “Si shkruhet proza”, kumtesë e paraqitur nga shkrimtari Binak Kelmendi dhe tema e dytë “Botimi dhe promovimi i librit”, kumtesë e paraqitur nga poeti Engjëll I. Berisha.
Përbrenda një ambienti të bukur, në Bibliotekën Komunale “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, u bisedua dhe u dëgjuan edhe fjalët e talenteve, të krijuesve të rinj, të shkrimtarëve të ardhshëm që do të pasurojnë më tej artin letrar.
Libri dhe arsimimi në gjuhën shqipe kaloi nëpër procese ndëshkuese deri në vitet 1940, kur krijohet hapësirë e re sociale dhe kulturore edhe në Kosovë, tha shkrimtari Ibrahim Berisha në hapje të takimit me krijuesit e rinj në Gjakovë, duke shtuar se Shtëpia Botuese “Mustafa Bakija”, në Prishtinë, e themeluar më 1950, ishte e para që ofroi libra shqip të botuar në Kosovë, kryesisht të përkthyer.
“E vërteta, fati i librit ishte edhe fati i vetë pozitës politike të shqiptarëve. Edhe shkrimi i prozës, tregimit së pari, kryesisht në revista, shpreh transformimin kulturor të komunikimit, nga ai kryesisht verbal që zotëronte hapësirën publike, me shkrim. Prozatorët me tema dhe stile të ndryshme krijuan fondin letrar, me përmbajtje vlerash të qëndrueshme, leximi i të cilave tregon atë që nuk mund ta themi dhe ta gjejmë askund tjetër. Mendoj në shkrimet shkencore”, tha profesor Berisha.
Më tutje, profesor Berisha, bëri me dije se për çështjet se si shkruhet proza, tregimi, romani, do të flasë më konkretisht prozatori, shkrimtari dhe përkthyesi, kryesisht nga frëngjishtja, Binak Kelmendi. Ndërsa, për librin në proces, nga shkrimi deri tek promovimi, përvojën e tij krijuese do ta shpalosë, poeti Engjëll I. Berisha,
Duke u ndërlidhur me projektin e prezantuar para pjesëmarrësve, poeti dhe studiuesi Sali Bashota, i përmendi disa nga përparësitë e këtij projekti, me qëllim të motivimit të gjeneratave të reja që të merren me krijimtari letrare, duke u mbështetur edhe në përvojën e shkrimtarëve të njohur të cilët i kanë sjell vlera të rëndësishme letërsisë shqipe.
“Përvoja e shkrimtarëve dhe përkrahja e talenteve të reja janë mjaft të rëndësishme për të arritur qëllimin e këtij projekti edhe në fushën e botimeve. Qëllimi i këtij projekti është nxitja për të lexuar e shkruar, përkrahja për të botuar dhe zbulimi i talenteve të reja”, tha në fund Bashota.
Në vazhdim, shkrimtari Binak Kelmendi, ndër të tjera, tha se nuk është edhe shumë teorik dhe se nuk ka shumë ide për rregullat si shkruhet ose si duhet shkruar romani, tregimi, proza ose dhe poezia.
“Unë mendoj, dhe mbetem gjithnjë pas këtij mendimi, se shkrimi, qoftë ai roman, tregim a poezi, shkruhet çdo ditë nga njerëzit. Me jetën e tyre që e bëjnë në mënyra shumë të ndryshme. Qofshin ata të njohur a të panjohur. Ndërsa, po deshe që romanin a një gjini tjetër letrare për jetën, ta lexojnë të tjerët, ti duhet ta shndërrosh atë nga fjalët në shkronja ose nga zërat në shenja. Prandaj botohet libri. Për lexuesin në radhë të parë. Sepse autori vdes një ditë”, tha Binaku i cili në vijim konstatoi se procesi i shkrimit letrar, sidomos ai i romanit, është një proces që zgjat e zgjat te secili autor.
“Të paktën unë, i shtoj dhe i heq shumë gjëra, nis një kapitull që mendoj se është kapitulli i parë dhe s’ka lidhje që ky pastaj mund të dalë kapitull i shtatë apo i tetë ose krejtësisht ndonjë numër tjetër. Pastaj nis ta gdhend një personazh dhe ai shpesh bëhet kryepersonazh.”
Shkrimtari Binak Kelmendi, i përmendi edhe disa nga veprat e tij në prozë: “Vezët e Vdekjes”, “Guri i Vashës”, “Portat e Pejës”, “Rruga 66” e deri te romani i tij më i ri “Dedë Demë Boga”, duke i karakterizuar disa nga veçoritë kryesore të romanit, me përqendrim te procesi krijues, pastaj tema, motivi, personazhi etj.
Duke folur për temën ”Botimi dhe promovimi i librit”, poeti Engjëll I. Berisha, i cili njëherësh është edhe drejtor i Bibliotekës Komunale “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, përmendi shumë faktorë që ndërlidhen me botimin dhe me promovimin e librit.
Berisha theksoi se edhe pse po jetojmë në epokën e digjitalizimit, jetës virtuale apo elektronike, çdo gjë rreth vlerës së një libri detyrohet të jetë e njëjtë. Më tutje, ai u përqendrua te fenomeni si shkruhet një libër, cili është preokupimi i autorit, kompetenca e shtëpisë botuese, pastaj roli i redaktorit, recensentit, lektorit, korrektorit, disenjatorit dhe deri te dallimi midis librit të shtypur dhe librit elektronik, regjistrimi dhe ruajtja e librit, formatet e tij. etj. Berisha ofroi informacione të rëndësishme dhe mori shembuj të shumtë për të argumentuar praktikat e botimit të librave nëpër periudha të caktuara të zhvillimit të shoqërisë njerëzore.
Gjithashtu, Berisha diskutoi edhe për lexueshmërinë, pastaj për promovimin dhe për informacionin për daljen e librit si dhe mendimi kritik për të.
Në bashkëbisedim morën pjesë edhe krijues të rinj: Orest Kryeziu, Koshare Murselaj, Olti Deva që treguan preokupimet e veta letrare dhe pikëpamjet e tyre për krijimtarinë letrare, ndërsa mësimdhënësja e gjuhës shqipe, Hyrë Fazlija, diskutoi për rëndësinë e leximit, por edhe për preokupimin e atyre që shkruajnë poezi, duke përmendur shembullin personal.
Në fund të takimit, anëtarët e PEN Qendrës së Kosovës dhuruan veprat e tyre si dhe botime të tjera për të gjithë pjesëmarrësit.
Projektin “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com