7 Qershor, 2024 - 9:59 am
Kur Tropiku i Gaforres u botua në shtator 1934, Henri Mileri ishte dyzet e tre vjeç dhe një shkrimtar krejtësisht i panjohur. Ai shkruante që prej njëzet vjetësh, por dorëshkrimet ishin mbledhur grumbull në sirtarët e tij. “Ngushëllimi im i vetëm ishin Servantesi, Zhan-Zhak Rusoi dhe Marsel Prusti, që nuk ishin më të rinj kur kishin botuar.”
Lindur në Nju-Jork, ai ishte rritur në një mjedis të varfër dhe dëshira e tij e vetme, që në fëmijëri, ishte të bëhej artist. Ai nuk kishte mendime të qarta dhe provoi pa sukses për vite të tëra – pa formim dhe studim, si autodidakt i përsosur – forma të ndryshme artistike dhe mundësi shprehjeje. Mbijetoi me zanate të vogla të rastit, si shërbyes hoteli apo telegrafist. Pikturonte dhe shkruante vjersha, që ua shiste kalimtarëve në rrugë. Më 1930, arriti në Paris.
“Nuk kam para, nuk kam strehë, nuk kam përvojë. Jam njeriu më i lumtur i botës.” Në brigjet e Senës, Mileri bëri me të vërtetë jetën e një të vdekuri nga uria: ai lypte, nuk e dinte kurrë se kur do të hante sërish. Pa banesë, pa adresë, flinte tek të njohurit thjesht mbi një dyshek; ditën endej në qytet si një i pastrehë, duke vjedhur bakshishet në tryezat e kafeneve. Dhe shkruante kudo që të shkonte, kudo që të ndodhej: në copëra letrash, në mbulesa librash, në fatura llogarish. Shumë shpejt u bë një fytyrë e njohur në baret dhe te fundërrinat e Monparnasit. Ky ishte “Henri, shkrimtari amerikan”. Ai përshkruante atë që shihte dhe atë që ndiente, si një njeri që jeton dhe mendon në kundërshtim me normat dhe rregullat shoqërore dhe që e konsideron veten njeri të dorës së dytë. Nga ato skica do të lindte një roman. “Universi im i njerëzve ishte zhdukur, isha tërësisht vetëm në botë, mik kisha vetëm rrugët dhe ato më flisnin në atë gjuhë të trishtuar dhe të hidhur që është bërë nga mjerimi njerëzor, nga malli, nga keqardhja, nga mohimi dhe nga vuajtja e humbur.”
Në Paris, Henri Mileri gjeti më në fund temën e vet të vërtetë e të madhe letrare: jetën e vet. Tropiku i Gaforres është kështu guri i parë i një autobiografie të përhershme, dhe të gjitha së bashku janë zbulimi i një identiteti artistik, për të cilin aty e tutje Mileri nuk do të dyshonte më. Autori e gjeti, në fillim, te seksualiteti burimin e pashtershëm të jetës së vërtetë; që në rini, vetë ai ishte një erotoman i shkallës së parë, njihte dashuri të shumta, u martua pesë herë. Në Paris, prostitutat e tërhiqnin dhe e mrekullonin, por ai do të takonte gjithashtu një grua, ndikimi i së cilës u bë vendimtar për karrierën e tij. Ai njohu Anais Ninin, gruan e pasur të një bankieri, që shkruante ditarin e saj dhe jetonte në mënyrë shumë të lirë. Kjo bukuri e lehtë u dashurua pas Milerit dhe lidhja e tyre do të përflakej shumë shpejt. Seksi dhe shkrimi bashkohen aty në mënyrë jashtëzakonisht krijuese. Anaisi e mbështeti nga ana financiare Henrin dhe e nxiti nga ana intelektuale, kur ky pushtohej shpesh nga dyshimi dhe pavendosmëria; dhe ishte gjithashtu Anaisi që bëri diçka të botueshme nga dorëshkrimi kaotik, duke shkurtuar gjysmën dhe duke ndrequr shumë dobësi stilistike. Ideja e titullit ishte një krijim i përbashkët i dy dashnorëve.
Pa Anais Ninin, ndoshta nuk do të kishte patur kurrë një Henri Miler shkrimtar.
Libri nuk pati sukses të menjëhershëm, megjithatë bëri zhurmë në botën e vogël letrare, duke e vendosur menjëherë autorin si shkrimtar. Autorë të shquar i kushtuan vëmendje, urimet për sukses dhe komentet nuk kurseheshin; në të njëjtën kohë, kundërshtimet e tërbuara të konservatorëve kundër “pornografit” Henri Miler vetëm e rrisnin namin e tij.
Mileri ia arriti qëllimit të ëndrrave të tij dhe asgjë nuk mund të kthehej prapa. Ai u zhyt i tëri në punë, shkroi libër pas libri. Shumë gjëra ngjajnë edhe sot jashtëzakonisht depërtuese në prozën e Milerit. Ajo që na duket sot shumë e lehtë, dikur për të, sidomos e thëna e gjithçkaje thjesht e pa frikë, ka qenë një stërmundim i vërtetë. /KultPlus.com