8 Janar, 2020 - 3:00 pm
(Letër drejtuar Albert Ainshtainit)
Si ta shmangim luftën?
Vienë, shtator 1932
I dashur zoti Ainshtain!
Kur dëgjova se Ju kishit dëshirën të shkëmbeni pikpamjet me mua mbi një temë, që është në interesin Tuaj dhe të të tjerëve, e miratova me gjithë vullnetin tim të plotë. Kam mendimin, se Ju keni zgjedhur një problem në kufijtë e dijes, ku secili prej nesh, si fizikanti, ashtu edhe psikologu të kishin startin e vet, e megjithëse vijnë nga drejtime të ndryshme, të mund të takohen në të njëjtin vend. Habitem me pyetjen që më bëni, se ç’mund të bëhet, për të ndaluar fatalitetin e luftës prej njerëzve. Por, e kuptoj që pyetjen ma bëni jo si shkencëtar apo fizikant, por si mik i njerëzimit, i cili ndjek shqetësimet e popujve, njësoj si dhe shkencëtari Fridtjof Nansen, që morri përsipër të ndihmonte të uriturit dhe viktimat e luftës botrore. Unë konstatova gjithashtu, që nuk po më kërkohet të bëj propozime praktike, por që të pohoj, se si paraqitet nën këndvështrimin psikologjik problemi i parandalimit të luftës. Në letrën Tuaj, Ju i keni thënë vetë të shumtat e përgjigjeve, pra m‘i keni marrë si të thuash erën e lundrimit varkes sime me vela, por mua më pëlqen të lundroj në ujrat Tuaja, dhe duke aprovuar çdo gjë që Ju parashtroni, më lejoni më tej të mjaftohem duke u zgjeruar pak, mbi bazën e më të mirës çka përmbledhin dijet apo hamendjet e mia. Ju filloni me raportin mes të drejtës dhe pushtetit. Kjo është padyshim piknisja më e mirë për hulumtimin tonë. Më lejoni që fjalën „pushtet“ ta zvendësoj me një fjalë më të çjerre e më të ashpër „dhunë“. E Drejta dhe Dhuna janë kundërshtitë tona të sotme. Është e lehtë të tregosh se njëra është zhvilluar nga tjetra, dhe nëse kthehemi në gjenezë, të shohim se si ka ndodhur së pari, atëherë problemi zgjidhet pa shumë mundim. Me ndjeni, kur të tregoj më poshtë gjëra të ditura dhe të njohura nga të gjithë, sikur të ishin të reja; por këtë do ta bej në dobi të përgjithësimit. Konfliktet e interesave ndërmjet njerëzve zgjidhen pergjithësisht nëpërmjet dhunës. Kështu është edhe në gjithe botën e kafshëve, nga e cila njeriu duhej të ishte i përjashtuar; për njeriun janë të pranishme edhe konflikte mendimesh, të cilat arrijnë deri tek lartësia më e epërme e abstraksionit, dhe kërkojnë një teknikë tjetër të zgjidhjes. Por ky është një komplikim i shfaqur më vonë. Fillimisht, në një turmë e vogël njerëzish, vendoste forca e muskulit më të fortë, se kujt i përkiste diçka, apo, vullneti i cilit do të zbatohej. Forca e muskujve u përforcua dhe u zvendësua më vonë me përdorimin e veglave; fitonte kush kishte armët më të mira, ose kush i përdorte si duhej. Me shfaqjen e armës, superioriteti shpirtëror filloi të mpakë vëndin e forcës së muskujve; Qëllimi përfundimtar i luftës qëndron i njëjtë, njëra palë duhet të detyrohet përmes dëmtimit dhe paralizimit të forcës së saj, të jepet me gjithë pretendimet dhe kundërshtitë. Kjo mbrrihet thellësisht, kur dhuna që vjen nga kundërshtari eleminohet sistematikisht, pra vdes. Kjo ishte gjëndja fillestare. Ne e dimë, ky rregjim ka ndryshuar në përshtatje me zhvillimin, e do të ketë një rrugë, që të çon nga Dhuna tek e Drejta, por cila? Ka vetëm një, mendoj unë. Që fuqia më e madhe e një individi të fortë, të mund të eleminohet nga bashkimi i shumë të dobëtve. „Bashkimi bën fuqinë.“ Pushteti i këtij bashkimi pasqyron të Drejtën, në kundërshtim me Dhunën që vjen nga individi. Por që të bëhet kapërximi nga Dhuna tek e Drejta, duhet plotësuar një kusht psikologjik. Bashkimi i shumicës duhet të jetë i qëndrueshëm dhe jetëgjatë. Vetëm në se ky bashkim do të realizonte qëllimin e tij, pra luftimin dhe mposhtjen e një të plotpushtetshmi, dhe pastaj të shpërbëhej, kështu prapë nuk do të mbërrihej asgjë. Dikush tjetër, që do të mbahej përsëri për i fortë, do të synonte përsëri sundimin me dhunë, dhe loja do të përsëritëj pafundësisht. Bashkësia duhet të funksinojë dhe organizohet në mënyrë permanente. Në njohjen e një bashkimi të tillë interesash, janë shumë të rëndësishme lidhja e ndjenjave për anëtarët, ndjenjat e grupit, në të cilat mbështetet në të vërtetë fuqia e tij.
Kjo mendoj unë është thelbësorja: Mposhtja e dhunës, nëpërmjet kalimit të pushtetit tek një bashkësi e madhe, antarët e së cilës qëndrojnë të bashkuar në bazë të lidhjes së ndjenjave. Por një gjëndje paqeje mund të mendohet vetëm në mënyrë teorike, në të vërtetë gjendja komplikohet kur mendojmë se bashkësia ka anëtarë me elementë të pabarabartë pushteti; Burrat dhe gratë, prindërit dhe fëmijë, zotërit dhe shërbyesit…E drejta e bashkësisë përsëri do të çojë në shprehjen e shpërndarjes së pabarabartë të pushtetit, pasi ligjet do të dalin për, dhe prej sunduesve, të cilët do t‘u japin shumë pak të drejta atyre që kanë nën vete. Ka edhe një burim tjetër të tjetërsimit të së Drejtës në mënyrë paqësore, ky është transformimi kulturor i anëtarëve të bashkësisë, që do ta shpjegoj më poshtë. Pra siç shihet, është e pamundur të shmanget dhuna që sjell konflikti i interesave brënda vetë bashkësisë. Historia na tregon se një numër i madh konfliktesh mes një bashkësie dhe një tjetre, mes komunitetesh të vogla e të mëdha, qytetesh, fshatrash, fisesh, popujsh, perandorish, zgjidhen pothuajse gjithmonë mes forcës së luftës. Disa nga këto luftra sjellin pasoja të dëmshme të pushtimit, si në rastin e mongolëve dhe turqve, dhe disa të tjera nuk duhet të paragjykohen në mënyrë të njëanshme, pasi sjellin kontributin e tyre në transforminin e Dhunës tek e Drejta. Si në rastin e pushtimeve romake të vendeve të mesdheut, dhe krijimi i të shumëduhurës „pax- romana“. Sado paradoks të tingëllojë, duhet pranuar se lufta nuk është mjet i panevojshëm për prodhimin e te ashtuquajturës „paqe e përhershme“, pasi përmes krijimit të uniteteve të mëdha, dhe qëndërzimit e fuqizimit në to të dhunës, është në gjendje të bëjë të pamundur organizimin e luftrave të tjera. Por zakonisht sukseset e pushtimeve nuk zgjasin shumë, dhe këto unitete shkërmoqen përsëri. Nga e tashmja jonë vjen rezultati i njëjtë me atë çka Ju keni përmendur. Një eleminim i sigurt i luftrave është i mundur, nëse njerzit bashkohen për ushtrimin e një dhune të qëndërzuar, e cila do ti drejtohet përballimit të të gjitha konflikteve të interesave. Në këtë pikë bashkohen dy kërkesa: Krijimi i një instance superiore dhe paisja e saj me pushtetin e nevojshëm. Plotësimi vetëm i njërës nuk mjafton. Nëse mendohet, se një instancë e tillë mund të ishte një konfederatë e popujve, nuk plotësohet kushti tjetër, pasi asaj i mungon pushteti i kërkuar. Këtë pushtet ajo mund ta ketë, nëse anëtarët e ketij bashkimi të ri, i tjetërsojnë shtetet e tyre në funksion të këtij bashkimi. Për momentin ka pak gjasa të realizohet. Ne kemi dëgjuar, se çfarë e mban të lidhur një bashkim njerëzish; janë dy gjëra: Detyrimi përmes dhunës dhe ndjenjat e përbashkëta (identifikimet, siç quhen në mënyrë teknike) të anëtarëve të saj. Nëse një prej këtyre elementëve bie poshtë, bashkësia edhe mund të qëndrojë në sajë të tjetrit. Idetë marrin kuptim, nëse ato shprehin përbashkësitë më të qënësishme të anëtarëve të grupit. Lind pyetja, se sa të fuqishme janë idetë. Historia na mëson, që ato kanë ushtruar në të vërtetë ndikimin e tyre, përshembull ideja panhelenike: vetëdija se janë më të mirë se barbarët fqinjë. Është gjithashtu e qartë, se idealet sunduese nacionale i shtyjnë popujt drejt ndikimeve të kundërta.
Ka edhe persona, që parashikojnë, se detyrimi mbi bazën e të menduarit bolshevik, do të mund t‘u japë fund luftrave. Por sot ne jemi shumë larg realizimit të këtij qëllimi, për të mos thënë, se në këtë mënyrë, mund të mbërrihej vetëm mbas një lufte të tmerrshme civile. Pra, siç shihet, përpjekja për të zvendësuar Dhunën përmes pushtetit të ideve, është një gabim i madh, sidomos kur harrohet se e Drejta në origjinën e saj ka qënë Dhunë e hapur, dhe ende sot nuk i mungon mbrojtja përmës dhunës. Ju çuditeni, se si është aq e lehtë të motivohen njerëzit për luftë, dhe hamendësoni për ndikimin e instikteve të urrejtjes dhe asgjesimit. Keni të drejtë. Ne besojmë në ekzistencën e këtyre instikteve, dhe këto vitet e fundit jemi përpjekur të studiojmë shfaqjen e tyre të jashtme. Ne mendojmë, se instiktet e njeriut janë dyllojesh; ose mbrojtëse dhe që tentojnë shkrirjen e bashkimin, pra erotike dhe sexuale, ose që duan të shkatërrojnë dhe të vrasin, që ne i quajme instikte të agresionit dhe destruktive. Pra është në fakt, siç e shihni, një lloj shndërrimi teorik i kundërshtisë së përbotshme të dashurisë dhe urrejtjes. Nëse më lejoni të sqaroj më tej, do të dëgjoni, se veprimet e njeriut njohin edhe komplikime të llojeve të tjera. Krejt rrallë qëllon që kjo veprimtari të jetë pasojë vetëm e aktivizimit të një instikti të vetëm, si rregull duhet të takohen në të njëjtën mënyrë shumë motive, për ta mundësuar këtë veprimtari. Një shkencetar i fushës suaj, Profesor G. Ch. Lichtenberg, i cili në kohën e klasikëve tanë, shpjegonte Fizikë në Gëtingen, e ka ditur këtë; ndoshta ai kishte më shumë kuptim si psikolog, se sa si fizikant. Ai shpiku teorine e tij të motiveve, në të cilën thuhej:“Arsyet e levizjeve, prej të cilave diçka mund të arrihet duhet të orientohen si 32 erëra, dhe emërtimet e tyre të formohen simbas një lloji të ngjashëm p. sh: Bukë- Bukë- Lavdi, ose Lavdi- Lavdi- Bukë.“
Nëse njerëzve u kërkohet të luftojnë, ata dëshirojnë t`u përgjigjen pozitivisht një numëri të madh motivesh brënda tyre. Dëshira për agresion dhe destruksion është patjetër brënda tyre; një numur i madh mizorish të historisë dhe të përditshmes e pohojnë ekzistencën dhe fuqinë e tyre. Lidhja e ambicieve destruktive me të tjera, erotike dhe ideore, lehtëson natyrisht shpërbërjen e këtyre të parave. Ndonjëherë, kur dëgjojmë tmerret e historisë, kemi përshtypjen se motivet ideore kanë shërbyer vetëm si justifikim i kënaqësive destruktive. Herë të tjera, p. sh. tek mizoritë e inkuizicionit, ne mendojmë se motivet ideore kanë shtyrë përpara ndërgjegjen, duke i sjellë një fuqizim të pandërgjegjshëm destruktivitetit të tyre. Të dyja janë të mundura.
Kam dyshimin, se kam keqpërdorur interesimin Tuaj, duke Ju thënë, se parandalimi i luftës nuk ka vlerë për teoritë tona. Megjithatë dua të ndaloj paksa tek instikti ynë destruktiv, pëlqimi i të cilit nuk është apsolutisht në një hap me përmbajtjen e tij. Duke shpenzuar dhe spekulimet, ne vijmë në përfundimin, se ky instikt punon në brendësi të çdo qënieje të gjallë, dhe synon ta shbëjë atë në materie pa jetë. Prandaj e meriton emërtimin si instikt i vdekjes, ndërkohë që instiktet erotike përfaqësojnë tendencat e jetës.
Ndoshta keni përshtypjen se teoritë tona janë si të thuash një lloj mitologjie, e do të më vinte mirë për këtë. A nuk kanë startuar edhe shkencat natyrore nga një lloj mitologjie? Po në fizikën e sotme, a nuk është kështu? Nga sa u parashtrua, ne nxjerrim konkluzionet, që nuk ka perspektivë dëshira për të shbërë tendencat negative të njerëzve. Duhet të jetë një zonë e lumtur në këtë tokë, ku natyra i ka dhënë njeriut çdo gjë që ai dëshiron, ku fiset jetojnë në paqe, pa njohur detyrimin dhe agresionin. Është zor ta besosh, por unë do të doja shumë të dija për këta fatlumë. Edhe bolshevikët shpresojnë, se do të mund të zhdukin agresivitetin te njeriu, përmes plotësimit të nevojave materiale dhe krijimit të barazisë për të gjithë anëtarët e shoqërisë. Ky për mua është veçse një iluzion. Në të kundërt, ata nuk do të armatoseshin me aq kujdes me urrejtjen për pjesën tjetër të botës, që është jashtë tyre. Në teoritë tona mitologjike të instikteve, gjejmë lehtë një formulë për të luftuar luftën në mënyrë indirekte. Nëse gadishmëria për luftë është pasojë e instiktit destruktiv, atëherë është e nevojshme të thirret për tu aktivizuar kundërshtari i tij, instikti erotik. Gjithshka që prodhon bashkime ndjenjash tek njerzit, duhet ti shkojë kundër luftës. Këto bashkime duhet të jenë dy llojesh. Së pari, marrdhënie si me një objekt dashuror, ndoshta edhe pa qëllime seksuale. Psikanalizës nuk ka pse i vjen turp, nëse flet për dashurinë, pasi dhe religjionet të njëjtën gjë thonë: Duaj tjetrin, si veten tënde. Kjo është e lehtë për t’u thënë, dhe e vështirë për t’u përmbushur. Lloji tjetër i lidhjes së ndjesive është përmes identifikimit. Gjithë, çka krijon ngjashmëria më e kuptimtë mes njerëzve, shkakton të tilla ndjesi të përbashkëta, ose identifikime. Gjëndja ideale do të ishte natyrisht një bashkësi njerëzish, të cilët jetën e instikteve të tyre ja nënshtrojnë diktaturës së arsyes. Asgjë tjetër nuk do të mund të shkaktonte një bashkim të tillë njerëzish, plotësisht të aftë për qëndresë. Por në realitet kjo është një shpresë utopike. Rrugët e tjera të ndalimit indirekt të luftës janë më të kalueshme, por nuk premtojnë asnjë sukses të shpejtë. Siç e shihni, nuk sjell ndonjë gjë të madhe, nëse për zgjidhjen e një detyre urgjente e praktike kërkohet këshilla e teoricieneve, për të cilët bota është e huaj. Më mirë të përpiqesh, që pas çdo rasti të veçantë të ballafaqosh rrezikun me mjetet të cilat i ke në dorë. Unë do të doja t’i përgjigjesha edhe një pyetjeje, që ju nuk e bëni, por që unë e gjej me shumë interes. Pse rrebelohemi ne kaq shumë kundër luftës? Ju dhe unë, dhe shumë të tjerë, pse nuk e marrim atë si shumë domosdoshmëri të tjera të shpifura të jetës? Duket e argumentuar plotësisht sipas ligjësive të natyrës, nga ana biologjike, dhe nga ana praktike, është pothuajse e paeleminueshme. Mos u tmerroni nga pyetja ime. Për të realizuar qëllimin e një hulumtimi ndoshta lejohet të bësh truke të tilla, që në realitet nuk i plotëson. Përgjigjja do të ishte, sepse çdo njeri ka të drejtë mbi jetën e tij, sepse lufta mohon shpresat njerzore për jetë, individin e sjell në një gjëndjë të tillë, që e poshtëron, e detyron të vrasë të tjerë, çka ai nuk e dëshiron, të shkatërrojë vlera materiale dhe rezultate të punës njerzore. Gjithashtu, që lufta, në trajtat e saj aktuale, nuk jep më asnjë mundësi të përmbushen idealet e vjetra heroike, dhe që një luftë e ardhshme, mbi bazën e përsosjes së mjeteve të shkatërrimit, do t’i jepte kuptim asgjesimit të njërít ose dhe të dy kundërshtarëve. Kjo është e gjitha e vërtetë dhe duket e padyshueshme, dhe vetëm mund të çuditesh, nëse nisja e luftës ende nuk është refuzuar përmes marrëveshjeve gjithëpërfshirëse njerëzore. Mund të diskutohet veçan për secilën nga këto pika. Nuk mund të mallkohen të gjitha llojet e luftrave në të njëjtën masë; për sa kohë ka perandori dhe kombe, të cilët janë gati për të eleminuar të tjerë, këta të fundit duhet të jenë të armatosur.
Por ne duam t’i largohemi kësaj shumë shpejt, dhe nuk është ky diskutimi që ju kërkoni të bëni me mua. Unë po theksoj diçka tjetër; besoj se arsyeja kryesore, pse ne rrebelohemi kundër luftës, është, se nuk mund të bëjmë tjetër gjë. Ne jemi pacifistë, sepse kështu duhet të jemi prej arsyesh organike. E ndaj, e kemi të lehtë të justifikojmë pikpamjet tona përmes argumentave. Kjo është pak e vështirë të kuptohet pa u shpjeguar. Unë do ta sqaroja kështu: Qysh prej shumë kohësh njerëzimi i është nënshtruar procesit të zhvillimit kulturor (ose si e quajnë të tjerët: Civilizimit). Këtij procesi i kushtojmw më të mirën, çka ne jemi, madje dhe një pjesë nga ajo, prej të cilës vuajmë. Shkaqet dhe fillimet e tij janë të errta, rezultatet të pasigurta, disa prej karakteristikave të tij, lehtësisht të qarta. Ndoshta ai i drejtohet shvlerësimit të njeriut, sepse dëmton funksionin seksual në më shumë se një mënyrë, ndaj sot shumohen racat e pakultivuara të popullsisë, shumë më shumë se të mbikualifikuarat.
Ndoshta ky proces, i krahasueshëm edhe me zbutjen e disa lloje kafshësh, padyshim që sjell me vete dhe ndryshime trupore. Edhe pse, ende nuk është bërë i besueshëm përfytyrimi, se zhvillimi kulturor është një proces organik, transformimet psiqike, si bashkëudhëtare të atyre kulturoreve, janë të dukshme dhe të padiskutueshme. Ato konsistojnë në një zhvendosje të përparuar të qëllimeve instiktive dhe kufizimin e aktivizimit të instikteve. Sensacionet, të cilat përqeshin parandjenjat tona, janë bërë për ne indiferente ose nuk na joshin; ka argumentime organike, nëse pretendimet tona kanë ndryshuar.
Prej tipareve psikologjike të kulturës, dy janë më të rëndësishmet në këtë drejtim: Fuqizimi i intelektit, i cili fillon të zotërojë jetën e instikteve, dhe shbërja e tendencave agresive, me të gjitha pasojat e tyre të dobishme dhe të rrezikshme. Rregullsive psiqike, që sjell procesi kulturor, lufta i kundërvihet me mënyrën më vringëlluese, e kundër kësaj ne duhet të rrebelohemi. Ne, thjeshtë nuk e durojmë dot më këtë gjë; kjo nuk është vetëm një kundërshti intelektuale dhe afektive, por, tek ne pacifistët është intolerancë konstitucionale. Dhe është krejt e dukshme, që poshtërimet estetike të luftës nuk ndikojnë më pak në kundërqëndrimin tonë, se sa vetë mizoritë e saj. Sa kohë duhet të presim, derisa edhe të tjerët të bëhen pacifistë? Nuk është për të thënë, dhe ndoshta nuk është një shpresë utopike, që nga ndikimi i këtyre dy momenteve, i pikpamjeve kulturore dhe frikës nga pasojat e një lufte të ardhshme, luftëbërësvë, në një kohë të parashikuar do t‘u vijë fundi. Nga cilat rrugë apo rrugina, ne nuk mund ta përcaktojmë. Vetëm mund të themi: Gjithë, çka kërkon zhvillimi kulturor, punon kundër luftës.
Unë ju përshëndes përzemërsisht, dhe ju lutem të më ndjeni, nëse pikpamjet e mia ju kanë zhgënjyer.
I Juaji Sigm. Froid
Përktheu nga gjermanishtja Anrila Spahija /RevistaLetrare /KultPlus.com