16 Shtator, 2017 - 8:03 pm
Për të tretin vit me radhë nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Haki Rugova në bashkëpunim më klubin letrar “Podguri” në Istog është bërë ndarja e çmimit tradicional letrat “Dr.Ibrahim Rugova”, çmim ky i cili ndahet për hir të punës dhe veprimtarisë së shquar të ish-presidentit Rugova.
Pjesë e kësaj ngjarje ishte kryetari i komunës, Haki Rugova, përfaqësues të klubit letrar “Podguri”, krijues dhe shkrimtarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe poetë arbëreshë të Italisë.
Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova falënderoi pjesëmarrësit në konkursin letrar për nder të figurës së Ibrahim Rugovës, duke shprehur dëshirën që fjala dhe poezia shqipe të dëgjohen çdo kund anë e mbanë botës. Ndërsa, kryetari i klubit letrar “Podguri”, Sadik Bicaj tha se ky manifestim ka bërë jehonë të madhe në të gjitha trojet shqiptare.
“Sivjet kemi edhe poetë të cilët kanë ardhur edhe nga Itali dhe shpresojmë që viteve tjera të marrin pjesë poetë nga shtetet tjera të Evropës”, tha Bicaj.
Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti Valbona Jakova, shkrimtare dhe studiuese nga Italia, si dhe presidentja e Pen Qendrës së Shqipërisë- Qendra e Pen internacional, organizatë botërore e shkrimtarëve me seli në Londër, Entela Kasi.
Në fund të manifestimit letrar u bë edhe ndarja e çmimit mbarëkombëtar “Ibrahim Rugova”, të cilin çmim e fitoi Silvia Likaj. / KultPlus.com