19 Prill, 2024 - 6:50 pm
Shkrimtari shqiptar, Grigor Banushi prezantoi sot në Universitetin e Sofjes librin e tij “Simfonia e Papërfunduar” të përkthyer në gjuhën bullgare.
“Një nga personazhet e romanit, një shtetase bullgare zgjodhi të martohej me një shqiptar gjatë regjimit totalitar”, u tha Banushi studentëve.
Ai shtoi se ka pasur shumë gra jo me shtetësi shqiptare që janë martuar me shqiptarë dhe janë persekutuar më pas nga regjimi.
Simfonia e papërfunduar tregon historinë e pianistit dhe kompozitorit Adrian Mara, i cili u arratis nga regjimi totalitar në Shqipëri dhe u vendos në Francë.
“Ai u persekutua nga regjimi për një arsye të parëndësishme – nëna e tij ishte italiane”, tha autori.
“Librat e Grigor Banushit, veçanërisht “Simfonia e Papërfunduar”, pasqyrojnë një pjesë të trishtuar të historisë shqiptare, regjimin totalitar, kur shumë intelektualë u persekutuan”, tha gjatë aktivitetit ambasadorja e Shqipërisë në Bullgari, Inid Milo.
“Në ditët e sotme realiteti në Shqipëri është krejtësisht ndryshe”, shtoi ajo.
“Shqiptarët aspirojnë të bëhen anëtarë të BE-së dhe janë krenarë të shfaqin talentet e tyre në Bullgari, Evropë dhe kudo në botë”, shtoi ambasadorja.
Sipas Grigor Banushit, Shqipëria nuk është ende pjesë e BE-së, politikisht, por ka integruar përmes artit. “Shumë artistë janë të famshëm në të gjithë Evropën”, vuri në dukje ai.
Dëshira e shkrimtarit shqiptar për të takuar publikun bullgar daton shumë kohë më parë, që nga botimi i romanit të tij të mëparshëm “Zemërimi i Zanave” në bullgarisht”, tha Svetlana Yancheva nga shtëpia botuese “Izida”.
“Libri pati reagime shumë të mira nga lexuesit bullgar”, shtoi Yancheva
Grigor Banushi lindi në Tiranë në vitin 1948. Ai u diplomua në degën e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas punoi si mësues në Pukë.
Deri në vitin 2013 ka punuar si gazetar në Radio Tirana. Në vitin 1997, ai botoi romanin e tij debutues, “Vdekja e Narcisit”, e ndjekur nga “Fytyra e Djallit” (2009).
Romani i tretë i Grigor Banushit, “Zemërimi i Zanave”, u botua në vitin 2015 dhe u nominua për Çmimin Evropian për Letërsinë./KultPlus.com