16 Maj, 2023 - 3:00 pm
Nën organizimin e Shoqatës për Kulturë e Shkencë “Ars Albanica”, në Amfiteatrin 2 të Universitetit Shtetëror të Tetovës u mbajt dje simpozium shkencor “Gjurmë në kohë” për portretin letrar të shkrimtarit Ibrahim Kadriu.
Hapja e Simpoziumit nisi me një fjalë përshëndetëse nga prof. Zeqirja Rexhepi – kryetari i Shoqatës “Ars Albanica” për të vazhduar tutje me prof. Kushtrim Ahmeti – Rektor i Universitetit të Tetovës, prof. Berton Sulejmani – Dekani i Fakultetit Filologjik – Universiteti i Tetovës.
Me punimin e saj “Jeta dhe veprimtaria e shkrimtarit Ibrahim Kadriu”, më pas u paraqit Kaltrina Sadiki. Tutje u lexua një fragment nga romani “Kroi i ilaçit”.
Ndërsa prof. Zeqir Kadriu u paraqit me kumtesën “Shenjëzim në kohë në romanin “Përtej binarëve” të Ibrahim Kadriut, për të vazhduar tutje me prof. Anton Nikë Berisha me “Rreth disa veçantive të poezisë së Ibrahim Kadriut”, Prend Buzhala me kumtesën “Letërsia për fëmijë e Ibrahim Kadriut”, Adelina Xhaferi paraqiti “Interpretim i poezisë “Babai im”.
Leximet u ndërprenë për vazhduar me muzikë, ku Benjamin Menga në violinë dhe Erza Shefiti në flaute dhanë disa çaste të këndshme muzikore.
Simpoziumi vazhdoi me kumtesën e prof. Berton Sulejmani – “Disa veçori sintaksore në romanin “Kapërcimi i ujit të madh” të Ibrahim Kadriut”, prof. Salajdin Salihu me “Veçoritë poetike në veprën e Ibrahim Kadriut”, prof. Zejnepe Alili Rexhepi prezantoi “Historia e dy të burgosurve shqiptarë, viktima të ideologjive politike, në romanin “Ata dy të burgjeve” të Ibrahim Kadriut, Alejna Hasani me fragment nga romani “Ata dy të burgjeve”.
Për të thyer atmosferën e leximeve, ky organizim vazhdoi edhe njëherë me interpretim muzikor nga Benjamin Menga (violinë) dhe Erza Shefiti (flautë) e për të ja lënë radhën Altina Sulemanit për interpretimin e poezisë “Atdheu”.
Krejt për fund pati një fjalë përshëndetëse dhe fjalë rasti nga kolegë, miq dhe lexues të veprës letrare, artistike të shkrimtarit.
Për ta përmbyllur në mënyrë ceremoniale, në fund u bë edhe ndarja e pllaketës për shkrimtarin e njohur Ibrahim Kadriu i cili më pas mori fjalën për të përshëndetur dhe falënderuar të gjithë ata që organizuan këtë simpozium në nderim të veprës së tij dhe gjithë lexuesit e saj. / KultPlus.com