25 Mars, 2018 - 2:00 pm
Është ky popull që, në mënyrë të paepur, me plot sakrifica të mëdha dhe me djersë e gjak ka mbrojtur rrënjët e tij, identitetin e tij dhe qenien e vet kombëtare. Familja Kastrioti e kishte famën e saj të madhe gjatë historisë dhe qeverisjes së Epirit. Kjo familje mbretërore ishte padyshim e shenjtëruar që në rrënjët e saj kombëtare. Ndaj, jo rastësisht, Kruja ishte metropol dhe kryeqytet i shtetit të Arbrit.
E vërteta është e patjetërsueshme, sado që gjatë proceseve dhe situatave të ndryshme të jetës së kombeve mundohen t’i vihet ndonjë shtesë apo ndonjë “por…”. Kurdoherë ajo mbetet e vërtetë në origjinalitetin dhe në bazën e saj burimore. Dhe kështu, kur ajo zbulohet përballë kombeve, e njeh gjuhën e saj të veçantë.
Gjergj Kastrioti ishte në moshën 29-vjeçare kur mori sërish në zotërim kështjellën atërore dhe brenda 33 ditëve e shtriu autoritetin e tij kushtetues në mbarë Shqipërinë. Shndërrimi i kështjellës së Krujës në një pikë strategjike të rezistencës heroike të kombit shqiptar europian, më pas të diplomacisë, artit luftarak dhe politikës parimore kundër pushtuesit barbar otoman përbënte, në fakt, edhe shndërrimin e kohës dhe të transformimeve të mëdha të Epirit, respektivisht të shtetit shqiptar europian, në rrugën e tij të zhvillimit dhe të ardhmërisë së tij të përbashkët europiane. Historia bëhet akoma më bindëse dhe më konceptuale kur shohim se si në këtë moshë arriti ta testojë gjithë personalitetin e tij përballë sfidave që i dilnin përpara, si të arritjes së çlirimit të vendit, ashtu edhe të pavarësisë dhe themelimit të institucioneve qeverisëse të shtetit të Arbrit. Po ashtu, faktet duket të bëhen edhe më bindëse që ai ishte një trashëgimtar besnik i traditave europiane të kombit shqiptar; dhe kjo tregon se ai e bëri këtë ashtu siç edhe do të duhej të ishte në të vërtetë, brez pas brezi.
Si princ i urtë dhe vizionar, ai instaloi në jetën politike dhe institucionale moralin dhe përgjegjshmërinë, vlerën e përbashkët të qeverisjes demokratike. Më pas theksoi identitetin politik,demokratik, si dhe rregullimin e shtyllave bazike dhe juridike të shtetit kushtetues. Politika në vetvete përmban një nga elementet thelbësore të moralit dhe të imazhit të pushtetit aktiv, efektiv dhe parimor. Nëse morali i saj (i politikës) ngjason me llambën që ndriçon sektorët e ndryshëm të dhomave të institucioneve të shtetit, atëherë ajo ka arritur shkallën më të lartë të ndërgjegjes kombëtare e politike dhe të identitetit të saj shtetëror, në dritën e historisë së zhvillimeve pozitive të kombeve.
Kombet, por sidomos ato që i kanë rrënjët e lashta, kanë pasur fatin të përfaqësojnë kombet më të sulmuara nga kthetrat e ujqërve barbarë, me gjithë përpjekjet e tyre për t’i nënshtruar, pastaj skllavëruar dhe shkulur rrënjët e lashta të kombit shqiptar.
Gjithmonë ky komb, si yll i zbritur nga qielli, ka pasur fatin të jetë i mbrojtur si nga dora e dashur e Atit qiellor ashtu edhe nga njerëzit, të cilët kanë pasur bekimin e tij që ta mbrojnë kombin nga shuarja e tij totale dhe nga deformimet prej demoni në fytyrën e
historisë së këtij kombi biblik. Një ndër personalitetet kryesore të kombit shqiptar europian, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e kombit shqiptar, si dhe në atë të historisë botërore dhe europiane në veçanti, është Gjergj Kastrioti, strateg, diplomat dhe lidership vizionar i kombit shqiptar. Gjergj Kastrioti, gjatë përpjekjeve të mëdha historike kishte dy objektiva strategjike-politike: e para, ajo çfarë vendi kishte
më së shumti nevojë ishte liria (e brendshme dhe e jashtme), çka nënkuptonte edhe pavarësinë e vendit. Ndërsa e dyta, rikthimi i kombit shqiptar në vendin e tij shpirtëror, kulturor e të natyrshëm, pra në familjen e gjerë europiane, që nënkuptonte rikthim në
identitetin europian të kombit shqiptar, pasi pushtimi barbar turk e kishte skllavëruar, deformuar dhe ndalur në kohë këtë komb në rrugën e tij drejt të ardhmes, në unitet me familjen e saj europiane. Shekulli XV është shekulli i diplomacisë së fitoreve të Gjergj
Kastriotit; shekulli XV është shekulli i përpjekjeve të tij historike në çlirimin e plotë të kombit shqiptar nga barbarët turq, si dhe i vendosjes së kombit shqiptar në kohën europiane dhe në dinamikën e përgjithshme të zhvillimit drejt të ardhmes së përbashkët si familje. Shekulli XV, po ashtu, është shekull i testit diplomatik dhe gjeopolitik të Europës në zhvillimin e politikës së saj të jashtme dhe të vendosjes së bazës së saj të fuqishme në ruajtjen dhe në jetësimin e vlerave të saj shpirtërore, kulturore etj., si dhe mbrojtja nga barbaria e egër turke dhe nga erërat ideologjike të kësaj perandorie barbare.Prandaj “kjo është ajo që më bën mua të pavdekshëm si shqiptar europian! Gjaku i Gjergj Kastriotit vlon i pastër ndër venat e mia, ndërsa shpirti i tij i madh e ruan qenien tonë kombëtare dhe europiane të palëkundur drejt rrugës së ardhmërisë”.
Gjon KEKA, Skënderbeu ideator i Bashkimit Europian, Botart Tiranë 2012.