12 Shtator, 2018 - 11:53 am
Është rikthyer këtë të hënë, për të zhvilluar sesionin e dytë Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ndërsa kjo konferencë do të vazhdojë deri më 26 Tetor, për t’i lënë më pas vendin sesionit të tretë dhe të fundit që do të mbahet në muajin nëntor, studiuesi i njohur Dhori Qiriazi ka folur për një pamflet të gjatë në mbrojtje të origjinës shqiptare të Skënderbeut, polemikë e Mitkos me historianin grek Paparigópoulos, tekstin e së cilës e ka gjetur në dorëshkrimet e atdhetarit korçar.
Sesioni parë i konferencës, që ka nisur në maj është kurorëzuar me sukses përmes 14 ligjëratave madhore, të cilat u zhvilluan deri në fund të qershorit. Faqe të panjohura të historisë janë shpalosur gjatë referencave dhe debateve të konferencës. Një event i jashtëzakonshëm në sesionin e parë kanë qenë edhe kumtesat që u mbajtën nga profesoresha italiane Lucia Nadin dhe studiuesi shqiptar Aurel Plsari, në lidhje me zbulimin e një dorëshkrimi të mëhershëm të Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”, i cili u pasqyrua gjerësisht dhe në media. Ky dorëshkrim ka hedhur dritë mbi origjinalitetin e padikutueshëm të veprës së Barletit.
Konferenca gjatë këtij harku kohor ka rezultuar me prurje shkencore mjaft interesante, duke shpallur njohjen për arkivat dhe dokumentacione interesante në Bibliotekat Botërore që flasin jo vetëm për figurën e Skënderbeut, por edhe për përpjekjet e vadueshme të shqiptarëve kundër pushtimeve turke dhe si mbrojtës të qytetërimit europian.
Sesioni i dytë i Konferencës Ndërkombëtare të Albanologjisë, ka nisur punimet dje me fjalën e profesor Dhori Qiriazit, i cili ka ardhur nga Greqia posaçërisht për këtë konferencë. Profesor Qiriazi, në kuadër të Konferencës Mbarëkombëtare të Skënderbeut rrëfeu zbulimin e tij mbi një shkrim të bërë nga Thimi Mitko.
“Ligjërata ime merr shkas nga një dokument që kam zbuluar në arkivin Shtetëror Shqiptar, këtu në Tiranë, para disa vitesh të Thimi Mitkos. Një dorëshkrim prej 15 faqesh që flet për një polemikë të Mitkos me historianin grek Konstandinos Paparigopulos. Ky i fundit konstaton apo korrigjon, që sipas tij, Skënderbeu nuk është aspak shqiptar, por me origjinë sllave. Mitko sapo lexoi këtë shkrim të Paparigopulosit shkruajti një letër të gjatë e ku i kundërvihet me dokumente dhe në mënyrë emocionale dhe thekson se Skënderbeu nuk është vetëm gjak shqiptari, por është frymëzim për popullin shqiptar. Po ashtu ashtu si Rilindësit e tjerë, Mitko ka kuptuar se për t’u bërë Shqipëria, që sipas tij ishte një vreshtë e lënë djerrë duhen bërë njerëzit shqiptarë dhe kjo bëhet përmes Skënderbeut dhe ringritjes së figurës së tij, duke u kthyer në një maja të ngjizjes së popullit shqiptar. Është diçka shumë e rëndësishme, e realizuar mirë dhe e menduar mirë”, thotë Qiriazi.
Dhori Qiriazi tha ndër të tjera se: “Për mua, Skënderbeu është një burim frymëzimi, është një hero, një mbi hero. Populli shqiptar ka një mallkim, “varr mosgjendur”, por Skënderbeu është një varrbekuar, varr kudogjendur. Siç thoshte Kadareja, Skënderbeu e ka varrin në Gjakun e Arbrit, e të Shqiptarit dhe unë do shtoja që Skënderbeu e ka varrin në frymën e lirë në dëshirën për liri, dhe frymëzon liri për ato persona që luftojnë për liri, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën”.
Ligjëratat e këtij sesioni do të përfundojnë në fund të muajit tetor, ku do të jenë sërish një cikël ligjëratash shkencore, ku do marrin pjesë rreth 14 personalitete të cilët janë përzgjedhur nga komiteti shkencor. Tomi Frashëri, Kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut tha se “finalizimi i kësaj konference madhore do të përmbyllet me një sesion kumtesash nga data 1-3 nëntor, e cila do t’i japë mundësi studiuesve të tjerë po aq të mirënjohur, të ligjërojnë mbi studimet e tyre rreth Skënderbeut.
Konferenca Albanologjike mbyllet në muaj nëntor, i cili është muaj i madh i pavarësisë, por dhe muaji përmbyllës i Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”. Sipas tij ky sesion do të ketë një numër të konsiderueshëm studiuesish që do parashtrojnë këndvështrimet e tyre për figurën e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
“Sot e kemi nisur me Profesor Dhori Qiriazin, që vjen nga Athina. Po ashtu gjatë këtij sesioni do të kemi dhe figura të njohura, këtu po përmend Profesor Aleksandër Meksin, apo Profesor Luan Malltezin. Parashikohet që ky sesion të zgjasë deri më 26 tetor. Ndërsa në datat 1-3 nëntor do të kemi seksion maratonë me ligjërata të shkurtra.”, tha Frashëri, duke shtuar më tej se do jenë rreth 40 studiues me këto kumtesa. “Kjo Konferencë po jep fryte të rëndësishme në jetën akademike dhe duket se do të jetë një rast shumë i mirë për tu mbledhur për trajtesa të reja dhe gjurmët që ka lënë në histori Heroi ynë Kombëtarë Skënderbeu”, shoti ai.
Sipas Frashërit ky aktivitet e vlerëson deh pasuron në optikën shkencore figurën e Skënderbeut e jo atë politike apo të një natyre tjetër. Frashëri u shpreh se qeveria i ak dhënë rëndësi kësaj Konference shkencore dhe kumtesave që referohen në të, dhe vitin e ardhshëm këto kumtesa do të mblidhen së bashku e do të botohen, duke bërë kështu një libër të ri historie për Skënderbeun”.
Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha që lidhen me figurën e Heroit tonë Kombëtar, por edhe të Europës mbarë.