22 Janar, 2021 - 7:27 pm
Nga: Rozafa Shpuza
Shkodra përkundet prej shejtnisë së trinitetit: Kafja e Madhe – Kisha e Madhe – Arra e Madhe.
Në Shkodër kumontë e kishave e altoparlantët e xhamive i kurdisin sahatet asisoj që mos me ia prishë ritmin sho-shoit.
Në Shkodër turistët mund të këndojnë jare e gazetarët mund të intervistojnë regjisorin në skenë, teksa koncerti asht në kulmin e vet.
Në Shkodër ka polic për me drejtue trafikun e biçikletave.
Në Shkodër, kur ndonjena kërkon supë në nji lokal buzë liqenit, kamarieri ia pret shkurt: “Po na s’jena në kohë të qoftlargut, moj zote!”
Me nji marrëveshje të heshtun, në Shkodër, dugajt mbyllen në zheg. Prite Zot, ba me ra zilja e derës, tanë e dinë se mund të jetë o ndonji jabanxhi, o ndonji katundar, që përcillet me përgjumje mbasgrilash.
Në Shkodër mundesh me përshëndetë këdo e, pa asnjë dyzim, përshëndetja të kthehet e shumëfishueme.
Në Shkodër bahen bejte në lokale e klientët përfshihen kandshëm në humor e kangë, anipse nuk njihen ndërvedi.
Në Shkodër biçikletat e dinë vetë rrugën për në shpi. Birrat pihen me gjevrekë e uji i Rusit krahasohet me vajzat e Dudasit.
Në Shkodër, nama ma e madhe asht “t’rruftë Perja” ose “t’raftë e mira”, prandaj mirardhëshi në Shkodër, miq…/ KultPlus.com