30 Janar, 2025 - 12:01 pm
Sonte, duke filluar nga ora 18:00, do të promovohet romani “Lugina e lumit Issa”, i autorit polak Czesław Miłosz. Promovimi do të mbahet në librarinë Dukagjini.
“Lugina e Lumit Issa” i autorit Czeslaw Milosz, pjesë e kolanës “Effugium” – Evropa Kreative”, është një nga romanet më të dalluara për fëmijërinë dhe adoleshencën e autorit. Libri u shkrua nga Miłosz në mërgim dhe u botua për herë të parë në Paris në vitin 1955″, thuhet në njoftim.
Ky libër është një udhëtim i autorit në fëmijërinl e tij si dhe një krijim imagjinar i një vendi mitik të kufizuar nga lumi Issa.
Czesław Miłosz ka qenë poet, prozator dhe përkthyes polak, i lindur më 30 qershor 1911, në një fshat kufitar të Lituanisë. Miłosz ishte një figurë e shquar në letërsinë e shekullit të 20-të dhe laureat i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1980. Ai kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vazhdoi të shkruante deri në vdekjen e tij, në vitin 2004.
Ky roman është përkthyer nga Romeo Çollaku. Në promovimin që do të moderohet nga Liridona Bytyçi për Czesław Miłoszin do të flasim me profesorin e filozofisë Blerim Latifi./KultPlus.com