Sot 131 vjet nga hapja e Mësonjëtores së parë Shqipe në Korçë

7 Mars, 2018 - 2:00 pm

Sot mbushen plot 131 vjet që nga dita kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.

Hapja e shkollës së parë shqipe, 7 Mars 1887 në Korçë kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllezërit Sami e Naim Frashëri.

Shkolla kishte si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi.

Nga struktura dhe përmbajtja e mësimit “Mësonjëtorja e Parë” ishte një shkollë e përparuar. Veprimtaria e saj përshkruhej nga fryma patriotike, nga dëshira për dije dhe edukata e punës.

Tekstet e përdorura në shkollë si; abetarja e gramatika e Sami Frashërit, aritmetika e Jani Vretos, historia e Naim Frashërit etj. si vepra të rilindasve të shquar, dalloheshin për frymën e shëndoshë dhe përmbajtjen patriotike. / KultPlus.com

Të ngjajshme