Sot bëhen 33 vjet nga vdekja e intelektualit të shquar, Vexhi Buharaja

5 Korrik, 2020 - 6:00 pm

Vexhi Buharaja ishte qenë letrar, epigrafist dhe përkthyes shqiptar i persekutuar gjatë regjimit komunist. Falë tij mund të lexohen në gjuhën shqipe materiale si të Rilindjes Kombëtare e Lidhjes së Prizrenit, ashtu edhe veprat klasike të letërsisë perse, shkruan KultPlus.

U lind me 12 Maj 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat, i biri i Hoxhë Ibrahimit të Ismail Efendiut. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 student i dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20 vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë. Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi familja e tij në Berat.[2][3] Familja e tij strehoi hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.[4]

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944, për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Më 1946 e burgosin, duke e akuzuar se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë. Pasi doli nga burgu, u detyrua të bënte punë të rënda fizike për të mbijetuar. Më pas u pranua në punë si mësues,[2][3] duke dhënë lëndën e gjuhës ruse të mësuar në burg.[5]

Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth 250 mbishkrime osmane. Duke u mbështetur në këtë material, shkroi studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilin e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968. Më 1975 në maj u dëbua nga puna në Institutin e Historisë.

Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 korrik 1987, në moshën 67 vjeçare.

Në konkursin letrar që u shpall me 1 janar 1942, kur ishte 22 vjeçar, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”. Ka shkruar e botuar edhe punime, studime historike, filozofike, islamo-mistike si “Lufta e Qerbelasë, Haxhi, etj., të cilat janë botuar në revistën “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj. /KultPlus.com

Të ngjajshme