19 Qershor, 2024 - 4:26 pm
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në ora 18:00 do të promovohet libri ‘Shqiptarët dhe Serbët- e vërteta kundër të pavërtetës’ i autorit Shyqri Nimani.
Ky vëllim monografik, në shqip dhe anglisht, që ka gjithsej 23 kapituj, shqyrton çështje të rëndësishme ndërmjet popullit shqiptar dhe atij serb gjatë shekujve. Kapitulli i parë fillon me hyrjen që paraprihet me sintagmën e urtë të Mahatma Gandhit (1869-1948) dhe titullohet ‘Nuk ka Zot më të lartë se e Vërteta’. Kjo sintagmë reflekton pikërisht qëllimin thelbësor që ka të bëjë me ballafaqimin e të vërtetave me falsifikimet e zakonshme të historianëve serbë, që janë ndikuar rregullisht nga qeveritarët e tyre dhe nga kisha ortodokse serbe.
Kapitulli i dytë mban titullin ‘Trojet shqiptare – margaritarë të Ballkanit’, ku shfletohet trashëgimia historike dhe kulturore e trojeve shqiptare si një tërësi komplekse. Kapitujt në vazhdim zgjojnë interesim të jashtëzakonshëm, sepse sjellin dëshmi relevante mbi atë se Cila është e vërteta për pjesëmarrësit në Betejën e Kosovës (1389)?; Si u bë lahutari shqiptar – guslar sllav me emrin Avdo Medjedović?; Përse u vendos përkrenareja e Skënderbeut në kokën e gjyshit të tij, Palit?.
Vallë, a do të kujdesen shqiptarët për trashëgiminë e tyre në vendet fqinjë? është një kapitull me interes të veçantë. Autori na ofron kumte për ekzistencën e mjaft kishave të rëndësishme dhe artefakteve të çmueshme që gjenden në vendet fqinje e që historikisht i takonin trojeve etnike shqiptare. Pala serbe, siç dihet tashmë, ka trilluar sajesa – apo mëmirëtëthuhet – falsifikime të vazhdueshme. Andaj, kjo monografi demaskon një numër të madh të pa vërtetave që serbët i kanë plasuar.
Promovimi i monografisë organizohet nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyrës së Kryeministrit, në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit. Panelistë për diskutimin e librit do të jenë: Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, Dr. Pëllumb Xhufi, Historian, Jusuf Buxhovi, Historian, dhe Dr. Lulzim Tafa, Poet.