23 Prill, 2018 - 11:30 am
Sot bëhen 146 vite që kur ka lindur Gjergj Pekmezi i njohur si profesor i shqipes, bibliograf dhe albanolog shqiptar. Në nder të tij katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjerg Pekmezi”, shkruan KultPlus.
Studimet e para i kreu në Ohër e Manastir. Më 1887 shërbeu si mësues në Llëngër të krahinës së Mokrës. Studimet e universitare i bëri në Beograd e në Vjenë, ku u diplomua më 1898 për filozofi dhe filologji. Më 1903 u emërua shef i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës. Pas një viti themeloi Shoqërinë Kulturore Patriotike “DIJA”. Më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës që Vaso Pasha e Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit. Kontribuoi pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve duke vërtetuar shqiptarësinë e banorëve në viset jugore kundrejt orekseve synimeve greke. Punoi si përkthyes pranë këtij komisioni nga vjeshta e 1913 dhe më 1914 u emërua përkthyes i misionit austro-hungarez në Durrës.
Ai ka lënë dorëshkrim një punim mbi dialektologjinë shqiptare “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes”. Gjithashtu ka mbledhur e dorëzuar 8177 faqe të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve austro-hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë të jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze. / KultPlus.com