‘Sot është ditëlindja jote babi, e do doja edhe njëherë ta festonim bashkë’

25 Nëntor, 2019 - 7:00 pm

Sot është ditëlindja e poetit e shkrimtarit Ragip Sylaj, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar.

Sylaj punoi si mësimdhënës në shkollën “Skender Luarasi” në Suharekë, ndërsa veprimtarinë e tij prej gazetarit e ushtroi si gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e Re” si dhe në dy të përditshmet tjera “Bota sot” dhe “Zëri”.

Shkrimtari Sylaj botoi 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë.

Në njërin prej edicioneve të konkursit ‘KultStrofa’ organizuar nga KultPlus, ai edhe u shpall fitues absolut i vendit të parë.

Korab Sylaj, djali i poetit, e ka kujtuar sot në këtë mënyrë babain e tij, Ragip Sylajn.

***

Sot është ditëlindja jote babi, e do doja edhe njëherë ta festonim bashkë. Nuk kam fjalë me pershkru sa na mungon. Je gjithçka per ne, të duam shumë.

Një poezi qe babi e shkroi një vit me parë,

OH, JETA IME

U zgjova e u çova
Dhe e mora hijen me vete
Me shpresë se nuk më lë
Me bindjen se nuk më tall
Hija ime e gjallë

Kur dielli është n’zenit
Dhe e shpërpall t’vërtetën
Del Hija e Jetës
Që ia mshel derën vdekjes

Vijnë engjëjt mbrojtës
Me premtim të bardhë
T’ma shpupurisin terrin e frikës
Para se me ardhë

Pastaj ylli i fatit
Si yll i mëngjesit
M’përshëndet me dritën e gjallë
Dhe m’pyet: Ku je vallë
Që dukesh e zhdukesh kaq rrallë

Ah kam jetuar në këngë
Kam frymuar në ëndërr
Herë si luftëtar
Herën tjetër si dhëndër
Kam udhëtuar n’mendime
Kam pushuar n’kujtime
Më mirë për me t’kuptuar
Më thellë për me t’dashtë
Oh jeta ime

(23. I. 2018)

Të ngjajshme