Sot hapet Panairi i 24-t i librit “Prishtina 2024”

5 Qershor, 2024 - 10:35 am

Ditën e sotme, duke filluar nga ora 12:00, do të hapet Panairi i 24-t i librit “Prishtina 2024”.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka treguar se panairi do të vjen me moton “Përgjigjja është libri” dhe është organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.

Duke filluar nga sot, panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00 deri në 21:00, ndërsa më datën 9 qershor do të mbyllet në ora 19:00.

Në panair do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, numri i titujve të rinj do të jetë rreth 2000, kurse numri i titujve të fundit rreth 6000.

Poashtu do të jenë mbi 40 aktivitete, promovime dhe autorë të pranishëm, ku spikasin i ftuari i nderit shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate./KultPlus.com

Të ngjajshme