5 Qershor, 2019 - 9:00 am
Sot hapet panairi i 21-të i librit “Prishtina 2019” që do të mbahet deri më 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, panairi i 21-të i librit është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.
Ceremonia e hapjes do të bëhet sot në orën 12:00, ndërsa do të qëndrojë i hapur për vizitorë nga ora 09:00 deri në ora 20:00.
Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, ndërsa numri i titujve të rinj vlerësohet të jetë mbi 1500 të tilla. Numri i titujve të viteve të fundit është rreth 5500.
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, kryesisht studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.