11 Mars, 2020 - 9:09 am
Shkrimtari e dramaturgu shqiptar, Musa Ramadani, ka vdekur dje në moshën 76-vjeçare.
Homazhet për nderë të jetës dhe veprës së tij do të mbahen sot (e mërkurë) në hollin e Teatrit Kombëtar duke filluar prej orës 10:30 deri në 12:00.
Akademia përkujtimore do të mbahet në ora 12:00 po në Teatrin Kombëtar, derisa varrimi i të ndjerit do të bëhet në ora 15:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.
Musa Ramadani, shkrimtar, eseist, dramaturg, kritik arti dhe gazetar. Lindi në Gjilan, dhe shkollimin fillor e kreu në Prizren, Gjilan e Viti. Më pas në Gjilan kreu shkollimin e mesëm ndërsa në Prizren mbaroi Shkollën e Lartë Pedagogjike. Nga viti 1965, punoi si gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”.
Shkrimet e para letrare i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i rinisë”. Dorëshkrimin “Neurosis” të refuzuar nga “Rilindja” e botoi vetë në vitin 1973. Libri u vlerësuar avangardist dhe prijës i poetikës voko-vizuale dhe sinjalistike në letërsinë e Kosovës.
Gjatë viteve ’70 në Festivalin e Akordeve të Kosovës për kompozime të muzikës së lehtë, fitoi dy çmimet e para. Botoi këto vepra poetike: “Mëkatet e Adamit” (1969), “Thirravaje” (1971), “Neurosis” (1973), “Muzat nuk flenë” (1976), “Alfabeti i neurozave” (1982), “Eugjenika e tri deteve” (1986), “Nostalgjia antike” (1990) dhe “Mëkatet e E(ha)vës” (2010). /KultPlus.com