22 Qershor, 2022 - 2:24 pm
Sot në orën 19.00, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, do të promovohet romani i ri “DREMIT LYHNIDI NË VEZULLIM”, i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri.
Ky promovim, gjithashtu synon të shndërrohet në një bashkëbisedim të hapur kulturor, me pjesëmarrjen e disa të ftuarve specialë, kushtuar kulturës, letërsisë dhe gjuhëve në rajonin tonë, duke biseduar për pikëtakimet e shumta historike midis popujve të gadishullit tonë, mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinjë, pikërisht si tematika e shpërfaqur në faqet e këtij romani, ku shtjellohen imtësisht e kaluara, shtegtimet dhe pleksjet e shumta shekullore, të shqiptarëve të vjetër vendas ortodoksë të qytetit të lashtë të Ohrit, në periudha dhe kontekste të ndryshme historike, gjer në ditët e sotme.
Përmes një rrjedhe ngjarjesh që zhvillohet në disa kohë dhe disa periudha të ndryshme historike, përfshirë Luftën e Dytë Botërore dhe Konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, teksa gjithçka sidoqoftë gjen burim në udhëzat e gurta të Ohrit të moçëm në fundin e viteve 30 të shekullit XX, në faqet e këtij romani përvijohen ngjarjet, jeta, andrallat, guximi dhe mërgimet e njëpasnjëshme të shqiptarëve drejt Lindjes, që i patën shpënë ata nga Bullgaria në Bosfor, nëpër trojet rumune, Besarabi, e deri buzë detit të largët Azov, ku sot viset ukrainase janë përflakur nga lufta heroike kundër agresionit të pashembullt rus./KultPlus.com