Sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Mbretit Zog

9 Prill, 2020 - 7:58 pm

Shkruan: Albert Vataj

SOT NË PËRVJETORIN E NDARJES NGA JETA TË MBRETIT ZOG

Një mbret që shuhet në ekzil, i vetmi burrshtetas që plazmoi gjurmë në Historinë e Shqipërisë

Ai nuk ishte një lider i përsosur. Në qeverisjen e tij pati gabime që e akuzojnë rëndë. Mes të vërtetave dhe trillimeve dashakeqe, ai ka mundur të mbijetojë si një personalitet i rëndësishëm i Historisë së Shqipërisë. Fatkeqësisht ai ishte dhe mbeti i vetmi burrshteti që patëm fatin të kishim në punët e shtetbërjes.

Më 9 prill të vitit 1961, në spitalin Foch, Sorensen, Paris, vdiq në moshën 65-vjeçare mbreti Zog. Pas shumë vitesh përndjekje nga sëmundja dhe mërgimi, ai që kishte ndërtuar nga themelet shtetin shqiptar, me gjithë gabimet, fajet dhe keqkuptimet, ndaloi së rrugëtuari, së ëndërruari për t’u riktheyer në tokën ëmë, atje ku e akuzuan si ikanak, tradhtar, hajdut dhe të shitur.

Më shumë se të vërteta, e gjithë kjo errësirë që kërcënoi emrin dhe veprën e tij, ishte propoganda denigruese që dirigjoi regjimi diktatorial i Enver Hoxhës dhe jo vetëm.
Ata endën me pasion e përkushtim këtë ogur të keq, deri në caqet e tjetërsimit të historisë dhe gjithçkaje që lidhet me të dhe vetë shqiptarët e asaj periudhe.

Kjo gjëmë ishte aq e egër dhe më kaq ligësi dhe helm, sa u promovua si një e keqe e dënueshme. Dhe manipulim që gatoi kuzhina komuniste, mbeti e tillë sa ti rezistonte kohës, aq sa edhe sot, me gjithë botimet dhe rishqyrtimit të kësaj figure, ai vijon të mbetet ai, ai që baltosën dhe masakruan mercenarët e kuq.

Si të gjithë personazhet e historisë, jo vetëm asaj shqiptare, edhe Ahmet Zogu u përpëlit në vorbullën e anatemës dhe fluturoi në qiejt e glorofikimit. Gjithsesi ai mbetet një figurë me rëndësi të pamohueshme për vënien e themeleve të shtetit shqiptar. Me të nisi një erë e re e historisë së një populli që lëngonte nën thundrën e makiavelizmave të kohës.
Albert Vataj

Të ngjajshme