2 Tetor, 2019 - 10:00 am
Ndërsa ditë më parë në kryeqytetin e Katarit, Doha, u hap ambasada e Republikës, që ishte shkas të mblidhej atje komuniteti i vogël i shqiptarëve nga të gjitha hapësirat ku jetojnë, sot në kryeqytetin e Kosovës promovimi i romanit të njërit nga shkrimtarët më të njohur të këtij vendi do të jetë arsye e mirë të mbledhë dashamirët e artit të shkruar.
Në orën 12, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare do të bëhet promovimi i romanit “Kusari” të shkrimtarit nga Katari, Abdulazis Al Mahmud, i cili mbështetet në motive shqiptare. Promovimin e këtij romani, që ishte kthyer në bestseler, dhe që përjetoi shtatë ribotime dhe u përkthye edhe në gjuhën angleze, bëhet në bashkëpunim me Institutin për Studime Orientale (ISO) në Prishtinë. Atë në shqip e përktheu Ejup Ramadani, ndërsa e botoi “Buzuku”, shkruan Koha.net.
Me rastin e promovimit të këtij romani, sot në Prishtinë do të jetë i pranishëm edhe autori Abdulazis Al Mahmud.
“Kusari” ishte romani i parë arab që ka tematikë shqiptare. Ai motivohet nga ngjarjet e shekullit XIX në vendet e Gjirit , përfshirë edhe luftën e ushtarëve shqiptarë të Mehmet Aliut kundër lëvizjes vehabiste në Arabi.
Autori Abdulaziz Al Mahmud u paraqit së pari në gazetari, derisa u bë kryeredaktor i gazetës më të vjetër arabe në Katar (al-Arab). Si kryeredaktor tregoi interesim për Pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe ia kushtoi kësaj ngjarje historike dy shtojca të gazetës. Madje, ai erdhi në Kosovë në qershor 2008 dhe realizoi një intervistë ekskluzive me presidentin e atëhershëm, Fatmir Sejdiu,e cila ishte e para për shtypin arab. Më vonë, A.Al Mahmut iu përkushtua letërsisë duke botuar “Kusarin” më 2011 dhe romanin “Veli i shenjtë” më 2016 etj.,për çka mori më 2019 Çmimin e Shtetit për Letërsi. / KultPlus.com