Sot promovohet ‘Refugjatët në Qiellin e Ri’ nga Ganimete Pashoja Myftiu

23 Mars, 2019 - 10:29 am

Sot, duke filluar prej orës 13:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës mbahet promovimi i librit “REFUGJATË NËN QIELLIN E RI” me autore Ganimete Pashoja Myftiun.

****

Nje referencë për librin: Kalendarët e Botës nga “Refugjatët në Qiellin e Ri” është një dëshmi emocionuese e intervistave të Ganimete Pashoja Myftiut me refugjatë të sapoardhur në Nju Hevën si dhe e botës mendjemarrëse dhe të pasigurt në të cilën ata e gjejnë veten.

Duke qenë një refugjate shqiptare kosovare, ajo shkruan në këtë temë me ndjenja të holla, me një pasion të fuqishëm për drejtësinë, dhe me një dhimbjethellësi meditative sa shqetësuese, aq edhe të kthjellët. Që në fillim, vetë hapësira e Konektikatit duket sikur rropatet me ankthet e Mijëvjeçarit të Tretë, nganjëherë duke u mahitur me lojcakëri, nganjëherë duke u paraqitur si një joshëse tinëzare, por prapë e dashur. Përmes një kontrasti poetik, autorja na merr për dore nga mjedisi studimor i Jeillit për të na njohur me lagjet etnike dhe për të dëgjuar rrëfimet tronditëse të të mbijetuarve dhe të azilkërkuesve. Pafuqishmëria dhe forca, shpresa dhe realiteti i vrazhdë, dyfaqësia e ulët dhe ironia epike, zhgënjimi dhe qëndresa ndaj së keqes bëjnë që lexuesi të përjetojë po atë hutim tronditës si dhe refugjatët që ajo përshkruan.

Mbi të gjitha, shpresa, sa e humbur aq edhe e gjetur, frymëzojnë këtë ditar të ardhacakes, e cila kundërshton të braktisë gjykimin e shëndoshë dhe vlerat, duke na ngjallur në shpirt ndjesinë se çfarë është e drejtë dhe e vërtetë. Rrëfenja dhe kompjuteri janë bërë për të dy ikona të rrëfimit: dy emblema ose të nostalgjisë, ose të burokracisë, të cilat gjithsesi mirëpriten pa kurrfarë mëdyshjeje.

Në njëfarë mënyre, këtu kemi të bëjmë me një rrëfim për një vend të cilin vetëm ata që e kanë vizituar mund të përkiten me të me plot të drejtë si dhe ta njohin thellë atë.

Siç ka shkruar Gëteja: “Kush dëshiron të kuptojë poezinë Duhet të shkojë në visoren e poezisë; Kur dëshiron të kuptojë poetin, Duhet të shkojë në visoren e poetit. Ganimete Pashoja Myftiu na e bën shumë të mundur pjesëmarrjen tonë në përjetimet e saj për një botë jo fort të njohur, e cila po bëhet përherë e më shumë e rëndësishme për shoqërinë amerikane në ditët e sotme.

Hirësia e Tij e Shumënderuar: Arthur E. Leolin, Kisha Ortodokse Shqiptare, Boston, MA, SHBA

Të ngjajshme