16 Nëntor, 2022 - 10:51 am
Sot shënohet 100 vjetori i lindjes së nobelistit portugez, José de Sousa Saramago. Saramago ka lindur në Azinhaga të Portugalisë, më 16 nëntor 1922, në një familje shumë të varfër, në një fshat të vogël në provincën Ribatejo, rreth njëqind kilometra në verilindje të Lisbonës. Prindërit e tij ishin José de Sousa dhe Maria de Piedade.
Saramago u zhvendos në Lisbonë me familjen në moshë të re, dhe i braktisi studimet universitare për shkak të vështirësitë ekonomike; filloi të merret me punë të ndryshme. Ai në fakt ka punuar si farkëtar, projektues, lektor, përkthyes, gazetar, gjersa u punësua në mënyrë të përhershme në një Shtëpi Botuese, ku punoi për dymbëdhjetë vjet si redaktor letrar.
Në vitin 2003, Harold Bloom e përshkroi Saramagon si “romancierin më të talentuar të gjallë në botë sot” dhe në vitin 2010 tha se ai e konsideron Saramagon si “një pjesë e përhershme e kanunit perëndimor”, ndërsa James Wood vlerëson “të veçantën ton për trillimin e tij, sepse ai i rrëfen romanet e tij sikur të ishte dikush i mençur dhe injorant”.
Romani i tij i parë, “Toka e mëkatit”, i vitit 1947, nuk do të ketë një sukses të madh në Portugalinë obskurantiste të Salazarit, diktatorit ndaj të cilit Saramago nuk e ka ndaluar luftën, duke u përballur me censurën sistematike të shkrimeve të tij gazetareske. Në vitin 1959 ai u regjistrua në Partinë Komuniste Portugeze, ku vepron në fshehtësi, duke ikur gjithmonë nga kurthet dhe intrigat e Pidës famëkeqe, policisë politike të regjimit. Në fakt, duhet të theksohet se për të kuptuar jetën dhe punën e këtij shkrimtari, nuk mund të injorojmë angazhimin e vazhdueshëm politik në çdo aktivitet.
Në vitet gjashtëdhjetë, ai u bë një nga kritikët më të mëdhenj të vendit nëpërmjet edicionin të ri të revistës “Seara Nova” dhe më 1966 publikon përmbledhjen e parë të poetike “Poezi të mundshme”. Më pas bëhet drejtor në një Shtëpi Botuese dhe nga 1972 deri 1973, ishte redaktor i shtojcës kulturore dhe editoriale të gazetës “Diario de Lisboa”, gjer në shpërthimin e të ashtuquajturit Revolucioni i Karafiltë në vitin 1974. Saramago botoi librin poetik “Ndoshta lumturia”, 1970, kronikat “Për këtë dhe botën tjetër”, 1971, “Bagazh udhëtar”, 1973, “Mendime që DL kishte” 1974, drama, novela dhe romane. Saramago (zëvendës kryeredaktor i gazetës “Diario de Noticias” më 1975 dhe shkrimtar me kohë të plotë) e çliron letërsinë portugeze nga kompleksi i mëparshëm dhe krijon një brez post-revolucionar.
Në vitin 1977, Saramago publikoi romanin e gjatë me titull “Manual i pikturës dhe kaligrafisë”, ndjekur nga “Një vend i quajtur Alentejo,” i 1980, fokusuar në revoltën e popullit të rajonit në lindje të Portugalisë. Por me “Përkujtimorja e manastirit” të 1982-ës, më në fund arrin suksesin e shumëpritur. Në gjashtë vite botoi tri veprat me ndikim të madh (përveç Përkujtimores, “Viti i vdekjes së Richard Reis” dhe “Rafti i gurtë”) duke marrë vlerësime të shumta nga kritika. Vitet nëntëdhjetë e kanë shenjtëruar atë në skenën ndërkombëtare me “Rrethimin e Lisbonës” dhe “Ungjillin sipas Jezusit”, e më pas me “Verbërinë”. Në vitin 1998, duke ngjallur polemika sidomos nga Vatikani, ai u nderua me çmimin “Nobel” për letërsi.
Më shumë se dy milionë kopje të librave të Saramago janë shitur vetëm në Portugali dhe vepra e tij është përkthyer në 25 gjuhë.
José Saramago vdes më 18 qershor, 2010 në banesën e tij në Lanzarote, në qytetin e Tías, në Ishujt Kanarie. /KultPlus.com