Stacioni

16 Mars, 2020 - 4:18 pm

Tregim nga Ibrahim Berisha

Burri pesëdhjetëegjashtë vjeç nga fshati Kojskë e Lipjanit dhe djali njëzetenjë vjeç nga Kaçaniku, takohen një pasdite dhjetori në hyrje të stacionit të trenit në Zagreb. Përshëndeten, sikur njihen me vite.

Sa të pashë të njoha, thotë djali.
Burri habitet.
Më kupton, shpjegon djali, e dita se je nga Kosova.
Burri e heton me kujdes: disa muaj duhej të bridhje nëpër stacione trenash, për të takuar fytyrë të tillë të shkrirë. Burri dhe djali hynë në hollin e madh. Kacavarur në krahun e drunjtë të ulëses, djali lëshon valixhen e zhgufur. Në të djathtë ulet burri. Ai shikon djalin: „Eh, disa muaj duhet të bredhësh nëpër stacione trenash për të takuar fytyrë kaq të shkrirë“.

Më quajnë Sefë, i thotë burri djalit, pasi ai e pyet për emrin.
Nëpër muret e hollit shkruan: „Mos gjuani mbeturina!“, „Mos prekni xhamat!“, „Mos ndizni zjarr!“, „Informatat , majtas!“, „Biletorja, djathtas!“, „Gardëroba drejt!“.
E kam emrin Lul, flet. Për një kohë lëviz kokën, duke u munduar të kapë shkronjat nëpër muret e larta.

Jashtë bie shi. Shirat e dhjetorit në Zagreb formojnë atmosferë të mbytur, të paçiltër.
Je lagur, ftohesh, thotë burri.
Nuk më bën asgjë lagështira. Ka dy muaj jam gjithë i lagur, thotë djali.
I ri, tash, nuk e ndien.
Djali lëviz dorën mospërfillshëm.
Ndërkohë, ulëses i afrohen një plak e një plakë; ulen përballë burrit e djalit. Plaka çrrudh shaminë; flokët e thinjura i bien mbi kurriz. Plaku lexon gazetën kroate „Vjesnik“. Kur heq beretën, i del koka tullace.
Pini ju duhan? pyet plaku.
Jo, përgjigjet burri.
Unë kam vendosur të mos pi.
Unë nuk e pi fare, thotë djali.
Ju të dy nuk paskeni problem me duhanin. Është shtrenjtuar aq shumë, thotë plaka.
Aleks, e sheh mirë, këta nuk pinë duhan.
Siluetat kalojnë përballë karriges së drunjtë. Era e rëndë e tymit dhe e lagështirës mbas shirave të përditshme mbush hollin.
Këta, mu këta, vetëm kursejnë nga fitimet, thotë Aleksi. Këta janë të tjerë, janë jugorë.

Nëpër xhamat e lagur, lëvizin pamjet tronditëse të makinave që ikin me ushtimë. Nga ulësja, pasi dera është e hapur, duket ndërtesa e mugët e Postës. Përpara saj, lokomotiva xhuxhe, e kaltër, të kujton një trung të madh lisi që rri vazhdimisht në shi, por nuk kalbet. Djali mbyllet, projekton rrugën deri në shtëpi me këtë lokomotivë. Lëviz timonin, shkel arat, malet dhe kalon urat mbi lumenj. Ngadalë ecën, por nuk arrin shpejt në shtëpi; kjo lokomotiva xhuxhe nuk të çon kurrë në shtëpi, mendon pasi e sheh se është vetëm një përfytyrim nga lodhja. Lokomotiva: një përkujtuese e revolucionit teknik.

Nga duhma e rëndë dhe numri i madh i atyre që hyjnë e dalin, i vjen të pështirë. Përsëri, disa çaste mbyll sytë. Udhëton me lokomotivën xhuxhe. Ndalet në një pus me baltë.
Sheshit matanë i kthehet emri i vet, Mbretit Zvonimir, thotë plaku. Gruaja e përcjell heshtur, pastaj kot i hidhet qortueshëm: lëre, lëre, kjo politika jonë këtu më ka ardhur. Prek majën e hundës.

Ti do të sëmuresh sigurisht, i thotë burri djalit.
Nuk kam të ftoftë, e kundërshton ai. Kam tepër nxehtë. Heq sakon.
Kur arrin treni?
Në ora pesë e pesëdhjetë minuta, nëse nuk vonohet.
Kemi ende shumë për të pritur.
Aleks, thirr plaka. Tash pi cigaren e katërt.
Si thua, ti shqiptar, thotë plaku.
Nuk them asgjë, përgjigjet burri.
Ju keni thënë mjaft këto vite, thotë plaku.
Ne nuk kemi thënë asgjë, përgjigjet burri.
Të ka rënë të dëgjosh për Jelaçiqin, pyet beftë plaku. Ndoshta nuk të ka rënë. S’ke faj, sepse edhe shumë kroatë nuk kanë dëgjuar për emrin e tij. Por tash e tutje, sigurisht do të dëgjojnë.

Lëri rehat njerëzit, e qorton plaka. E sheh si janë të lodhur.
Çka punon, e pyet burri djalin
Hap kanale. Muajin e fundit punova në Treshnjevkë, por nuk më paguan.
Rrezik nuk kishe?
Nuk ishte edhe pa rrezik, sqaron djali. Punoj dhjetë orë në ditë.
E shikon djali ai flet:
Në Hamburg punoj. E kam djalin ushtar në Zagreb. U ndala. Pikëllohet. I bie pamje e errët.
Domethënë në pesë e pesëdhjetë minuta, thotë burri.
Po, përgjigjet djali.

Plaku, pasi kotet ca çaste si fëmijë, duke mbështetur kokën tullace në krahun e plakës, hap sytë pandehshëm. Ende ashtu i pakëndellur, shpërthen: Edhe ne kemi të drejtë t’i këndojmë këngët tona kroate.
Ju shkoni në Kosovë?, pyet plaka.
Po, thotë burri.
Ne shkojmë në Vinkovc. Na pret vajza në stacion. Si thua, Aleks?
Kam telefonuar dy herë, e siguron plaku. Mos u merakos kot.
Nuk merakosem, vetëm pyes.
Burri nxjerr bukën, djathin dhe konservën nga një qese najloni.
Ia qet përpara djalit.
Urdhëro, i thotë.
Treni ekspres Munih – Lubjanë – Zagreb – Beograd – Fushë Kosovë – Shkup – Selanik, vonohet një orë e njëzet minuta, njofton spikerja.

Në mëngjes arrijmë, thotë burri i lënduar në shpirt.
Djali nuk thotë asgjë, vetëm ha.
Djali juaj, pyet plaka.
Burri buzëqesh. Nuk thotë po as jo.
E dija, thotë plaka. Ngjani kaq shumë në njëri-tjetrin. E sheh sa shume ngjajnë, i kthehet plakut.
Duket, s’ke pse më thua, thotë plaku. Këta të gjithë ngjajnë në njëri-tjetrin!
Porsa të hyjmë në tren, shtrihemi e flemë, i thotë burri djalit.
Unë nuk mund të fle në tren, kurrë nuk më zë gjumi, përgjigjet djali.

*Zagreb:1987. / KultPlus.com

Të ngjajshme