‘Stambolli e njeh mirë abuzimin seksual me vajza, me burra, me prostituta…’

21 Shkurt, 2019 - 7:55 pm


Ndodhte gjithmonë në këtë qytet që shtrihej në shtatë kodra, dy kontinente, tre dete dhe pesëmbëdhjetë milionë gojë. Ndodhte pas dyeve të mbyllura dhe në oborret e hapura, në dhoma motelesh të lira dhe suita luksoze me pesë yje, në mes të natës ose në mes të ditës. Bordellot e këtij qyteti do të kishin treguar shumë histori, sikur të gjenin veshë për t’i dëgjuar.

Vajza me porosi, djem me qira, prostituta të vjetra që rriheshin, abuzoheshin e kërcënoheshin nga klientët që dukej sikur kërkonin shkakun më të vogël për ta humbur durimin, transseksualë që nuk shkonin kurrë në polici se e dinin që do t’i ndëshkonin për së dyti. Fëmijë që kishin frikë nga ndonjë pjesëtar i familjes, nuse të reja që kishin frikë nga vjehrri ose kunati, infermiere, mësuese dhe sekretare që ngacmoheshin nga dashnorë të magjepsur vetëm se nuk kishin pranuar të shoqëroheshin me ta në të shkuarën, gra shtëpiake që nuk flisnin kurrë një fjalë, se nuk kishte fjalë në këtë kulturë për të përshkruar dhunimin martesor.

????????????????????????????????????

Ndodhte gjatë gjithë kohës. I fshehur nën mantelin e heshtjes që turpëronte viktimat dhe mbonte agresorët, Stambolli e njihte mirë abuzimin seksual. Në këtë qytet ku të gjithë ua kishin frikën të panjohurve, shumica e sulmeve vinin nga ata që ishin shumë të njohur apo shumë të afërt.

(Pjesë nga libri ‘Tri bijat e EVËS’ nga Elif Shafak)

Të ngjajshme