27 Qershor, 2019 - 10:00 am
Libri i saj online është klikuar plot 10 mijë herë. Një shifër goxha premtuese në një kohë kur të rinjtë, më shumë se sa për të lexuar libra, i mbajnë celularët në duar për të lundruar në rrjetet sociale.
“Më quajnë Xhulia”, është libri i studentes Hiljana Biba. Xhulia është një 17-vjeçare adoleshente në Tiranë. Në faqet e këtij libri, Hiljana tregon pa censurë të gjitha dëshirat, pasionet dhe dilemat e një të riu në kryeqytet.
Hiljana ka një shkrimtar të preferuar, ai është Ismail Kadare. Megjithëse për një kohë të shkurtër, siç tregon ajo për Trending, sa herë që lexon një libër shkrimtari i saj i preferuar bëhet ai që lexon dhe e pëlqen.
Ajo tregon se librat online janë të suksesshëm, por si studente mjekësie që është, sqaron se libri që mbahet në dorë është më i shëndetshëm.
“Metoda ime për ta botuar librin online i është dedikuar atyre individëve që e shpenzojnë më shumë kohën në internet se sa mbi libra. Edhe nga ana shëndetësore është më mirë që një libër ta kesh në duar, ndërsa mënyra më e suksesshme është të botosh një libër online”, u shpreh Hiljana. /KultPlus.com