Studentja kosovare Fjollë Caka nderohet me çmimin George Washington në SHBA

26 Qershor, 2018 - 12:00 pm

Kosovarja Fjollë Caka, është shpërblyer me çmimin GW, një nga nderimet më prestigjioze të dhuruara nga Universiteti ”George Washington” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një çmim i tillë është ndarë për Fjollën falë kontributeve të saj të rëndësishme universitare para 25 mijë të pranishmëve në Qendrën Kombëtare në SHBA.

E diplomuar në nivelin Master për Zhvillim të Qëndrueshëm Urban, ajo ka përvojë në arkitekturë dhe sociologji në Prishtinë.

Që kur ajo është vendosur në Universitetin George Washington rreth dy vjet më parë falë një burse të fituar nga USAID për Transformimin e Lidershipit, Fjollë Caka u dallua me arritjet e saj të larta akademike dhe kontributet e shumta në jetën studentore dhe universitare. Sipas Profesorit John Carruthers, puna me Fjollë Cakajnë në Programin e Planifikimit të Qëndrueshëm Urban ka qenë një privilegj i vërtetë.

Ai pranon se e kishte nominuar atë për çmimin GW, sepse ajo përfaqëson më të mirën e atij Universiteti. “Fjolla është një studente e shquar dhe person frymëzues, e cila e ka dalluar veten në klasë dhe jashtë saj”.

Fjolla synon të përmirësojë mjedisin e ndërtuar dhe cilësinë e jetës së njerëzve.

“Besoj se me gjithë pasion, përkushtim dhe këmbëngulje të gjithë ne mund të kontribuojmë në ndërtimin e mjediseve më të shëndetshme dhe më të mira për të gjithë”, shprehet ajo, njofton Klan Kosova./ KultPlus.com

Të ngjajshme