10 Shkurt, 2025 - 11:42 pm
Pleksja e sferave të drejtësisë me atë të kinematografisë, jo vetëm si ndërthurje por edhe si ndërhyrje e imponim, është shqyrtuar në një studim të Jonida Gashit.
Kjo e fundit ka prezantuar në Galerinë Zeta, studimin “Kinemaja para gjyqit, nga kinokronikat e gjyqeve të popullit te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”.
Sipas saj, ideja ka nisur nga gjyqet e popullit që ishin procese politike kundër kundërshtarëve politikë ose atyre që shpalleshin si të tillë nga sistemi shtypës komunist.
“Kur i kam parë këto kronika të realizuara në fundin e viteve 40’ dhe në gjysmën e parë të viteve 1950, m’u dukën avangardiste. Në thelb avangardiste sepse kemi të bëjmë me një lloj konvergimi ose mbivendosje të këtyre dy sferave që synon drejt shkrirjes së artit me politikën, arti në këtë rast kinematografia e politikja, drejtësia”, tha Gashi.
Studimi ndahet në tre kapituj për tri periudha, ndërsa Jonida ndalet te dallimi mes fillimit dhe fundit.
“Në 10-vjeçarin e parë u hodhën praktikisht themelet e asaj që quhej ligjshmëria socialiste dhe artit të realizmit socialist, ndërsa gjatë periudhës së revolucionit kulturor, pati përpjekje për të radikalizuara sferën e drejtësisë përfshirja e njerëzve të zakonshëm ose masave punonjësve në dhënien e drejtësisë, në zbulimin e hetimin e gjykimin e krimeve dhe pak më vonë edhe për sferën e artit”, shtoi Jonida Gashi.
Botimi përqendrohet në dy momente kyçe: Dhjetëvjeçari i parë i vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe më pas periudha e revolucionit ideologjik dhe kulturor./euronews/ KultPlus.com