Studiues të letërsisë dhe gjuhëtarë analizojnë veprimtaritë e kryera dhe projektet për 2025

23 Janar, 2025 - 3:30 pm

Komisioni i përhershëm i gjuhësisë dhe i letërsisë, me studiues dhe gjuhëtarë, zhvilloi analizën mbi veprimtaritë e kryera gjatë vitit 2024 dhe projeksionet e vitit 2025.

Veprimtaria u zhvillua me praninë e zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Vasil Tole; drejtorit të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë akad. Valter Memisha; kryetares së Komisionit të gjuhësisë dhe të letërsisë prof. dr. Anila Omari dhe anëtarëve të këtij komisioni.

Prof. Anila Omari tha se për vitin 2024, peshën kryesore në veprimtaritë e Komisionit të Përhershëm të Gjuhësisë e të Letërsisë e kanë mbajtur punonjësit e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, të cilët, krahas veprimtarive të planifikuara dhe ato jashtë planit të vitit 2024, kanë kryer veprimtari edhe në bashkëpunim me Komisionin.

Prof. Omari e vuri theksin te njëra nga veprimtaritë më të rëndësishme të vitit të kaluar të organizuar nga Akademia e Shkencave: Tryeza shkencore ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, e cila është vlerësuar si konferenca më e rëndësishme e viteve të fundit në fushën e albanologjisë.

Më tej, prof. Omari përmendi Kuvendin Mbarëkombëtar të Gjuhës Shqipe, ku një peshë të rëndësishme mbajti bashkëdrejtuesi i projektit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, akad. Valter Memisha.

Pas raportit të analizës vjetore u bënë diskutime për çështje të ndryshme që meritojnë të zhvillohen në vitin në vazhdim, si disa probleme të drejtshkrimit të shqipes, strategjitë e kërkimit shkencor, çështje të letërsisë etj.

Në fund, u përcaktuan disa nga temat më të rëndësishme që duhet të trajtohen nga Komisioni i përhershëm i gjuhësisë dhe i letërsisë gjatë veprimtarive të vitit 2025./ KultPlus.com

Të ngjajshme