Studiueset shqiptare pjesë e Konferencës Ndërkombëtare të Baladës në Pragë

6 Shtator, 2018 - 1:30 pm

Në Konferencën Ndërkombëtare të Baladës në Pragë, të 48-tën me radhë, të organizuar nga Muzeu Etnografik i Çekisë dhe Kommission für Volksdichtung morën pjesë studiueset nga Instituti Albanologjik i Prishtinës: Leontina Gega-Musa, Lumnije Kadriu dhe Arbnora Dushi, përcjell KultPlus.

Tema qendrore e konferencës ishte Baladat dhe Kujtesa (Ballads and Memory), në të cilën studiueset në fjalë u prezantuan me temat mbi këngët arbëreshe për Skënderbeun si shprehje të kujtesës kolektive, si edhe për baladën popullore “Fryni era u çel taraba”, si inifikuese të rrethanave historike e veçorive kombëtare, bazuar në praninë e varianteve të saj në folklor, por edhe në rikrijimet artistike në letërsi, dramë e balet.

Gjithashtu në këtë konferencë u prezantua edhe studiuesja Olimbi Velaj nga Durrësi me dramën e mërgimit në kujtesën personale dhe kolektive, të shprehur nëpërmjet këngës polifonike “Vajzë e valëve”.

Për çështjet e kujtesës në balada dhe këngë popullore për katër ditë sa zgjati kjo konferencë, me tema dhe diskutime u paraqitën studiues nga Skocia, Anglia, Ëellsi, Sllovenia, Kroacia, Spanja, Portugalia, Serbia, Rumania, Korea e jugut, Japonia, Afrika e jugut, Italia, Franca, Hungaria, Çekia, Suedia.

Prezantimet për folklorin shqiptar, nga studiueset e Kosovës e të Shqipërisë, u pritën mirë dhe zgjuan interesimin e studiuesve të huaj të pranishëm. Vlen këtu të përmendet gjithashtu që studiuesja Arbnora Dushi, nga viti i kaluar është zgjedhur në postin e nënkryetares së Komisionit Ndërkombëtar të Baladës, të njohur si Kommission für Volksdichtung./ KultPlus.com

Të ngjajshme