Studiuesit përkujtojnë Jakov Xoxën në 100 vjetorin e lindjes

16 Prill, 2023 - 10:30 pm

Shkrimtari Jakov Xoxa është kujtuar në 100-vjetorin e lindjes në një takim me ish studentë të tij, kritikë letrare e të afërm. I njohur kryesisht për “Lumin e vdekur” i biri Agron Xoxa, Bashkim Kuçuku e Primo Shllaku e portretizuan sa si njeri të thjeshtë po aq edhe të tërhequr, si një pedagog të mirë që mungonte shumë dhe si një shkrimtar të lirë që nuk shfaqej shpesh ne Lidhje.

“Jakovi nuk ka qenë prindi edukator klasik, këtë rol ia kishte lënë Dhuratës, mamasë”, shprehet Agron Xoxa.

“Me një motor “Java” të kuq  nisej të hënën për në Apolloni dhe vinte të shtunën”, thotë Bashkim Kuçuku.

“Kam idenë se ai ishte një njeri shumë për ngut, shumë i nxituar. Ose edhe mund të jetë që e kishte me (bërë me) be, të rrinte sa më pak me njerëz”, shprehet, Primo Shllaku.

Studiuesit e letërsisë e lëvruesit e saj, megjithatë nuk bien dakord nëse ai lëvroi realizmin apo realizmin socialist. A mund t’i shpëtohej këtij të fundit në kohët e dogmë?  Dallimi mes realizmit dhe realizmit socialist, vjen sa si luftë brezash po aq qasjesh e vlerash.

“Nuk është problemi që Jakovi jep ideologjinë, Jakovi jep kohën ju lutem, jep kohën”, thotë Shllaku.

“Megjithë rrethanat e kohës, Jakov Xoxa ishte shkrimtar realist me taban dhe unë nuk arrij të kuptoj se si mund të mos zhvillohet një shkrimtar i tillë në tekstet e shkollës sonë. Është një problem shumë i madh kjo ndodh sepse edhe ata që hartojnë programet e bëjnë tekstet nisen në mënyrë sipërfaqshme nga pikëpamjet pak dilentanteske e pak jo profesioniste të shumë njerëzve që kanë marrë guximin të gjykojnë letërsinë. Edhe një shkrimtar që ka përfaqësuar letërsinë e realizmit socialist në mënyrën më tipike, edhe ai përfshihet sepse përfaqëson një proces. Është tjetër gjë pastaj qëndrimi që mbahet”, shprehet Floresha Dado.

“Nëse e themi që romani nuk është i realizmit socialist, duam të shkpëtojmë Jakovin, nëse themi  që është i realizmit socialist po është i mirë, duam të shpëtojmë realizmin socialist.  Në fund të romanit ai jep idenë se do vijë partia edhe do zgjidhë problemin se do krijojë ideologji përbashkuese. Në këtë pikëpamjhe unë e shoh skemën komplet marksiste pavarësisht se është i drejtë konstatimi”, tha Shllaku.

Xoxa ka shkruar romane, drama, e reportazhe./Ballkanweb/KultPlus.com

Të ngjajshme