21 Gusht, 2017 - 11:14 am
Kështu vlerëson historiani i njohur Jusuf Buxhovi, me ç’rast ai sqaron edhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjë me fanatizmin antishkencor të shumë historianëve zyrtarë të Tiranës dhe Prishtinës që të ruhen stereotipet ideologjike të së kaluarës (ato që kanë të bëjnë me origjinën pellazge) si dhe “reçetat” e Beogradit rreth gjoja “shtetit mesjetar” serb në Kosovë, që asnjëherë nuk ka ekzistuar!
“Milosa”: Ribotimi i Kongresit të Berlinit sjell në vëmendjen e publikut dokumentet, aktet dhe letrat e shumë subjekteve. Pse i sollët sërish për publikun shqiptar?
J. Buxhovi: Libri “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878” i takon filleve të punës sime hulumtuese shkencore në historiografi nga fillimi i viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Ky libër monografik mbështetet mbi temën e magjistraturës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane”, e mbrojtur në vitin 1979 në katedrën e Historisë së Universitetit të Kosovës. Botimi i vitit 2008, ishte një rast i mirë që tema e magjistraturës të plotësohet me një kundrim më të gjerë të problematikës, duke u parë në tërësinë e Kongresit të Berlinit, gjë që asaj i ka dhënë një dimension më të thellë.
“Milosao”:Juve personalisht jeni i ndarë mes kërkimeve, publicistikës dhe sidomos krijimit letrar. Sa e ndihmojnë njëra-tjetrën përpjekjet individuale në disa fusha?
J. Buxhovi: Publicistikën e kam profesion të mirëfilltë jetësor. E kam filluar në vitin 1967 si gazetar i “Rilindjes” për ta vazhduar dhe përfunduar në vitin 2008 në Bon të Gjermanisë si korrespodent i përhershëm i kësaj të përditshme shqiptare në këtë vend. Pra, për dyzet vjet pune aktive, gazetaria më ka ndihmuar shumanshëm. Megjithatë, gazetaria mund të jetë e dëmshme në krijimtarinë letrare, po qe se nuk lirohesh nga sipërfaqësia e saj, dhe veçmas e papërshtatshme në fushën e hulumtimeve shkencore, po qe se faktografia mbetet në nivelin e trajtimit publicistik.
“Milosao”: Çfarë pasojash ka sjellë Kongresi i Berlinit prej vitit 1878, në ditët tona. A mendoni se ky ishte shkaku kryesor që mori trajtë Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe u përmirësua përpjekja për pavarësinë e vendit?
J. Buxhovi: Kongresi i Berlinit i vitit 1878 duhet parë në frymën e zhvillimeve të njohura që solli Kriza Lindore, me çka u bë e ditur se fundi i Perandorisë Osmane në pjesën evropiane do të përcillej me lëvizje të mëdha gjeostrategjike, të cilat, duhej të mbaheshin nën mbikëqyrje nga Fuqitë e Mëdha të kohës, veçmas pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1871 dhe shfaqjes së saj në skenën politike si faktor i rëndësishëm. Meqë pansllavizmi rus në këtë hapësirë ishte shumë aktiv dhe po përdorte lëvizjet nacionale të botës ortodokse (grekëve, serbëve, malaziasve, rumunëve dhe bullgarëve) për interesa të veta, atëherë ishte e natyrshme që edhe oponentët e saj, Austro-hungaria dhe Italia të përdornin lëvizjet tjera nacionale, veçmas atë të shqiptarëve për qëllime të veta, pra që të mbrojnë interesat e tyre në hapësirën evropiane te Perandorisë Osmane.
Në këto rrethana, pas luftës serbo-turke të vitit 1877 dhe asaj ruse-turke të vitit 1878, pra pas Paqes së Shën Stefanit, e cila Serbisë i lejoi zgjerim në pjesët shqiptare (nga Nishi deri në Kurshumli) si dhe krijoi Bullgarinë e Madhe (ku u prekën edhe disa pjesë të etnisë shqiptare), ishte i pashmangshëm edhe reagimi shqiptar, që pasoi me thirrjen e Lidhjes Shqiptare në Prizren disa ditë para se Kongresi i Berlinit të fillonte punimet.
Natyrisht se për një reagim të tillë të shqiptarëve, që si dihet, filloi me moton e “mbrojtjes së vatanit nga copëtimet sllave dhe greke” dhe përfundoi me një lëvizje politike ndër më të fuqishmet që i hapën rrugë zhvillimeve që do të çojnë tridhjetë e katër vite më vonë deri te shpallja e shtetit të pavarur shqiptare, ishin të interesuar edhe fuqitë qendrore (Austrohungaria, Gjermani dhe Itali), siç ishte e interesuar edhe vetë Perandoria Osmane, e cila te reagimi i shqiptarëve për të mbrojtur tokat e tyre, shihte mundësinë për t’i shpëtuar trysnisë ruse. Ka shumë dokumente mbi të cilat mbështeten këto qëndrime, vlerësimi analitik i të cilave, nxjerr në pah pjekurinë politike të elitës politike shqiptare të Kohës që procesi i pashmangshëm i rënies së Perandorisë Osmane të shfrytëzohet që ai të jetë në përputhje edhe me interesat e atyre fuqive të mëdha të cilat pansllavizmit mund t’i kundërvihen me futjen në lojë të kartës së faktorit shqiptar, që nuk mund të ishte tjetër pos me lindjen e një shteti shqiptar, pa marrë parasysh përmasat e tij etnike.
Shikuar nga këndvështrimi historik, Lidhja Shqiptarëve e Prizrenit e vitit 1878, në arenën ndërkombëtare, e promovoi politikisht nacionalizmin shqiptar, siç e vuri në binarët e pashmangshëm dhe të pandalshëm pavarësinë e Shqipërisë.
“Milosao”: Kush ju ka ndihur në këtë përpjekje të stërmadhe dhe a mendoni se keni pasur pengesa në punën tuaj?
J. Buxhovi: Puna ime hulumtuese dhe shkencore duhet parë në kuadër të zhvillimeve shoqërore dhe politike të kohës. Pra, ato të viteve të gjashtëdhjeta, shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta nëpër të cilat kaloi Kosova, që lidhen me emancipimin politik, kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve, që pas ndryshimeve kushtetuese të viteve 1968-1974, u hapën rrugë edhe krijimit të institucioneve kombëtare, siç ishte Universitetit i Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve si dhe instituteve të tjera hulumtuese shkencore, ku një rol të madh pati edhe veprimtaria botuese në gjuhën shqipe që drejtonte “Rilindja” e të tjera. Këtyre zhvillimeve duhet shtuar edhe bashkëpunimi kulturor dhe arsimor me Shqipërinë, i vendosur zyrtarisht në vitin 1968 në marrëveshjen e parë midis Tiranës dhe Prishtinës, me ç’rast, midis Tiranës dhe Prishtinës filloi këmbimi i teksteve shkollore, librave si dhe profesorëve në të dy universitetet, shkëmbim ky që dobi të mëdha i solli Kosovës. Tirana dhe Prishtina asokohe harmonizonin qëndrime edhe rreth disa projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe shkencore aty ku kishte mundësi. Meqë si gazetar isha i akredituar në Bon dhe po merresha me hulumtimin e dokumenteve të Kongresit të Berlinit, çarqet shkencore në Prishtinë dhe Tiranë (Dr. Ali Hadri, Aleks Buda dhe Arben Puto) insistuan që këtë angazhim ta ktheja në vokacion të përhershëm hulumtues shkencor, gjë që edhe kështu ndodhi. Pra, në punën time hulumtuese, si mentor të parë, kam pasur akademik Ali Hadrin dhe profesor Aleks Budën, me të cilën kam bashkëpunuar deri në vitin 1981, kur do të ndërpritet dhunshëm nga ana jugosllave pas ngjarjeve të vitit 1981. Megjithatë, ndryshimin e njohur të rrethanave politike dhe shoqërore të atyre viteve, jam munduar që ta përballoj me punë individuale në Gjermani, duke iu përkushtuar hulumtimit nëpër arkivat gjermane, në mënyrë që të rrumbullakoj sa më shumë që të jetë e mundur punën e nisur në vitet e shtatëdhjeta.
“Milosao”: Në kërkimet tuaja të vazhdueshme, ju jeni përballur me dokumente autentike. A mund të na thoni, ka pasur përpjekje për manipulime nga fqinjët apo nga kancelaritë ndërkombëtare?
J. Buxhovi: Mund të thuhet pa hezitim se e gjithë problematika e studimit të dokumenteve të Kongresit të Berlinit dhe atyre që solli kjo ngjarje, për çdo studiues të mirëfilltë shqiptar, përcillet me anatemën e manipulimit dhe falsifikimit të tyre të qëllimshëm në njërën anë si dhe të stereotipeve ideologjike në tjetrën anë. Manipulimi dhe falsifikimi i këtyre dokumenteve gjithsesi se lidhet me historiografinë serbomadhe të Beogradit, po edhe të Moskës dhe Athinës për qëllime të njohura hegjemoniste që lidhen me projektet antishqiptare siç ishin “Naçërtanja” e Garashaninit e vitit 1844 dhe ajo e “Megaloidhesë” greke e po të njëjtës kohë si dhe ato të historiografisë ruse. Kongresi i Berlinit si dhe vendimet e njohura të tij, kanë paraqitur referencën emblematike të manipulimit të këtyre qendrave në mënyrë permanente nga falsifikimi i tyre e deri te keqinterpretimet e qëllimshme, që për moto kishin fabrikimin e gënjeshtrës rreth “shqiptarëve ardhacakë dhe pa histori”, “shqiptarëve mbetje e mjegulluar osmane dhe fundamentalistë të rrezikshëm islamikë” e të ngjashme, me çka atyre duhej jo vetëm t’u mohohej shteti, por, për hir “të interesave të mëdha evropiane”, Beogradit, Athinës e të tjerëve, t’u lejohej qërimi i hesapeve me ta, deri te etnogjenocidi!
Kur shikohen mirë e mirë nga të gjitha këndet të gjitha dokumentet e Kongresit të Berlinit, një pjesë të të cilave kam sjellë në librin tim, veçmas letrat e dërguara nga të gjitha viset shqiptare (124 sosh), del se një pjesë të tyre mund të thuhet se janë shkruar edhe nga konsuj rusë e grekë, nga klerikë ortodoksë dhe agjentë të tjerë të Beogradit, Athinës dhe Moskës, po edhe nga ndonjë konsull austriak. Këtë të fundi, madje e pranon edhe Andrashi, ministër i jashtë i Austrohugarisë në memoaret e tij, me ç’rast zbulon se “Vjena ka punuar që në nga disa qendra shqiptare të vinë letra dhe telegrame që na duheshin”. Këto “ndërhyrje” nuk ua humbin vlerën kërkesave autentike të shqiptarëve, veçse bëjnë të ditur se midis tyre ka pasur edhe të dirigjuara në përputhje me interesat tjera, gjë që historiografisë sonë i mbetet që ato t’i deshifrojë dhe t’i interpretojë mirë e mirë.
“Milosao”: A mendoni se Lidhja e Prizrenit ka trajtime të ndryshme në Shqipëri e Kosovë? Nuk duket se një pjesë e studiuesve nuk kanë parë dokumentet origjinale?
J. Buxhovi: Arsyet e njohura ideologjike dhe ato që shqiptarët nga 1912 janë i ndanë dhunshëm në realitetet shoqërore dhe politike të ndryshme kanë sjellë edhe qëndrime të ndryshme, ku në njërën anë, nga Tirana zyrtare është imponuar qëndrimi se nga Europa dhe Perëndimi shqiptarëve u kanë ardhur të gjitha të këqijat, se perëndimi nuk i ka dashtë shqiptarët e të ngjashme, gjë që kjo ka justifikuar izolimin dhe mbylljen komuniste, ndërsa në tjetrën anë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është dashtë të shihet vetëm si përpjekje për autonomi, që si e tillë të “justifikojë” statusin politik të shqiptarëve në Jugosllavi e të ngjashme, sado që pjesa më e madhe e historianëve të Kosovës, konceptin e autonomisë e kanë parë si proces, që shkon tutje, e jo si gjendje statike, kundrim ky që ka qenë i ngjashëm edhe me qëndrimin politik të intelektualëve shqiptarë dhe të një pjese të klasës politike…
Krahas këtyre stereotipeve, që për fat të keq, ende gjithnjë mbahen te një pjesë e historianëve tanë (sidomos atyre në Tiranë) nga shkaku se kanë doktoruar dhe shkruar libra, siç kanë fituar edhe tituj “akademikë” e të tjera gjatë kohës së diktaturës komuniste, sot e gjithëditën mungon edhe vullneti i qëllimshëm për ballafaqimin me dokumentet origjinale. Them kështu, ngaqë ka dhjetë vite që kam sjellë dokumentet origjinale të Kongresit të Berlinit në origjinal (frëngjisht dhe gjermanisht), të nxjerra nga Arkivi Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon (të autorizuara nga botuesi gjerman“Gisen”) e të përcjella edhe me përkthimin në gjuhën shqipe, ndërsa që historianë nga Tirana dhe Prishtina edhe në tutje citojnë versionin e cunguar dhe të filtruar të dokumenteve që sjell Haxhivasilevi, Gjorgjeviqi dhe historianë të tjerë serbë! Ç’është më keq, disa pedagogë të kësaj mendësie, pengojnë studentët që marrin guximin të citojnë librin tim, meqë kjo ua rrënon “kredibilitetin” veprave të tyre!
“Milosao”: Historianët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë pasur një lloj tutele të diktuar nga regjimet respektive. A mendoni se ka ardhur koha që duhet të ketë një trajtim kombëtar shqiptaro-kosovar sa i përket rëndësisë së Kongresit të Berlinit?
J. Buxhovi: Tutela e regjimit represiv komunist është dashtë të marrë fund me rënien e komunizmit, siç ka ndodhur edhe në vendet tjera. Por, për fat të keq, ajo po vazhdon për arsyet që i ceka më sipër. Kujtoj se historiografia jonë duhet të ketë qëndrim shkencor jo vetëm sa i përket Kongresit të Berlinit, por të gjitha çështjeve të tjera. Kjo do ta nxjerrë në pah edhe komponentin kombëtar.
“Milosao”: Sa i vështirë ka qenë për Ju hulumtimi në arkivat gjermane dhe sa kohë ju është dashur t’i grumbulloni këto materiale?
J. Buxhovi: Të qenit gazetar (korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” në Gjermani, i akredituar pranë qeverisë gjermane) më ka krijuar mundësi të mëdha edhe formale që t’u qasem dokumenteve pa ndonjë vështirësi. Meqë fokusimi im hulumtues ka qenë Kongresi i Berlinit, ishte e natyrshme përqendrimi te shqyrtimi dhe vjelja e dokumenteve të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Bon. Aty kam punuar nga mesi i viteve të shtatëdhjeta e deri në vitin 2008, ku kam klasifikuar mbi pesë mijë dokumente që kanë të bëjnë me Krizën Lindore, Kongresin e Berlinit dhe çështjen shqiptare nga viti 1865 e deri në vitin 1912. Pjesa më e madhe e këtyre dokumenteve ruhet në arkivin tim personal, ngaqë nuk ia kam dalë t’u siguroj vend në Arkivin e Kosovës dhe atë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Sepse, këto institucione, për arsye “të pakuptueshme”, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë as siguri e as trajtim shkencor!
“Milosao: mendoni se ishte e arsyeshme ajo që përcaktoi në konkluzionet e veta Lidhja e Prizrenit, sa i përket mbrojtjes nga copëtimi i trojeve shqiptare dhe autonomi nën Turqinë?
J. Buxhovi: Qëndrimet dhe vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë në përputhje me rrethanat si dhe zhvillimet historike të kohës, në të cilat u gjenden shqiptarët, kur ata në njërën anë rrezikoheshin nga hegjemonizmi i fqinjëve sllavë dhe grekë dhe në tjetrën anë rrezikoheshin nga shembja e shpejtë e perandorisë osmane. Mbrojtja e interesave kombëtare asokohe mund të sigurohej nëpërmes kërkesës për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare (krijimi i një Shqipërie osmane, që në të vërtetë doli nga kërkesat e katërmbëdhjetë pikëshit të Hasan Prishtinës në Shkup, në gusht të vitit 1912), që nënkuptonte lirimin nga koncepti i “miletit osman” ku gjendeshin dhe një formule kompromisi që do ta arrinte Perandoria Osmane me fuqitë evropiane të boshtit (Austrohungarinë dhe Italinë). Pa marrë parasysh si rrodhën ngjarjet deri në nëntor të vitit 1912 dhe nëpër ç’katrahurë kaluan shqiptarët, megjithatë epilogu i këtij zhvillimi ishte i përcaktuar nga programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe platformës kombëtare që doli prej saj. Pa këtë ngjarje, nuk do të kishte as Shqipëri e as komb shqiptar.
“Milosao”: Keni mbaruar dhe një kolanë historike të Kosovës, cilat janë planet tuaja më të afërta?
J. Buxhovi: “Kosova” në pesë libra, e botuar midis viteve 2012-2015, për t’u përfunduar, duhet të plotësohet edhe me tri vëllime të tjera (VI,VII dhe VIII), me çka përmbyllet koncepti im që ky libër në tetë vëllime të paraqesë një kontribut shkencor për historinë e Shqipërisë së natyrshme dhe të Shqiptarëve nga antikiteti e deri te koha jonë. Pres që tri librat tjera të përfundojnë nga fundi i vitit të ardhshëm. / KultPlus.com
Jusuf Buxhovi në një intervistë për revistën “Milosao” të Tiranës.