Studiuesja kroate boton Fjalorin ‘Kroatisht-Arbënisht’

5 Nëntor, 2020 - 5:28 pm

Maksimiljana Barančić, profesoreshë në Zarë të Kroacisë ka botuar pak ditë më parë “Fjalorin Kroatisht-Arbënisht të shoqëruar me gramatikë”.

Për fjalorin e ri që sapo botoi, thotë se i janë dashur dy vite punë, për të organizuar hulumtimet e bëra për një kohë shumë të gjatë. Gjithçka filloi me një doktoraturë me temën: “Fjalori i dialektit Arbënesh në Zarë, si një reflektim i prekjeve gjuhësore”.

Puna e madhe studiore që ajo ka bërë me këtë botim është vlerësuar me Çmimin e Qytetit të Zarës: “Gardiane e identitetit gjuhësor, historik dhe kulturor të Arbanasit (qytezës arbëneshe në Zarë)”. Çmimi është akorduar me motivacionin: “Për suksese dhe rezultate të dalluara në fushën e kulturës dhe të arsimit”. Profesoreshë Maksimiljana Barančić, anëtare e Këshillit Koordinator të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, është pedagoge e njohur e anglishtes dhe e rusishtes në Universitetin e Zarës, tashmë është e njohur gjerësisht për publikun për angazhimin e saj në ruajtjen e identitetit gjuhësor, historik dhe kulturor të arbëneshëve.

Ajo shkruan dhe boton libra mbi personalitete kroate dhe arbëneshe, dhe është Presidente e Shoqatës Kulturore – Artistike “Vicko Zmajeviç”, në kuadër të së cilës realizon kurse të gjuhës shqipe të dialektit arbënesh, prej gjashtë vitesh.

E pyetur rreth motivimit për punën e saj, thotë se: “Më pëlqen ta bëj. Unë e dua librin dhe Arbëneshin tim. Unë vazhdimisht jam duke studiuar dhe komunikuar me folësit, gjuha është një krijim i gjallë”. Ajo është vlerësuar edhe më parë nga ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe tani shprehet se është e lumtur që qyteti i saj ia ka njohur punën dhe përpjekjen, si dhe dëshirën saj për ta shpëtuar Arbënishten. Ajo theksoi se fëmijët e komunitetit shqiptar të Zarës janë të interesuar të mësojnë një gjuhën e tyre amtare dhe se ajo vazhdimisht i motivon ata. Një interes i tillë i shton shpresat për ruajtjen e gjuhës. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Të ngjajshme