Suad Arilla publikon veprën “Libri i kujtimeve dhe i harresës”, si një përpjekje për shpalosje brendie

18 Dhjetor, 2020 - 10:35 pm

Betejën e brendisë së njeriut mes kujtimeve të cilat rrojnë në mendje dhe përpjekjen e tyre për kalim në pluhurin e harresës, autori Suad Arilla i ka vendosur nëpërmjet lapsit në letër. Shkrimtari i ri ka sjellur librin e tij të parë me një titull simbolik “Libri i kujtimeve dhe i harresës”, shkruan KultPlus.

Arilla kishte mbushur fletët e tij për një periudhë të gjatë, gjithnjë duke ëndërruar që një ditë këto fletë të bashkoheshin në një vepër të kompletuar. Sukseset që arriti duke qenë konkurrues në “Libri i Karantinës’’ dhe fitues i çmimit për autorët e rinj në kuadër të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit e bën që këto përpjekje të tij të takojnë realitetin.

“Libri i kujtimeve dhe i harresës” nga juria e përzgjedhur nga QKLL u vlerësua si një roman që përcjell te lexuesi luftën e brendshme të personazheve, andaj KultPlus realizoi një intervistë me autorin i cili kishte shpalosur me fjalën e tij dimensione të ndryshme të protagonistëve.

Që nga takimi i parë i fletës me lapsin e deri te botimi, të gjitha këto procese deri në dritëdaljen e veprës, Suadit i kishin marrë 3 vite, teksa periudhën e pandemisë e kishte shfrytëzuar për redaktimin e “Libri i kujtimeve dhe i harresës”.

“Umberto Eco shprehej shpesh se shkrimtarët nguten të shkruajnë dhe botojnë libra sa më shpesh, madje edhe për çdo vit; kur ajo që sugjeron ai është të shijuarit e procesit të shkrimit dhe ripunimit të një libri, si diçka thuajse intime”, shprehet autori Arilla.

Romani ka 3 linja rrëfimi, përderisa sipas tij pjesa më e rëndësishme është ndikimi që ka e shkuara dhe kujtimet në përditshmërinë e personazheve.

“Kujtimet ose e shkuara jonë në tërësi janë ato çfarë na personifikojnë totalisht neve si njerëz. Në asnjë rast, ne nuk mund të jemi njerëzit e sotshëm pa marrë parasysh kush ishim dje. Mirëpo kujtimet, të mira apo të këqia qofshin, jo vetëm që mbesin pas në jetën tonë, por herë pas here kthehen dhe ndikojnë ditët tona. Ndaj ne jemi të “bekuar” me harresën, që ditë pas ditë, të kemi shansin të zgjohemi e të ndihemi njerëz të rinj”, vlerëson Suad Arilla.

Pikërisht këto botëkuptime të tij mes këtyre dy koncepteve e shtyen që t’i linte vend në titullin e veprës. Ndërkaq ai ka edhe përtej kësaj për emërtimin.

“Emri “libri” në titull, vjen si rrezultat i rrëfyesit të romanit, sepse aty pretendoj se kam bërë një “lojë” të bukur për lexuesin”, thotë shkrimtari.

Personazhi kryesor i veprës “Libri i kujtimeve dhe i harresës” është Golemi, për të cilin autori thotë se nuk ka antagonist, por herë pas here është vetë heroi pozitiv dhe negativ.

“Golemi, ndeshet në jetën e tij me shumëçka dhe kupton që është i paaftë, e ka të pamundur, është gjetur i papërgatitur për t’ia dalë mbanë, po aq sa jeta e tij shpesh herë kushtëzohet nga rrethana tjera që s’janë në dorën e tij”, sqaron Arilla.

Mirëpo, pavarësisht ndikuesve të jashtëm, shkrimtari ka dashur që vëmendjen e rrëfimit ta dërgoj drejt të brendshmes.

“Me gjithë sa jam përpjekur, jo vetëm me Golemin, por edhe me personazhet e tjerë, kam dashur të paraqes se ajo që ndodh jashtë nesh nganjëherë është shumë më e vogël se ajo që ndodh brenda nesh, në shpirtin tonë. Ajo që më intereson mua është të di ose të shpreh se si bota e jashtme ndikon tek ne apo reagimet tona të brendshme ndaj botës së jashtme.”, thotë autori.

Tutje, ai thekson se për të nuk është e rëndësishme se kush janë këto personazhe, aspekti vizuel i tyre, jeta që e çojnë dhe vendi ku frymojnë. Por, ajo që Arillës ia ngacmon vëmendjen është thellimi në një botë më të gjerë se kaq.

“Për mua ka shumë rëndësi që të shpreh botën e padukshme njerëzore, atë që ndodhet brenda lëkurës së secilit prej nesh, që nuk shihet as lexohet, mirëpo ne mund ta dallojmë vetëm nëpërmjet shpërthimeve të herë pas hershme”, shprehet Suad Arilla.

Autori i veprës “Libri i kujtimeve dhe i harresës” sqaron se ai shpreson se fokusi i të shkruarit të tij do të vazhdon të jetë në betejat e brendshme.

“Më intereson të di si ndihen njerëzit kur dikush largohet, kur dikush vdes, kur dikush rebelohet, kur dikush pendohet”, thekson ai.

Ndërkaq në pyetjen e vlerësimeve nga lexuesit ai tregohet modest, duke thënë se libri duhet të ‘shëtit’ ende në shumë diskutime e klube lexuesish për t’u përgjigjur.

“Publiku mund të reagojë menjëherë, pas 6 muajsh apo pas 10 vitesh nëse libri e bën rrugën e vet. Unë do shpresoja shumë vetëm që lexuesi shqiptar të mund të kthente kokën nga autorët vendas që po bëjnë letërsi të mirë dhe të mos i neglizhojnë”, shpreh dëshirën e tij Suad Arilla.

Në anën tjetër, ai beson se të gjitha temat e mundshme që mund të shkruhen si libër, janë konsumuar prej kohësh.

“Unë kam vendosur që për të sjellë diçka origjinale në letërsi ta bëj në dy mënyra: duke eksperimentuar me zhanret dhe format e rrëfimit. Kështu e nisa që me romanin e parë. Qasja ime do vazhdojë të jetë e lidhur me përplasjet në botën e brendshme njerëzore dhe eksplorimi i saj, të vendosura në një konteks social që përbën shqetësim për kohën dhe vendin ku jetojmë”, thotë Arilla.

Në fund, ai vlerëson se pavarësisht se preferon të mos kapet për detaje të kohës e vendeve, sërish letërsia që ai e bën nëpërmjet shkrimit nuk e shmang dot realitetin ku jetoj. / KultPlus.com

Të ngjajshme