17 Dhjetor, 2022 - 3:07 pm
Uranik Emini
Fotografitë: Nok Selmani
Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffee Gallery në një vijë me emocionet e mëdha u eksploruan fuqitë e jashtëzakonshme të poezisë. Të pranishmit e mbledhur për të përcjellur nga afër konkursin mbarëkombëtar të poezisë të organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”, u bënë dëshmitarë të asaj se poezia nuk ka një përkufizim të saktë – asnjë të vërtetë të përgjithshme që vlen për të gjitha poezitë, por ndjesitë që vijnë prej saj janë diçka që nuk mund të kontrollohen, as të përkufizohen, por vetëm të shijohen e përjetohen, shkruan KultPlus.
Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, me ç’rast në natën finale të edicionit të pestë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra.
Por fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatorja Vlora Merovci.
“Përgjatë këtyre viteve, për pesë edicione ka kaluar numri i mbi një mijë poezive që kanë arritë ne adresë të KultPlus, e që e dëshmon edhe më fuqishëm se “KultStrofa” është gara poetike me e adhuruar ndër poetet”, thotë Merovci.
Sipas saj, ky edicion i ka mbledhur mbi 200 poezi të cilat kanë ardhur në KultPlus pas thirrjes së hapur e më pas ato poezi janë vlerësuar e që në fakt nuk ka qenë fare e lehtë për ta.
“Ndërkohë ju kujtojmë se përgjatë edicioneve të shkuara, fitues të KultStrofa kanë dalë: Ragip Syla, Arjola Zadrima, Merita Bërdica dhe Gentiana Bajrami Atashi”, shton tutje ajo.
Më pas, për një fjalë rasti është ftuar edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila u shpreh se të bësh një konkurs të tillë është një emocion shumë i madh.
“Është një emocion i madh që të shënojmë edicionin e pestë të KultStrofës e që po shkon çdo vit duke u bërë edhe më i rëndësishëm për gjithë komunitetin e poetëve në nivel mbarëkombëtar. Jam e nderuar për një juri kaq të mirë dhe profesionale që ka bashkëpunuar aq ngushtë për përzgjedhjen e 10 finalistëve. Dua të them diçka për KultStrofën. Unë që 2 muaj jam duke menduar aq gjatë sa jam shterruar se çka të them, pra është një emocion i madh që t’i mbledhim poetët e të gjitha trevave”.
Kult(Plus)ura thyen të gjitha barrierat
Pajaziti thotë tutje se përgjatë gjithë edicioneve të KultStrofës, poetë nga trevat shqiptare janë bërë bashkë dhe është dëshmuar se kultura nuk ka pasur kufi asnjëherë.
“Ne i kemi në 4 vite, dy poetë nga Shqipëria, e dy nga Kosova, që do të thotë se KultStrofa i ka thyer të gjitha barrierat. Kultura dihet se kufi nuk ka pasur asnjëherë, e këtë gjë po vazhdon ta dëshmoj e vazhdoj KultStrofa. Edhe finalistët e këtij edicioni janë nga Ulqini, Shkodra, Tirana, Prishtina, e me të vërtet është një emocion shumë i mirë dhe shumë i madh. KultStrofën nuk do të mund ta bëja vetë, pa stafin e KultPlusit. Po besoj shumë në shijën e Ornelës, Agut dhe Drenit, që do t’i dëgjoni e shijoni poezitë e natës së sotme, duke ju uruar kështu një mbrëmje shumë të mirë”, përfundon ajo.
Gjatë leximit të poezive, për një fjalë rasti është ftuar edhe njëri ndër anëtarët e jurisë, këngëtari i njohur, Dren Abazi, i cili tha se është një kënaqësi e madhe për të qenë aty.
“Është një kënaqësi që të jem mes jush. Nuk e shoh veten as si shkrimtar dhe si poet jo se jo. Meqenëse më ka ftuar Ardiana, dua të them se unë përpos që i kompozoj këngët, i shkruaj edhe tekstet. I kam lexuar të gjithë poezitë dhe mendoj që është kompetencë më e madhe e Agut dhe Ornelës që të flasin për poezitë. Kanë qenë diku 117 poezi dhe ka qenë vështirë që t’i zgjedhim më të mirat, por besoj që ia kemi arritur qëllimit”, tha ai.
Po ashtu, anëtari tjetër i jurisë së këtij konkursi, profesori Ag Apolloni, shpjegoi procesin e përzgjedhjes, derisa tha se gjithë poezitë e ardhura në adresë të KultPlus, sipas tij, janë fituese.
“KultPlusi është një platformë që na bën bashkë edhe kur jemi të gjithë bashkë tek shpija, sepse na bën që ta klikojmë së bashku. Në këtë konkurs kanë aplikuar mbi 200 poezi, por siç tha Dreni, kemi përzgjedhur për vlerësim 117, sepse disa janë diskualifikuar në momentin që janë pa se janë të publikuara. Në mesin e këtyre poezive kemi gjetur një top 10 dhe mandej tre fituesit. Unë mendoj se fitues kanë qenë të gjithë pjesëmarrësit, sepse na kanë dhënë një kënaqësi të leximit, por ashtu e do natyra, që disa të zgjedhen në mesin e të tjerave”, thotë Apolloni.
Në anën tjetër, kryetarja e jurisë për edicionin e pestë të KultStrofës, Ornela Vorpsi, tregon se u ndje shumë e befasuar dhe e lumtur në të njëjtën kohë, kur pranoi ftesën për të qenë pjesë e këtij edicioni.
“Kur Ardiana më ftoi, unë u preka jashtë mase sepse e di që të gjithë jemi shqiptarë, por të më thërras mua nga Shqipëria u befasova shumë dhe për këtë arsye erdha pasi nuk jam shumë njeri i dashuruar pas udhëtimeve, jam në punën time. I lexova poezitë me kujdes dhe vëmendje. Diçka që më preku dhe që ndoshta ndryshon nga shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë është se ndjeva një dimension jashtë mase patriotik te ju, që neve na mungon. Domethënë ishin nga poezitë ku kishte dashuri universale, por ajo e patriotizmit më preku jashtë mase. Në Shqipëri ne e kemi humbur këtë dimension”, shpjegon ajo.
Tutje, Vorpsi thotë se të shkruash poezi në ditët e sotme, marrë parasysh në epokën teknologjike që po jetojmë, është një akt rezistence në vete.
“Të shkruash poezi sot është një akt rezistence, sepse siç e dijmë të gjithë jemi në një epokë tjetër, asaj të teknologjisë dhe ku qejfet janë më të kollajta në telefon e tablet dhe poezia është tamam si një formë rezistence e një arti që mundohet të jetoj sërish. Kjo më pëlqen jashtë mase. Për mua të gjithë 117 janë fituese dhe saherë që hiqja ndonjë për të arritur në një dhjetëshe dhe treshe finale, më dhimbte zemra. Kështu që, i falënderoj të gjithë poetët që vazhdojnë këtë rrugë shumë të vështirë dhe i uroj gjithë të mirat. Falënderoj edhe Ardianën për këtë mbrëmjë që na dhuron dhe për ftesën që ma bëri”, thotë në fund kryetarja e jurisë, Vorpsi.
Emocionet janë pjesë e secilit njeri, e kur bëhet fjalë te poezia, kjo e fundit di të hy thellë në shpirtin e njeriut dhe të zgjojë ato emocione të cilat ne shpesh herë mendojmë se kishin vdekur dhe nuk kanë qenë kurrë aty.
Ndërkaq, finalistët e shpallur të këtij edicioni janë: Donika Berishaj, Eneida Gjonbalaj, Fatbardha Hasi, Argëzon Sulejmani, Zhaneta Barxhaj, Amina Kaja, Irsa Ruçi, Urim Dullovi, Fjolla Gashi dhe Ermira Alia.
Në mungesën fizike të tri autoreve finaliste, qe studentja e letërsisë Edlira Musliu ajo që interpretoi këndshëm poezinë “Histori e humbur” nga Eneida Gjonbalaj dhe poezinë e Ermira Alia “Frymë nën frymë”. Ndërsa, moderatorja Vlora Merovci e interpretoi poezinë e Irsa Ruçit, “Kur zoti puthi tokën”.
Vargjet e secilës poezi po kumbonin në atmosferën e mrekullueshme përpara të pranishmëve, derisa në fund erdhi edhe momenti i së vërtetës, ai i shpalljes së fituesve të çmimit “KultStrofa”. Fillimisht, u bë ndarja e mirënjohjëve për poetët: Donika Berishaj, Irsa Ruçi, Eneida Gjonabala,j Urim Dullovi, Amina Kaja, Argëzon Sulejmani, Fjolla Gashi.
Çmimi i tretë shkoi për poezinë “Frymë nën frymë” nga autorja shkodrane, Ermira Alia, derisa këtë çmim e ndau anëtari i jurisë, Dren Abazi.
Ndërkaq, vendin e dytë e ndau profesori Ag Apolloni, çmimi ky i cili shkoi për poezinë “Me dashtë” nga Fatbardha Hasi.
Autorja Zhaneta Barxhaj me poezinë “Hija”, mori çmimin e parë të edicionit të pestë të konkursit poetik “KultStrofa”. Ornela Vorpsi e bëri edhe ndarjen e çmimit, duke shpjeguar edhe arsyen pse kjo e fundit, sipas jurisë, mori çmimin kryesor.
“Kishte një gjuhë shqipe jashtë mase të pastër. Diçka që më bëri përshtypje në poezitë ishin fjalët e huazara nga gjuhët tjera. Por, kur shkruhet e punohet në një gjuhë sikurse të atdhuet edhe një gjuhë tjetër, sigurisht lëvrohet. Të huazosh fjalë totalisht të huaja s’më pëlqeu shumë, por në rastin e fitueses kemi një gjuhë shqipe të lëvëruar mjaftë mase bukur”, tha Vorpsi në dakordim me anëtarët e tjerë të jurisë.
Po ashtu fituesja e vendit të parë, Zhaneta Barxhaj theksoi se kjo është hera e parë që ajo po merr pjesë në një konkurs të tillë, derisa thotë se është munduar që në të gjithë krijmtarinë e saj t’i qëndrojë besnike gjuhës shqipe.
“Kur mora pjesë në këtë konkurs, ia thashë edhe Ardianës se unë thjeshtë e pava si një njoftim dhe vendosa të aplikoj. Kjo është hera e parë që unë marr pjesë në një konkurs të poezisë edhe pse kam lëvruar gjatë. Për mua poezia nuk ka fitues, sepse ajo është një ndjenjë dhe ne nuk mund të vlerësojmë ndjenjat dhe për mua të gjithë poetët janë fitues. Më preku Ornela me fjalët e saj, sepse unë në të gjithë krijimtarinë time jam munduar që t’i qëndroj besnike shqipes, t’i risjellë ato fjalë të cilat i kemi humbur, qoftë edhe për shkak të internetit dhe hapësirave tjera. Në qoftë se unë kam arritur ta ruaj të pastër gjuhën shqipe, është çmimi më i madh për mua”, tha ajo, derisa pranoi me shumë emocione çmimin e parë.
Kështu për të përmbyllur këtë edicion, edhe një herë fjalën e mori drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila ndau mirënjohjen vjetore për performancë të shkëlqyer në redaksinë e gazetës, dhe kjo mirënjohje iu dha gazetares Era Berisha.
“Në fakt ne tradicionalisht e kemi që ky tubim të shënojë pak edhe fundvitin dhe në mesin e mirënjohjeve dhe çmimeve tjera, është koha të rikthejmë kokën pak brenda KultPlus-it, që edhe pa qenë këtu e klikoni në shtëpi. Çdo vit e vlerësojmë dikë që ka punuar pak më shumë dhe ma me përkushtim. E kemi një vajzë shumë të re dhe e cila ka një energji të papame dhe një përshkrim që ndodhë në një të ardhme, edhe mund të shndërrohet në një romanciere shumë të mirë. Era e ka një performancë të shkëlqyer për këtë vit”, thotë Pajaziti.
Krejt në fund, u krijua një atmosferë e pakrahasueshme dhe e mbushur me plot lumturi, dashuri e miqësi që shënoi fundin e kësaj nate të paharrueshme për të gjithë të pranishmit që patën mundësi të përhumbeshin pas artit që e posedon poezia.
‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.
Ndërkaq, kjo mbrëmje kishte sponsor Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasadën e Francës në Kosovë Hotel Nartel dhe Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com