Sylë Maxhera promovon librin e ri poetik për fëmijë “Gati jam rritur” në KultPlus Caffe Gallery

23 Mars, 2022 - 8:00 pm

Libri për fëmijë i titulluar “Gati jam rritur” me autor Sylë Maxhera që së fundmi ka dalë nga shtypi, u promovua sot në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast nëpërmjet vargjeve, kuptimeve të tyre si dhe momenteve të ndara nga krijimi i librit, kjo ngjarje solli pranë vetes një numër të madh të të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Janë gjithsej 56 poezi për fëmijë të përmbledhura në librin “Gati jam rritur, libër ky që përpos poezisë, ka edhe mjaft ilustrime që i përshtaten poezive të këtij autori.

Librin “Gati jam rritur” autori e ka sjell për moshat e vogla, duke iu përshtatur dëshirave, kërkesave, ëndrrave dhe imagjinatës së tyre. E kjo më së miri dëshmohet atëherë kur merret parasysh se ilustrimet e këtij libri i ka bërë mbesa e tij 13 vjeçare, Riga Maxhera.

Kur ora shënoi fiks 18:30, të pranishmit zunë vendet e tyre për të dëgjuar nga afër panelistët. Për librin foli redaktori i librit Dan Ibrahimi, recensentja e librit Jonida Sheholli dhe vetë autori Sylë Maxhera.

Mbrëmjen e thirrur për këtë promovim e nisi recensetja Jonida Sheholli, e cila cilëson autorin si një poet që njeh mirë botën e fëmijëve.

“Maxhera që në krah bartë kitarën si talent njëkohësisht është edhe deklamues i shkëlqyer ashtu siç është edhe krijues i mrekullueshëm i artit poetik. Ai përmes poezisë së tij, na sjell një botë krejt tjetër prej krijuesve tjerë, na ofron krejt diçka ndryshe prej krijuesve të mëparshëm, një ëmbëlsi dhe sinqeritet të paparë. Prej këndit të tij, si një sy vështrues, perceptues, zaptues, përjetues, Maxhera futet në botën fëmijërore, me sinqeritetin, dëlirësinë, çiltërsinë, urtësinë dhe butësinë e tij shpirtërore; lundron nëpër mendjet e fëmijëve, zemrat e tyre engjëllore, në dëshirat, qejfet, kërkesat, lodrat, ëndrrat, imagjinatën. Një fëmijë kur ta ketë në duar librin e Maxherës, do të ketë gjithë çfarë dëshiron përpara, për arsye se i tërë horizonti i tij si fëmijë ndodhet në këtë libër. Fëmijët ndër të tjerash, do krijojë bindjen sikur e ka pranë vetë autorin, i cili ka ditur të shkruajë bukur”, thotë Sheholli.

Sipas saj, te Maxhera shihet njeriu i cili pa botën fëmijërore nuk mund të ruajë rininë e tij që e ka në zemër, që vitet s’ia lënë shenjë. Pra, artisti, jeton, frymon, vepron, krijon me dhe për fëmijët, ai sikur i ka “pikë të dobët” ata.

Ndërkaq, ajo thotë se Maxhera, tek të gjithë këto poezi, përpos se futet në botën fëmijërore dhe preokupohet me ta, dëshirat, qejfet, kërkesat, ai në mënyrë indirekte, përmes poezisë, flet edhe për dukuritë e liga të shoqërisë, që ia ulin pak shkëlqimin fëmijës.

“Shprehitë e këqija të njeriut të rritur krijojnë të ngjashme edhe tek fëmijët. Sa më e shëndoshë të jetë sjellja e të rriturve ndaj fëmijëve po aq edhe më e shëndoshë do të bëhet gjenerata e re e shoqërisë. Me poezitë e tij, Maxhera, bëhet një edukator për fëmijët dhe një këshillues për prindërit dhe gjithë ata që merren me edukimin e fëmijëve. Ai me kujdes shtjellon të gjitha temat, madje edhe ato më delikate, siç është bullizmi. Kur fëmija bullizohet, përqeshet, përbuzet, diskriminohet dhe si i atillë nuk pranohet në shoqëri, ndikon negativisht në shpirtin e tij, në hovin e zhvillimit të personalitetit të tij”, thotë ajo.

Për Shehollin, Maxhera në këto poezi trajton edhe vuajtjet e fëmijëve nga varfëria, Fëmijët skamnorë, të cilët gjithmonë janë të dalluar prej të tjerëve, se nuk e kanë fatin as mundësinë t’iu plotësohen ndoshta as kërkesat elementare sikur fëmijëve të tjerë, që ndoshta kanë kushte luksoze jetese. Pra, Maxhera bëhet pjesë e krejt këtyre halleve dhe, edhe vuan e ndjen shqetësime brenda vetes.

“Autori në fjalë, sikur i edukon fëmijët si duhet të jenë mendjekthjellët, të zgjuar e të mos hamendësojnë për asnjë çast me jetën e tyre, edukatën, mësimin, hapat në vazhdim, për kulturë, mësim e dije, që nesër të kenë fat të bardhë e të ardhme të mbarë. Edhe pse, fati nuk varet prej duarve tona, por ne duhet t’ia bëjmë shërbimin? Si t’ia bëjmë? Duke punuar, mësuar, përkushtuar, vyer, me zell, vullnet e dashuri që të bëhen fëmijë për lakmi dhe të kenë e gëzojnë ardhmëri në paqe, rahati e qetësi të plotë, është dëshira e poetit Maxhera. Ai dëshiron që fëmijët të ndjehen të kënaqur, të plotësuar e të përmbushur me veten e tyre, familjen dhe rrethin”, përfundon Sheholli.

Ndërsa, redaktori i librit, Dan Ibrahimi e cilësoi autorin si një ndër poetët e rrallë që po sjell krijime poetike kaq të nevojshme për fëmijë.

“Poeti na ka ardhur me një përmbledhje poetike shumë të veçantë dhe letërsia jonë, sidomos në Kosovë, ka shumë po shumë mungesë të letërsisë për fëmijë. Unë për vete jam autor i disa librave por asnjëherë nuk mund të shkruaj për fëmijë. Maxhera ka shëtitur shumë dhe ka kontaktuar njerëz të ndryshëm por ka mbetur fëmijë në shpirt, prandaj edhe mund të shkruaj kaq bukur për fëmijë. Përndryshe, ai është një poet edhe për të rritur dhe kohëve të fundit ai i ka dhënë hov edhe krijimtarisë së tij në prozë. Unë ia uroj Maxherës që ai të mos rritet, të mbetet këtu dhe të vazhdoj këtu sepse me këtë libër ai ka lënë një gjurmë goxha interesante dhe mëton që ta mbush një zbrazëti sepse mjerisht kemi shumë pak poetë serioz për fëmijë për momentin”, thotë Ibrahimi.

Sipas tij, nuk ka shumë poetë të tillë, andaj disi duhet të mbushet kjo mungesë për arsye se këta fëmijë kanë nevojë për këtë gjuhë kaq të lezetshme, këndshme e melodike që e sjell Maxhera.

“Me këtë libër ai ka hyrë direkt në psikologjinë e fëmijëve, gjë të cilën e admiroj shumë”, përfundon Ibrahimi.

Krejt në fund, ishte vetë autori Sylë Maxhera, ai i cili fillimisht foli rreth ilustrimeve të këtij libri që i ka bërë mbesa e tij 13 vjeçare, Riga Maxhera.

“Riga është një mbesa e imja, e cila ka ilustruar poezitë e mija. Unë i thashë asaj lexoi pozitë, vizatoji dhe bëji si të duash ato. Ka disa poezi që unë ndryshe i kam menduar por qëllimi nuk është aty. Qëllimi gjithmonë ka qenë që fëmija të interpretojë këtë punë. Secili fëmijë mund të ketë vizatuar diçka ndryshe, dhe kjo është veçantia e tyre interpretuese. Secili shprehet në mënyrën e vetë dhe kjo asnjëherë nuk është gabim. Pastaj, Jonida është recesentja e librit për arsye se kisha dëshirë që dikush fëmijë të krijojë recensionin. Ajo e ka bërë një punë shumë të mirë”, thotë Maxhera.

Ai tutje lexoi disa poezi nga vëllimi i tij poetik, e që kjo u mirëprit aq mirë nga publiku i cili më pas dhe vazhdoi bisedën tutje, duke e dërguar atë në një nivel tjetër ku diskutimet e shumta u bënë të pranishme.

Sylë Maxhera jeton në Spanjë, i cili përpos pasionit për poezinë, ai ka pasion muzikën, posaçërisht instrumentin e kitarës. Andaj dhe mbrëmja vazhdoi tutje nën melodi të cilat shoqëroheshin nga kitarja. / KultPlus.com

Të ngjajshme