20 Mars, 2025 - 12:50 pm
Ibrahim Berisha
Në lagjen Hija e Plepave në Prishtinë, ku rrugët ngjajnë të njëjta dhe bota duket e ngadalshme, jetonte çifti i moshuar, Kodra. Ata qenë vendosur në kryeqytet, në tetor 1994.
Kishin pritur tetë vjet për të pasur një fëmijë dhe kur dita e lumtur erdhi, erdhi me vajzën, me fije floku të arta dhe sy të ndritshëm. Ata ishin të lumtur.
Por, fati deshi dhe u solli një hidhërim të paimagjinueshëm.
Pas tre muaj të mrekullueshëm me vajzën e tyre, në kokë me kapelën ngjyrë vjollce të punuar me mëndafsh, ndodhi e papritura. Vajza u sëmur. Nuk ishte infektim i thjeshtë. Shpejt gjendja iu përkeqësua dhe ata, të frikësuar dhe të paqartë nuk po dinin çfarë të bënin. Më në fund, e sollën në Klinikën e Pediatrisë, që ishte vënë nën Masa të Dhunshme, me shpresën se mjekët do të mund të bënin diçka për të shpëtuar vajzën e tyre të vetme.
Pas tre ditësh, mjekët ishin të qartë. Kishin diagnostikuar vajzën me një sëmundje të rrallë, duhej së paku dy muaj shërim. Ata ishin bindur kur dëgjuan mjekun të thënë: Sëmundje e rrallë! Vajza ishte shtruar në një dhomë spitali bashkë me katër foshnja. Nëna qëndronte pranë saj me zemër të shqetësuar dhe shpresë të paqartë.
Pas tetë ditësh, gruaja, në përpjekje për të takuar burri, shkoi poshtë në shkallët deri te dera e spitalit.
Kur u kthye në dhomë, ndjeu së nuk ishte gjithçka si më parë, por ende nuk mund ta besonte se ajo që po ndodhte ishte e vërtetë. Kërkoi vajzën me sytë plot frikë, por ajo nuk ishte në shtratin ku e la.
Për të qetësuar veten, mendoi, për vizitë rutinë.
“Ku është ajo?”, pyeti me një frymëmarrje të ngushtuar, motrat, pas dhjetë minutash duke kërkuar nëpër korridore. “A ka ardhur mjeku? Ku është vajza ime?”
Po i humbiste durimi dhe shpresa. Por, nuk kishte përgjigje. Mjekët nuk i thanë asgjë të qartë. Vajza nuk gjendej askund. Klinika, e mbushur me motrat që duhej të kujdeseshin për fëmijët po përmbysej nga sekonda në sekondë. Pasi pak minutash, ajo mbeti e pasigurt për gjithçka që kishte ndodhur dhe do të ndodhte në ditët e ardhshme.
Kaluan javë të tëra duke pritur përgjigje: Po, vajza e tyre? Çfarë kishte ndodhur?
Dhe ndërsa kalonin ditët, burri dhe ajo vazhduan të kërkonin, por kurrë nuk gjetën një fije shprese, nuk morën përgjigje.
Vajza humbi përfundimisht, pa asnjë shpjegim.
Ndërruan qytezën e tyre me Prishtinën duke shpresuar se një ditë, qoftë edhe rastësisht, do të gjenin vajzën e tyre. Jetuan me boshllëk që asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë. Asnjë ngushëllim nuk mund ta lehtësojë.
Por çdo vit, për gjithë jetën e saj, gruaja që plakej para kohe, nuk e fshihte ndjenjën e pashpjegueshme, se diçka kishte ngelur e papërfunduar. Kishte humbur vajzën, por ndoshta ajo ende mund të ishte diku aty jashtë, fare afër. Sa herë dilte në rrugë, e kërkonte dhe, madje, e ndjente praninë e saj. Këtu jam, si nuk më sheh, i thoshte një zë që nuk e përcaktonte nga vinte.
Vit pas viti, jeta e tyre rëndohej. Ata u plakën, por ndjenja e humbjes nuk i la kurrë. Kur vdiq burri, ajo e përcolli me fjalët: Kur ta gjej Zanën, vij e të tregoj!
Pastaj, një ditë të rastësishme prilli, pas tridhjetë e një viti pa e parë vajzën, kur doli për të blerë bukë, ajo pa një grua që vinte drejtë saj. Pse, nuk e diti, po iu afrua ngutshëm. Sytë e kaltër të gruas i kujtuan sytë e vajzës së saj të vogël, ata sy që kishte dashur t’i shihte, por pa gjasë, gjithë këtyre viteve. Kujtoi shikimin e, të ngrohtë dhe të pafajshëm kur ajo po shihte nënën e saj për herë të parë. U trondit: Një ndjesi shprese mund të ishte ajo, po edhe ankth që për shumë vite e trazoi shpirtin e saj.
E ndihmuar nga tërheqja e paqartë e shikimit, ajo vazhdoi të shkojë pas gruan. Nuk e dinte pse, por tronditja e detyronte ta ndjekë pa menduar. Kur gruaja ktheu sërish kokën, ajo pa mirë sytë e saj të kaltër. “Sytë e Zanës”, ofshani.
Ajo i tha me zë të dridhur, por me shpresë: “Zana! A je… ti ajo?”
Gruaja, e shikoi, me hije të qartë dyshimi që dukej edhe nga fytyra e saj e skuqur.
Ajo u ndal, dhe zemra po i dilte nga gjoksi. “Më në fund, e gjeta”, mendoi. Është Zana! Më nuk ishte vetëm iluzion i një ëndrre që kishte zgjatur gjithë jetën, thuaja?
Prandaj, ishte e mundur.
E pa edhe një herë gruan, derisa ajo qe ndalur dhe hutuar po e shikonte dhe ai shikim i dhuronte, gjithçka që i duhej. Pavarësisht se sa vite kishin kaluar, ajo e ushqente vuajtjen për vajzën. Prandaj, më asnjë fjalë nuk ishte e nevojshme.
E ndoqi pas derisa gruaja humbi në këndin e rrugës që fshihej nga shtëpitë.
Kur po kthehej në dhomë e lehtësuar, mendoi se kjo ishte vetëm një mundësi, por zemra e saj i qe mbushur me dashuri dhe shpresë se, ndoshta, më në fund kishte parë vajzën e saj. “Oh, vajza ime, Zana ime, më në fund, të gjeta”, tha.
U pikëllua kur mendoi se nuk kishte kujt t’ia thoshte se pa vajzën e saj, kishte njohur sytë e kaltër dhe të butë të Zanës, ata sy që shkëlqenin njësoj sikur në ato pak ditë kur ajo ishte nënë e lumtur./ KultPlus.com