Tadeusz Borowski: Njeriu me pako

1 Shkurt, 2025 - 4:18 pm

Tadeusz Borowski (1922 – 1951), prozator, poet dhe gazetar polak, i mbijetuar i internimit në kampet e përqendrimit Auschwitz dhe Dashau. Pas përfundimit të luftës nisi të shkruante kujtimet e burgosjes së tij dhe të botonte tregime të ndryshme, të përmbledhura pastaj, më 1948, me titullin ‘Pożegnanie z Marią (Lamtumirë Marisë”, përkthyer në anglisht më 1959 me titullin “This Way for the Gas, Ladies and Gentlemen”). U vetëvra në rrethana misterioze, më 1 qershor 1951.

NJERIU ME PAKO

Për Adolf Rudnicki-n

Schreiberi1 ynë ishte hebre nga Lublini i ardhur në Auschwitz nga lageri i Majdanekut si i burgosur tashmë në kampe të ndryshme. Dhe, duke qenë se kishte gjetur në Auschwitz një të njohur të hairit të sonderkomandës, që, për shkak të pasurive që kishte përvetësuar në krematorë, dispononte në lager me një rrjet të gjerë të ndikimeve, kishte filluar menjëherë të shtirej si i sëmurë, kishte shkuar pa vështirësi në KB zwei – kështu  shkurtohej (nga: Krankenbau II), një sektor i ndarë i Birkenaus i destinuar për spital – dhe menjëherë kishte marrë një funksion të shkëlqyeshëm, atë të schreiberit në bllokun tonë. Në vend se të rrotullonte gjithë ditën dheun me lopatë apo të bartte me barkun bosh thasë me çimento, schreiberi kryente detyrën e sekretarit – duke nxitur zilinë dhe intrigat e të spikaturve* të tjerë të cilët po ashtu i kishin miqtë e tyre në detyra të tilla – i çonte para e mbrapa të sëmurët, thërriste emrat në apel në bllok, përgatiste certifikatat e vdekjes e sëmundjes dhe në mënyrë indirekte merrte pjesë në seleksionimin e hebrenjve që në vjeshtën e vitit 1943 vinin pothuajse rregullisht çdo dy javë në të gjitha sektorët e kampit tonë; schreiberi në të vërtetë duhej, me ndihmën e pflegerëve2, t’i çonte të sëmurët në waschraum3 nga ku barteshin me automjete në mbrëmje në njërin prej katër krematorëve, që atëherë ende punonin me turne. Në fund, në nëntor, schreiberin e zunë ethet fort – nga e ftohura, sa mbaj mend – dhe, meqë ishte hebreu i vetëm i sëmurë në bllok, në seleksionimin e parë u caktua për në zur besonderen Behandlung4, do të thotë për në dhomat e gazit.

Menjëherë pas seleksionimit pflegeri më i vjetër, i quajtur në shenjë respekti kryetar i bllokut, shkoi në bllokun e 14-të, ku kishte pothuajse ekskluzivisht hebrenj të binte në ujdi ta linte aty schreiberin tonë së pari aty, në mënyrë që ta shmangte obligimin e pakëndshëm që ta përcillte vetë në waschraum.

«Po e zhvendosim auf vierzehnDoktor, verstehen?5» i tha me t’u kthyer nga blloku 14 kryemjekut që rrinte ulur në tavolinë me stetoskopin në vesh. Doktori trokiti me gishta me shumë kujdes në shpinën e një pacienti të shtruar së voni dhe ia mbushi me shkrim kaligrafik certifikatën e sëmundjes. Doktori bëri një gjest me dorë pa e ndërprerë punën.

Schreiberi ishte kruspullosur në shtratin e sipërm dhe po e lidhte paturpësisht me një spango kutinë e kartonit në të cilën i mbante çizmet çeke të lidhura deri në gjunjë, një lugë, një thikë, një laps dhe dhjamin, kuleçtë dhe frutat që i merrte nga të sëmurët për shërbimet e ndryshme që ua bënte si shkrues, ashtu siç bënin pothuajse të gjithë mjekët dhe pflegerët hebrenj të KB-së; në krahasim me polakët, në të vërtetë, këta nuk merrnin pako nga askush. Nga ana tjetër, polakët e KB-së, që merrnin ndihma nga shtëpia, po ashtu merrnin nga të sëmurët qoftë duhan qoftë ushqime.

Kundruall schreiberit, një major polak në moshë, i mbajtur në këtë bllok prej muajsh, nuk dihet pse, veshët e mbyllur me pëlqyer, po luante shah me vetveten, ndërsa përposh tij nachtwacha6 urinoi përtueshëm në një papagall të xhamit dhe menjëherë u rras nën mbuloja. Në fjetoret e tjera gërhisnin dhe kolliteshin, mbi stufëz kërcëllinte salloja dhe, si gjithmonë rreth mbrëmjes, mbante një vapë mbytëse.

Schreiberi zbriti nga shtrati dhe e mori një pako në dorë. Kryetari i bllokut ia kaloi vrazhdësisht një mbulojë, ia zgjati një palë nallane druri dhe dolën nga blloku. Nga dritarja u pa, para bllokut 14, kryetari i bllokut t’ia hiqte mbulojën nga supet, t’ia merrte nallanet dhe t’i jepte një dackë në supe, ndërsa schreiberi, i cili kishte të veshur vetëm një këmishë nate që ia valëviste era, po hynte në bllok në shoqëri të një pflageri tjetër.

Vetëm kah mbrëmja, kur u shpërndanë nëpër fjetore racionet e çajit dhe pakot, pflegerët nisën t’i nxirrnin jashtë myslimanët** nga blloqet dhe t’i vinin në radhë nga pesë veta para dyerve, duke ua hequr mbulojat dhe mbathjet. Në lager erdhi një SS i turnit dhe i urdhëroi pflegerët të formonin para waschraumit një kordon që askush të mos ia mbathte; ndërkohë në blloqe të tjerët po hanin darkën dhe po rrëmonin nëpër pakot e sapoardhura.

Nga dritarja u pa schreibei ynë të dilte nga blloku 14 me një pako në dorë, të zinte vendin e vet në radhën prej pesë vetash dhe, i cytur nga britmat e pflegerëve, të zvarritej me të tjerët deri te lajtorja.

«Schauen sie mal, Doktor!7» i brita mjekut. E hoqi stetoskopin, u avit me hap të rëndë te dritarja dhe ma hodhi njërën dorë mbi supe. «Do të mund të tregoheshit pakëz më i arsyeshëm, apo jo?».

Jashtë po errej, pamë këmishat e bardha të lëviznin para bllokut, fytyrat nuk dalloheshin më, kaluan nga njëra anë, u zhdukën nga fusha e pamjes; vura re se mbi telat me gjemba ishin ndezur dritat.

«Megjithatë, si i internuar i vjetër, e di saktësisht se pas një ore a dy do të shkojë në gaz, lakuriq, pa këmishë dhe pa pako. Kjo lidhje me atë pronë mbeturinë është e pabesueshme. Mund t’ia kishte lënë ndokujt. Nuk besoj se unë…».

«A mendoni përnjëmend?», pyeti ftohtë doktori. E hoqi dorën nga supi im dhe e lëvizi nofullën si të thithte me gjuhë dhëmbin me karies.

«Falmëni, Doktor, po s’mendoj se ju…», thashë pa u menduar.

Doktori ishte nga Berlini, i kishte bijën dhe gruan në Argjentinë dhe nganjëherë thoshte për vete: wir Preussen8, me një buzëqeshje në të cilën një hidhësi e dhimbshme hebraike përzihej me krenarinë e një ish oficeri prusian.

«Nuk e di. Nuk e di çfarë do të bëja po të shkoja në gaz. Mbase edhe unë do të merrja me vete pakon time».

U kthye kah unë dhe buzëqeshi paksa ironik. Pashë se ishte shumë i lodhur dhe pa gjumë.

«Mendoj se, edhe po të shkoja në oxhak, me siguri do të besoja se gjithmonë do të mund të ndodhte diçka gjatë rrugës. Do ta mbaja pakon si dorën e dikujt, ë?».

U largua nga dritarja dhe pasi u ul në tavolinë më urdhëroi të lëshoja poshtë nga shtrati një të sëmurë tjetër; po përgatiste për të nesërmen abgang-un9 e të shëruarve për lager.

Hebrenjtë e sëmurë po e mbushnin waschraumin me britma dhe gjëmime, donin t’ia vinin zjarrin ndërtesës, por askush prej tyre s’guxonte ta prekte zyrtarin sanitar të SS-ve që po rrinte ulur në një qoshk me sytë gjysmë të mbyllur, duke u shtirë se po dremiste ose po dremiste përnjëmend. Posa ra terri erdhën në lager kamionët e mëdhenj të krematoriumit, erdhën disa SS, i urdhëruan hebrenjtë të linin çdo gjë në waschraum dhe pflegerët nisën t’i fusnin lakuriq në kamionë, derisa u mbushën kamionët me aq persona që, duke qarë dhe duke u lutur, të ndriçuar nga reflektorët, po largoheshin nga lageri të mbajtur për dore dëshpërimisht për të mos u rrëzuar në tokë.

Nuk e di pse pastaj në lager u tha se ata hebrenjtë që përfundonin në gaz këndonin një këngë prekëse në hebraisht që askush s’mund ta kuptonte.

Shënime:

1) I burgosur që në lager kryente punën e shkruesit; Primo Levi e quan «scritturale».

* – Të spikaturit ishin të burgosur bukur të integruar në lager që gëzonin për arsye të ndryshme një pozicion të privilegjuar.

2) Të burgosur në rolin e infermierëve.

3) Lajtore, banjë.

4) «Në trajtim special», gjermanisht në tekst.

5) Gjermanisht, «Në katërmbëdhjetë, doktor, e kuptuat?».

6) Shtrembërim në polonisht i termit të gjermanishtes Nachtwache «roje nate».

** – Myslimanët – term i përdorur në kampet e përqendrimit për t’i përshkruar hebrenjtë në prag të vdekjes nga uria dhe lodhja.

7) «Pa shiko pak, doktor!».

8) «Ne prusianët».

9) «Nisja», në kuptimin e «lirim nga spitali».

/Marrë nga Tadeusz Borowski: “Il mondo di pietra”, Lindau, 2022 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme