15 Nëntor, 2019 - 6:00 pm
Nga Blerton Gashi
Në të ftohtë të këtij dimri, bashkë me erën e fortë që e ndjeja si shuplaka fytyrës, më shoqëroi pergjatë sheshit në këmbë z. Nihilo, i shfaqur befas nga e majta ime.
Me pamje tjetër, kapele dimri, pallto të gjatë e të zezë, shallë shtrënguar fytit, i rruar dhe serioz. -Çfarë duhet të bëj, që të jem pjesëtar i së djathtës?- tha Z.Nihilo Natyrisht mjafton të jesh djathtistë! – iu pëgjigja shkujdesur, pa më të voglin dyshim që ishte veç një provokim. z. Nihilo, nuk u mjaftua, as nuk u zbraps, përkundrazi, pyetja e tij në secilin version të saj po bëhej çdo herë e më serioze madje disa herë tingëllonte si lutje. Kthente kokën anash, shihte kushedi kë, pastaj me po të njëjtin ton, si makinë, përsëriste lavdet për të djathtën. ” Nimishahi” i dikurshëm, më paska mbetur jetim, mendova.
Bretkosa e Ezopit apo krenaria e tij nuk paska më dikë që ta quaj “pita”. Z. Nihilo i kthyer në asgjën e fillimit, tani në askund, me hapa të lehtë me duar në xhepa, po thurrte plane, po kërkonte një rrugë të re që do ta shpinte “dikund”. I ikur nga kopeja apo i përzënë nga bariu, tani ishte i vetëm, duke ndjekur gjurmët e një kopeje të re kësaj radhe jo kope delesh.
Me guxim dhe vendosmëri kishte hetuar të përbashkëta apo i kishte trilluar ato. Më recitonte rrugës të njëjtën lirikë të dikurshme mveshur një emri tjetër. Filozofia e dikurshme e tij, po kritikohej ashpër prej tij, në po të njëjtin shesh me hapa të ri. Miku im i vogël që dikur shkruante me të majtën, tash do të provojë të shkruaj me të djathtën, lirika e tij do të ketë një titull ndryshe dhe asgjëja e tij, do të kërkojë shumë shpejt një dorë tjetër. / KultPlus.com