11 Tetor, 2024 - 8:58 pm
Flonja Haxhaj
Sonte, në hapësirat e librarisë ‘Dukagjini’ në Prishtinë është mbajtur takim me shkrimtarin Ag Apolloni, me ç’rast edhe është bërë prezantimi i romanit të tij të fundit të titulluar ‘Sikur të isha djall’, shkruan KultPlus.
Pjesëmarrësit, dashamirë të librit, mbushën këtë hapësirë, teksa prisnin edhe takimin me Apollonin për të marrë nënshkrimin e tij dhe të flisnin për më shumë detaje rreth librit.
Vetë shkrimtari Ag Apolloni, tha për KultPlus se ky libër ka në qendër dashurinë, por më shumë se kaq, romani ndërlidhet edhe me tema të tjera.
“Është një roman që paraqet një linjë dashurie mes dy të rinjve në vitin 2013 në Vjenë. Është një roman për dashurinë dhe për dashurinë ndaj Vjenës. Aty më pas gërshetohen edhe temat e tjera si muzika, jeta në përgjithësi, piktura”, theksoi Apolloni.
Ai më tutje u shpreh se ‘Sikur të isha djall’ zanfillën e ka që në romanin e tij të parë, nga i cili është frymëzuar gjithë ky libër.
“Ky roman të çon tek romani i parë sepse flet për romanin e parë dhe atë e ka edhe si preteks, pra ‘Ulërimën e Ujkut’ dhe kushdo që e ka lexuar atë libër e sheh se është një skenë aty, një pjesë e vogël që e ka frymëzuar krejt këtë libër”, tha shkrimtari duke shtuar më tutje se një prej arsyeve pse e gjithë historia zhvillohet në Vjenë është sepse romani i tij i parë është shkruar pikërisht në këtë qytet.
Autori Apolloni ka nisur këtë libër vitin e kaluar, fillimisht duke marrë detaje për qytetin e Vjenës, ndërkaq ai thotë se pjesa tjetër është shkruar shumë shpejt.
“Ky libër është shkruar relativisht shpejt, unë e kam nisur vitin e kaluar të marr disa precizime, disa shënime, detaje për qytetin e Vjenës, sa herë kam shkuar atje, kam mbajtur shënime si quhet ura si quhet ndonjë rrugë atje, ndërsa pjesa tjetër është shkruar shumë shpejt”, përfundoi Apolloni për KultPlus.
Ag Apolloni është shkrimtar dhe professor në Universitetin e Prishtinës. Veprat e tij janë shpërblyer me shumë çmime dhe janë përkthyer në shumë gjuhë. Romanet e tij janë vlerësuar lart nga Mieke Bal, John Kerrigan, Julie Ginzberg si dhe nga kritika shqiptar./KultPlus.com