14 Tetor, 2017 - 7:48 pm
Në Zym të Hasit, nga 12 deri 15 tetor, po mbahet edicioni i 46-të me radhë i manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, në të cilin po mbahen aktivitete të shumta në sferën e kulturës e shkencës.
Në aktivitetet e ditës së sotme, morën pjesë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Presidenti Thaçi e cilësoi si patriot dhe një figurë poliedrike i cili bashkë me veprimtarë tjerë të çështjes shqiptare punuan për unitet kombëtar.
“At Shtjefën Gjeçovi ishte figurë poliedrike: arkeolog, etnograf, mbledhës i folklorit, autor i disa librave. Ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me ideatorin e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën, me Dedë Gjo Lulin, Bajram Currin, Azem Bejtën dhe patriotë tjerë të kohës. Prandaj idetë e tij përparimtare për unitetin kombëtar pavarësisht bindjeve fetare, përhapja e librit shqip, lidhjet me intelektualët dhe patriotët e kohës, bënë që ai një ditë vritet në pritë nga qarqet antishqiptare”, tha Presidenti.
Presidenti Thaçi foli edhe për Zymin dhe regjionin e Hasit ku u shpreh nga ky vend dolën figura të mëdha kombëtare që me veprën e tyre ndikuan në emancipimin e viseve tona, por ky rajon, ka hapur një kapitull të ndritur edhe në kohën e luftës së UÇK-së, duke e konsideruar si arterien kryesore për sjelljen e armatimit në Kosovë për luftëtarët e lirisë. Ai në fund tha se shpreh konsideratën për të gjithë intelektualët e veprimtarët që mbajtën të gjallë manifestimin letrar dhe kulturor “Takimet e Gjeçovit”.
Ndërkaq, ministri Kujtim Gashi, vlerësoi se manifestimi “Takimet e Gjeçovit” është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme që zhvillohen në regjionin e Prizrenit por edhe me gjerë.
“Kjo ngjarje, si rrjedhojë e karakterit dhe rëndësisë së madhe kulturore e shoqërore por edhe shkencore që ka, është i pakrahasueshëm nga karakteri i tij dhe ka ruajtur vazhdimësinë, si një ngjarje tradicionale tashmë. E veçanta e ‘Takimeve të Gjeçovit’ është se mbahet në njërin prej fshatrave më të, siç është fshati Zym, i cili është një epiqendër e ngjarjeve etno-kulturore, historike e kombëtare”, tha ministri.
Ministri Gashi foli edhe për figurën e Gjeçovit duke e cilësuar si një personalitet e patriot të shquar, sidomos në grumbullimin dhe dokumentimin e kulturës tonë. “At Gjeçovi është ndër bibliografët më të shquar të kohës. Ai ka grumbulluar dhe ka sistemuar shumë dokumente për historinë dhe kulturën e popullit tonë”, theksoi Gashi.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe unë si Ministër, do me përkushtim do të kujdesemi dhe do ta mbështesim këtë manifestim por edhe veprimtaritë dhe organizimet tjera të kësaj natyre, të cilat promovojnë vlerat kulturore që ka vendi ynë”, veçoi ndër të tjera ministri.
Gashi u shpreh se në prill të vitit të ardhshëm do të restaurohet shtëpia-muze e aktores tonë të madhe Katarina Josipi, i cili përbën një vlerë të shtuar jo vetëm për Zymin e rajonin e Prizrenit por edhe për Republikën tonë. / KultPlus.com