3 Maj, 2019 - 4:00 pm
Libri i shumëpritur i Michelle Obamës tashmë është shqipëruar. “Becoming”, apo “Të bëhesh” është një libër me shifra rekord shitjesh. Vetëm në Amerikë i ka kaluar të 10 milionët. Ajo është mbase gruaja e vetme afro-amerikane që ka hyrë në të gjitha mjediset.
Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shumë për të rrëfyer. Ajo e nis këtë rrëfim që në dëshirat e thjeshta të fëmijërisë e deri në të sotmen.
“Ti mund të bëhesh çfarëdo të duash të bëhesh, mjafton ta duash fort. Është pjesa e të gjithë historisë së Amerikës, e të gjithë historisë së botës dhe për më tepër mesazhet e mëdha që ajo jep kryesisht për femrat. Por sigurisht nuk është vetëm një libër që duhet të lexohet nga femrat, por nga kushdo”, tha Arlinda Dudaj.
Mbase është një lloj mode që Zonjat e Para të shkruajnë libra. Kanë shumë për të thënë apo duhet ta bëjnë atë, për aq kohë sa dritat e projektorëve kanë shkëlqyer mbi to. E kjo, jo vetëm për shkak të burrave. Michele, të paktën nuk është ky rasti. Prandaj ajo rreket të na shpjegojë shpirtin e një gruaje revolucionare, plotësisht e zonja për të vënë forcën dhe zërin në shërbim të ideve të larta.
“E themi padyshim, ishte mbështetje për burrin e saj dhe ajo e thotë gjatë të gjithë librit, por Michele Obama ka pasur sfidat e saj, sfida të caktuara qartë. E thotë në një nga pasazhet shumë të bukura të librit. Në fakt, mendoj që ky libër, përtej faktit që ne mund të flasim çdo çast për të, duhet lexuar”, tha më tej Arlinda Dudaj.
Në bazë të rrëfimit të saj të ndershëm, Michelle Obama na ve përpara sfidës se cilët jemi me të vërtetë dhe çfarë dëshirojmë të bëhemi?/KultPlus.com