Do të digjitalizohen 2 milionë kopje në BKK “Pjetër Bogdani” nëpërmjet kampanjës së NESCAFE

14 Shkurt, 2018 - 3:15 pm

Alberina Haxhijaj

Sot ka filluar fushata “Start Smart” për të mbledhur fonde për pajisjen e Qendrës multimediale në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Shumica e studentëve, përmes studimeve të cilat janë bërë, besojnë se digjitalizimi i materialeve është një mundësi për qasje më të lehtë në materiale studimore. Ata mendojnë se pikërisht zhvillimi i teknologjisë ndikon në studime. Kështu të rinjtë në Kosovë ka kohë që e kanë mirëpritur procesin e digjitalizimit në Bibliotekën Kombëtare, i cili tashmë do të ndihmohet edhe nga kompania Nestle.
Kompania tashmë ka vendosur që edukimin ta ketë në mesin e objektivave të saj. Nestle me brendin e saj NESCAFE 3në1 ka filluar kampanjën “Start Smart” nga e cila do të ndajë një pjesë të mjeteve nga shitja e produkteve NESCAFE 3në1 dhe NESCAFE 2në1 për hapjen e qendrës multimediale në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Zyrtarja e Lartë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Rudina Tahiraj, tha se digjitalizimi nënkupton përfshirjen e bibliotekës në rrjete më të mëdha të informacioneve. Prandaj edhe i janë mirënjohës kompanisë Nesltle që ka zgjedhur bibliotekën për një projekt të tillë.

“Bibliotekat në botë njihen si qendra të cilat përveç mbledhjes dhe ruajtjes së informacionit ofrojnë qasje më të lehtë në informacion. Të kesh qasje në informacion do të thotë të jesh një hap më botën. Mund te themi se ky proces ka filluar dhe tashmë është bërë edhe blerja e skanerit për digjitalizimin e rreth 2 milionë materiale të cilat kjo bibliotekë i posedon”, u shpreh ajo.

Ky vendim u mirëprit edhe nga aktorja Vlora Merovci, e cila në hapje të kësaj fushatë ndau më të pranishmit eksperiencat e saj si studente dhe rëndësinë që ka kjo iniciativë.

“Leximi është një nga shprehitë më të mira që mund ti kemi. Gjithçka që kam arritur e kam për shkak të leximit. Çdo profesion ka nevojë për libra. Në zhvillimin tim si aktore leximi më ka ndihmuar shumë, në zhvillim të imagjinatës, në aftësinë analitike, në fjalor tim më të mirë dhe sidomos në komunikim ” tha aktorja e cila ndau me të pranishmit vështirësitë që ka hasur në periudhën kur ka qenë duke studiuar në universitet, në vitin 1997.

“Studimet i kam filluar në 97-ën, kurse studimet master në vitin 2015, dhe ka qenë një krahasim shumë i madh. Pasi që më parë nëse më është nevojitur një libër i caktuar më është dashur që atë libër ta porosisja në Shqipëri, dhe përmes autobusëve ta marrë në Prishtinë. Kurse tani për të marrë të njëjtin libër, mjaftoi vetëm ta kërkoja, dhe për pak sekonda mora komplet librin me 150 faqe”, përfundoi Merovci duke theksuar se kjo mundësi është shumë e rëndësishme për gjeneratat e reja të cilat sot edhe mund të mos e kuptojnë këtë, pasi që nuk kanë një pikë krahasuese.

Biblioteka Kombëtare e cila ka filluar digjitalizimin e librave dhe të arkivave të saj ka nevojë edhe për pajisje dhe teknologji të re në mënyrë që lexuesit të kenë qasje në to. Pikërisht kjo ka më së shumti rëndësi për studenten Edona Rexhepi.

“Digjitalizimi i librave në profesione si i imi ku duhet konsultim i literaturës është shumë i rëndësishëm. Sidomos për faktin se në disa lëndë qasja në libra të caktuar është e vështirë pasi që librat janë të vjetër dhe konsiderohen një koleksion i rrallë. Prandaj digjitalizimi na mundëson që të qasemi në këta libra, dhe atë për një kohë shumë të shkurtë”, u shpreh Edona Rexhepi e cila studion historinë dhe është një vizitore e rregullt e Bibliotekës Kombëtare.

Sonja Slivjic menaxhere e brendit NESCAFE tha se bazë për përmirësimin e cilësisë së jetës është arsimi. Për këtë arsyeje kompania edhe ka vendosur organizmin e fushatës “Start Smart”.
“Po përpiqemi të rritim standardin e jetës dhe të ndihmojmë për të krijuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë të cilët janë të rëndësishëm për çdo komb. Prandaj edhe kemi filluar projektin “Start Smart” në mënyrë që të ardhurat nga produktet tona ti dhurojmë për Bibliotekën Kombëtare. Me fushatën “Start Smart” do të sigurohet një hapësirë moderne për të mësuar të rinjtë, për tu shoqëruar dhe për zhvillimin e tyre profesional që do t’i ndihmojë ata për të gjetur mundësi më të mira për punë. Ne besojmë që digjitalizimi është shumë i rëndësishëm sot dhe do të jetë edhe më i rëndësishëm në të ardhmen”, përfundoi ajo.

Përveç leximit të materialeve digjitale, qendra e re multimediale “Start Smart” do të përdoret edhe për organizimin e punëtorive dhe trajnimeve për të rinjtë, si dhe për edukimin përmes projeksioneve filmike dhe paneleve për diskutim./KultPlus.com

Të ngjajshme