14 Shkurt, 2022 - 6:45 pm
Jaime Sabines
Të dua qysh në dhjetë të mëngjesit
Të dua qysh në dhjetë të mëngjesit, edhe në njëmbëdhjetë,
edhe në dymbëdhjetë të mesditës. Të dua me mish e me shpirt, ndonjëherë, edhe në pasditet me shi.Por, në orën dy të drekës, edhe në orën tre, kur nis të mendoj
për ne të dy, ndërsa ti mendon për gatimin, ose angaritë e ditës,
ose për argëtimet e munguara, filloj të të urrej neveritshëm,
kurse gjysmën e urrejtjes ia kushtoj vetes time.Paskëtaj të dua sërish, kur biem në shtrat së bashku dhe e ndiej se je bërë veç për mua, kushedi si ma thonë gjuri dhe barku yt, duart e mia më bindin plotësisht, se nuk ka vend tjetër në botë për vajtje-ardhjet e mia, më të mirë se trupi yt. Ti, që vjen kaq e plotë pranë meje, e të dy në çast zhdukemi dhe përfundojmë në gojën e Hyjit, gjersa të them se jam i uritur, përgjumem.
Përditë të dua, të urrej pareshtur.
Por ka edhe ndonjë ditë, ndonjë orë syresh, kur nuk të njoh fare, kur bëhesh krejt e huaj, porsi gruaja e tjetërkujt. Më angështojnë meshkujt e tjerë, vetë tromaksem, hutohem nga dhembja. Mbase nuk mendoj ca kohë për ty. E shikon pra. Kush tjetër do të të dashuronte më pak se unë, e dashura ime?
Përktheu: Elvi Sidheri / KultPlus.com